• Kreu
  • Shendet
  • Enë kuzhine nga Kina – Lëshojnë metale të rënda në ushqim 10 herë më shumë se norma

Enë kuzhine nga Kina – Lëshojnë metale të rënda në ushqim 10 herë më shumë se norma

Nuk ka rëndësi vetëm çfarë hamë. Por edhe ku i gatuajmë dhe si i konsumojmë! Metalet e rënda që lëshohen në ushqim nga enët e kuzhinës me cilësi të dobët sjellin probleme serioze për shëndetin e konsumatorëve. Vetëm pak ditë më parë më 29 Nëntor 2017, autoritetet doganore dhe të kontrollit ushqimor në Italinë fqinje bllokuan dhe sekuestruan disa ngarkesave kolosale me enë metalike kuzhine për përdorim ushqimor me prejardhje nga Kina. Rezultatet e analizave të raportuara nga AgroWeb.org treguan nivele tejet të rrezikshme të metaleve të rënda, krom dhe manganez.

Italia ka ngritur alarmin tek të gjitha vendet e Bashkimit Evropian pasi sasia e lëshimit të metaleve të rënda në ushqim ishte 10 herë më e lartë se sasia e lejuar.

Dhjetë herë më e lartë!

Autoritetet italiane sekuestruan ngarkesat me tenxhere, kusi, tiganë, lugë, thika dhe pirunj me origjinë nga Kina pasi analizat treguan se niveli i kromit në këto artikuj arrinte mbi 24 mg për kg.

Ndërsa niveli i manganezit mbi 0,5 mg për kilogram.

AgroWeb.org ju njofton se nivelet e lejuara janë fiks dhjetë herë më pak. AgroWeb.org u interesua për këtë çështje dhe kontaktoi me zyrtarët doganorë në vendkalimet kufitare të mallrave në vend.

Burime të ndryshme konfirmuan në kushtet e anonimatit se mallra të tillë importohen në Shqipëri, por nuk janë subjekt kontrolli për prezencën e metaleve të rënda.

Kjo për shkak të procedurave të shtrenjta dhe të komplikuara për analizat e tyre.

Kromi dhe manganezi përdoren në përbërjen e të gjitha enëve dhe pajisjeve metalike të kuzhinës për t’i zgjatur jetën materialit të çelikut (stainless steel). Dozat mbi normat e lejuara të kromit në ushqime sjellin helmatisjen e gjakut dhe kanë efekte të rënda mbi shëndetin e mëlçisë dhe veshkave në organizëm.

Ndërsa dozat mbi normat e lejuara të penetrimit të manganezit në organizëm spas burimeve AgroWeb.org sjellin probleme serioze mbi sistemin nervor kryesor tek të rriturit dhe tek fëmijët.

Të dyja substancat gjenden edhe në formën e kripërave minerale në mjaft produkte të tokës.

Por përmbajtja e tyre është 100 herë më e vogël sesa normat e lejuara dhe në këtë rast kanë efekt të mirë në organizëm.

Në kushtet e afrimit me Bashkimin Europian, vendi ynë e ka jetësore nevojën për ngritjen e laboratorëve të mirëfilltë të kontrollit të çdo malli që i drejtohet konsumatorëve shqiptarë.

Asnjë reformë në sigurinë ushqimore nuk do të jetë e mundur, për sa kohë nuk ka kushte teknike për kontroll të mirëfilltë.

Si të pakësoni ekspozimin ndaj kromit dhe manganezit tek enët tuaja të kuzhinës

Mënyra më e sigurt është që të përdorni enë në etiketën e të cilave përjashtohet prania e metaleve të rënda si kromi apo manganezi. Kjo këshillë është jetësore për të rriturit dhe të vegjëlit. Por veçanërisht për enët e përdorura nga fëmijët, femrat shtatzënë dhe nënat që ushqejnë me gji.

Masat e sigurisë personale

Mundohuni të blini enë kuzhine metalike sa më cilësore sipas buxhetit tuaj. Mundohuni të mos i blini të hapura, por në paketime ku duket qartë origjina e mallit dhe përbërësit e përdorur. Mos ruani ushqimet në enë metalike. AgroWeb.org ju tregon se sa më gjatë pijet dhe ushqimi të rrinë në kontakt me një sipërfaqe prej metali, aq më shumë metale të rënda do të akumulohen në ushqimin tuaj. Për ruajtjen e ushqimeve, këshillohen enët e xhamit.

Mos i ruani ushqimet me aciditet të lartë në enë që përmbajnë metale si kromi dhe manganezi. Këto ushqime dhe pije e përthithin më shpejt plumbin se ushqimet me aciditet të ulët.

Ushqimet me aciditet përfshijnë: agrumet, mollët, domatet, salcën e sojës dhe salcën e sallatës.

Pijet me aciditet të lartë janë lëngjet e frutave, lëngjet e gazuara, alkoli, kafeja dhe çaji.

Print