• Kreu
  • Shendet
  • ‘Rafineri jo parfumeri’, banorët rreth Metalurgjikut ngrejnë zërin kundër ndotjes

‘Rafineri jo parfumeri’, banorët rreth Metalurgjikut ngrejnë zërin kundër ndotjes

Të toksikuar prej dy dekadash nga tymi i zi që del prej oxhaqeve të industrisë së rëndë që kryen aktivitetin rreth skeletit gjigand të ish-Metalurgjikut në Elbasan, banorët e fshatrave Balldren dhe Vidhas u përballën në fillim të verës me probleme të reja. Era e rëndë e naftës u shpërnda në ajrin e mbingopur nga metalet e rënda në këtë zonë, ndërkohë që mbetje të hidrokarbureve u shfaqën gjithashtu në kanalet e tyre të ujërave vaditëse. Banorët u zunë në befasi nga ndotjet e shkaktuara nga nafta dhe fajësuan për to rafinerinë e sapovënë në punë të bitumit.

Në intervista të veçanta për BIRN, banorë të fshatrave Vidhas dhe Balldren thanë se askush nuk i kishte paralajmëruar se çfarë po ndërtohej. Njëri prej banorëve të Vidhasit, Kelmend Xhakoj i tha BIRN se situata në fshatin e tyre është tashmë e papërballueshme.

“Ne kemi ndotjen e ferrokromit dhe të Kurumit, pasi era i sjell të gjithë tymrat në fshatin tonë, por këtë verë u përballëm për herë të parë edhe me ujin me naftë. Kush vaditi iu thanë pemët,” tha Xhakoj.

“Askush nuk na tha se çfarë do të ndërtohej këtu. Vetëm kur na erdhi uji me naftë dhe era e qelbur u përballëm me të. Duam që kjo rafineri të ndalë ndotjen e ujit dhe ajrit,” shtoi ai.

Rafineria e përpunimit të naftës bruto nisi të ndërtohej në vitin 2014 në fshatin Balldren të Elbasanit nga kompania “R.B.H Belinë”, e cila më parë e ushtronte aktivitetin e saj në fshatin Zharrëz të Fierit. Kompania, e cila zotërohet 50 me 50 nga aksionerët Rebani Likometa dhe Halil Gashi nisi punimet në Elbasan falë një miratimi paraprak të Ministrisë së Energjetikës dhe Industrisë të vitit 2014.

Më 8 nëntor 2016, “R.B.H Belinë” fitoi licensën koncesionare për 30 vjet nga Këshilli i Ministrave për rafinerinë e saj të “përpunimit, transportimit dhe tregtimit të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tjera” dhe një muaj më pas filloi nga puna.

Por në prag të zgjedhjeve parlamentare të qershorit, dhjetra banorë të fshatrave Balldren dhe Vidhas shpërthyen në protestë, duke kërkuar ndalimin e ndotjes së ajrit dhe të derdhjes së mbetjeve të naftës në kanalet e tyre vaditëse.

Protestës së tyre iu bashkua edhe deputeti socialist i zonës, Taulant Balla i cili kërkoi marrjen e masave kundër ndotjes që shkakton impianti i bitumit për mijëra banorë të këtyre fshatrave. Por disa muaj pas kësaj proteste asgjë s’ka ndryshuar.

Nazmie Çela, banore e Vidhasit tha për BIRN se pavarësisht premtimeve, protesta nuk ndryshoi asgjë në jetën e tyre.

“Ky fshat është i mallkuar, pasi veç ujit kemi edhe ajrin. Nuk marrim dot frymë. Sa vjen e shtohet ndotja dhe është bërë për të ikur,” tha ajo.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes dokumenteve të siguruara nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe intervistave me banorë tregojnë se rafineria e përpunimit të naftës e kompanisë “R.B.H Belinë” u pajis me leje mjedisore në qershor të vitit 2014, ndonëse anashkaloi detyrimet për informimin dhe konsultimin me banorët e zonave përreth saj.

Pas përfundimit të ndërtimit dhe nisjes së punës në dhjetor 2016, rafineria e bitumit u kthye në një burim të ri shqetësimi për banorët rreth zonës industriale të Elbasanit.

Rafineria e re i është bashkangjitur problemeve shumëvjeçare të ndotjes së mjedisit në zonë, të shkaktuara nga një numër i madh biznesesh industriale si uzina e ferrokromit, ajo e prodhimit të çelikut e kompanisë “Kurum International”, fabrika të gëlqeres, e tullave refrektare apo disa industri të tjera më të vogla.

Të gjitha këto industri, sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN kanë shkaktuar ndotje në shkallë të gjerë të ajrit, ujërave dhe tokës, si dhe kanë lënë gjurmë në shëndetin e popullatës, e cila vuan në nivele të larta të sëmundjeve tumorale dhe atyre të rrugëve të frymëmarrjes.

I pyetur nga BIRN, administratori i kompanisë “R.B.H Belinë”, Rebani Likometa hodhi poshtë akuzat e banorëve për ndotjen me mbetje të naftës të kanaleve të tyre vaditëse, ndërsa i tha BIRN se ndikimi në mjedis i rafinerisë është brenda të gjithë parametrave të përcaktuar në lejen mjedisore.

“Banorëve u japim garancinë që shoqëria jonë do t’u përmbahet në mënyrë konstante zbatimit me rigorozitet dhe përmbushjes së detyrimeve të lejes mjedisore me të cilën jemi pajisur,” tha Likometa për BIRN.

“Jemi pajisur me leje ndërtimi për rafineri dhe jo për parfumeri,” shtoi ai.

Artikullin e plotë e lexoni këtu.

Print