• Kreu
  • Shendet
  • Gurorja pa leje mjedisore rrezikon banorët në aksin Krujë-Qafshtamë

Gurorja pa leje mjedisore rrezikon banorët në aksin Krujë-Qafshtamë

Një gurore e ndërtuar rishtazi po rrezikon jetën e banorëve në zonën e Krujës. Gurorja është ndërtuar në rrugën Krujë - Qafshtamë në vendin e quajtur Gryka e Vajës. Vendi në të cilin është ndërtuar gurorja në vitin 2002 me vendim të Këshillit të Ministrave është shpallur monument natyre. Shteti është gjunjëzuar përballë firmës që ka ndërtuar këtë biznes, pasi kjo kompani është proceduar dy herë nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura. Informacionet e marra nga kjo agjenci rezulton se kjo firmë nuk ka asnjë dokumentacion i cili lejon zhvillimin e një aktiviteti të tillë.

Sipas shefit të menaxhimit për Zonat e Mbrojtura Durrës janë mbajtur procesverbale në lidhje me këtë aktivite që po zhvillohet në zonë e mbrojtur, por akoma nuk janë marrë masa. "Ka një problem me një subjekt që ka gërmuar në një objekt që është monument natyre. Personeli i AKZM ka konstatuar shkelje dhe ka paraqitur disa dokumente, por nuk ekziston asnjë lloj kontrate dhe se veprimtaria e firmës është e paligjshme", thotë shefi i AKZM Durrës, Abdulla Hasanaj.

Edhe Drejtoria e Zyrës së ankesave për konsumatorët është shprehur se ky aktivitet mund të shkaktojë shum problem edhe në furnizimin më ujë të zonës pasi disa burime janë të përqëndruara në atë zonë.

"Po ndërhyet në rastin konkret sepse jo thjesht prish vlerat natyrore por edhe rrezikon edhe dëmtime fizike të kalimtarëve dhe të mjeteve që kalojnë në atë zonë. Nga Kruja drejt Qafshtamës dhe janë të gjithë këto elemente negative që i ulin vlerën investimeve por kthehen në rrezik edhe për sheëndetin e qytetarëve", shprehet Hasan Stafa Zyra e Ankesave të Konsumatorit.

Ndërkohë shkresa e fundit ku agjencia e zonave të mbrojtura i bën thirrje policisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Manaxhimit dhe monitorimit në Tiranë për ndërhyrje mbanë datë 18 tetor 2017. Por edhe pas kësaj kërkese kanë kaluar më shumë se një muaj dhe askush nuk ka marrë masa për ta mbyllur këtë aktivitet të paligjshëm.

Print