• Kreu
  • Shendet
  • Vaji i palmës, kush janë kërcënimet globale dhe vendore?

Vaji i palmës, kush janë kërcënimet globale dhe vendore?

Vaji i palmës është vaj vegjetal që vjen nga fruti i bimës së palmës për vaj, dhe me origjinë nga Afrika Perëndimore, tashmë prodhohet dhe transportohet globalisht kryesisht nga Indonezia, Azia, Afrika dhe vende të tjera, në të shumtën e rasteve pa marrë parasysh mjedisin dhe kafshët. Kjo industri është lidhur shpesh me shpyllëzimet, ndryshimet klimatike, dhe abuzime me kafshët dhe popujt indigjenë. Sipas Fondit të Botës së Egër (WWF), një zone ekuivalente pylli prej 300 fusha futbolli pastrohen çdo orë për të prodhuar vajin e palmës.

Shpyllëzimi në masë të lartë po zhduk shumë specie dhe studimet tregojnë se specie si orangutangu mund të zhduken brenda 5-10 viteve ndërsa tigrat Sumatran në më pak se 3 vite. Lidhur me ndërgjegjësimin ndaj efekteve shëndetësore të vajit të palmës në Shqipëri, ai mbetet ende i ulët tek konsumatori shqiptar. Media dhe ekspertë të shëndetit po flasin tashmë hapur mbi pasojat që sjell ky vaj.

Në përgjithësi studimet theksojnë se konsumi i tepërt i vajit të palmës ndikon në shtimin e yndyrave të dëmshme në trup me pasoja në enët e gjakut dhe zemër.

Edhe pse me efekte të dëmshme, prania e tij në etiketat e produkteve ushqimore është shumë e kufizuar, duke anashkaluar sasinë e përdorur në produkt madje shpesh herë kamuflohet duke e zëvendësuar me fjalën vaj bimor ose vegjetal.

Megjithatë problemi kryesor është tejmbushja e tregut me produkte të përpunuara me vaj palme ndërkohë që ekziston një vakum i ndërgjegjësimit të konsumatorit në masë. Gjithkush është i mundur të kryejë një sondazh të etiketave të patatinave që tregtohen dhe ta ketë të pamundur të gjejë dy produkte pa praninë e vajit të palmës. Ajo çka duket edhe me kërcënuese është edhe tendenca e shumë përpunuesve të ushqimit drejt vajit të palmës që ka vetëm gjysmën e kostos së një vaji normal, pa përmendur abuzuesit e paligjshëm që imitojnë produkte të ndryshme ushqimore.

Për këtë arsye është i nevojshëm që studiuesit të drejtohen drejt këtij fenomeni global për të vlerësuar peshën e tij në nivel lokal dhe të orientojnë politikat që duhet të ndiqen.

Print