• Kreu
  • Shendet
  • Rrezik epidemie, mbetjet shtazore hidhen rrugëve të Elbasanit

Rrezik epidemie, mbetjet shtazore hidhen rrugëve të Elbasanit

Kohët e fundit në rrugët e Elbasanit po shfaqet një veprim skandaloz i padëgjuar ndonjëherë. Banorë apo firma të pandërgjegjshme që funksionojnë në sektorin e mbarështimit të pulave dhe bagëtive, po hedhin në rrugë thasë me pula të ngordhura dhe lëkura e të brendshme bagëtish. Dy javë më parë një rast i tillë u konstatua në fshatin Vidhas të Elbasanit. Punëtoret e mirëmbajtjes së rrugës dhe banorët e fshatit denoncuan gjetjen e thasëve të hedhur me pula të ngordhura.

Kësaj here ky denoncim vjen nga operatorët e stacionit veterinar. Në rrugën Tregan-Muçan, as 5 km, nga qendra e qytetit. Duke qenë se ato janë ushqim për qentë e rrugës të kësaj zone, veterinerët ngrenë alarmin se mund të përhapet epidemi, të cilat përbejnë një rrezik serioz për shëndetin e banorëve.

“Në aksin Elbasan-Tregan po shohim që persona të pa ndërgjegjshëm kanë hedhur të brendshmet r kafshëve të cilat theren pa asnjë kontroll, si dhe pjesë të lëkurave”, shprehet veterineri Albert Sinani.

Edhe pse therja e bagëtive është dhënë urdhër të bëhet nëpër thertore të miratuara, ky urdhër duket që nuk po zbatohet. Veterinerët thone se ky fenomen ka mbi dy javë që po ndodh. Gjurmët s’kanë nevojë për komente të tepërta.

“Ky është një nga burimet e infeksioneve që na sjellin qentë e rrugëve, por problemi tjetër këtu është se kjo është një zonë turistike që frekuentohet nga shumë turistë të huaj. Përgjegjësia këtu bie kryesisht mbi pushtetin vendor, mbi Bashkinë, e cila nuk arrin të marrë asnjë masë për pastrimin e ambienteve dhe kryesisht të qenve të rrugët të cilët janë shtuar tej mase”, thotë veterineri Musa Rexha.

Çdo ditë ky aks rrugor mbushet me thasë me lëkurë dhe të brendshme bagëtish, duke e ndotur tmerrësisht këtë zonë. Pavarësisht shqetësimeve të ngritura deri tani nuk është konstatuar se kush janë personat që hedhin mbetje të tilla duke rrezikuar jetën e këtyre banorëve.

Print