Të mbrojmë fëmijët nga pesticidet

Fëmijët sot kanë më shumë probleme shëndetësore sesa kanë pasur brezat më parë. Një nga arsyet e kësaj situate është përdorimi i pesticideve. Në ditët e sotme përdoren rreth 2.3 milion ton pesticide çdo vit, që është 50 herë më shumë sesa në vitin 1950. Çfarë janë pesticidet dhe përdorimet e tyre?
Pesticidet janë substanca të krijuara për të tërhequr dhe më pas për të shkatërruar çdo gjallesë dëmtuese si insekte të ndryshme, barëra të këqija dhe kërpudha.

Ka disa lloje pesticidesh por kategoritë më të zakonshme dhe më të rëndësishme janë: insekticidet – vrasësit e insekteve; herbicidet – vrasësit e bimëve; fungicidet – vrasësit e kërpudhave. Përhapje më të gjerë pesticidet kanë gjetur në fushat e mbjella me kultura të ndryshme ku përdoren për ti mbrojtur të korrat nga dëmtuesit si insektet, barërat e këqija dhe kërpudhat.

Pesticidet përdoren si në kulturat bimore që përbëjnë bazën ushqimore si frutat, perimet, gruri, orizi, ulliri dhe vaji i tij, ashtu dhe në kultura bimore industriale si pambuku.

Individët të cilët ndjekin dieta ushqimore organike janë më pak të ekspozuar ndaj pesticideve toksike.

Këshillohet të përdoren prodhimet organike të këtyre frutave dhe perimeve: mollë, pjeshkë, luleshtrydhe, nektarin, rrush, spinaq, sallatë jeshile, kastravec, boronicë dhe patate pasi këto produkte kanë më shumë mundësi të jenë ndotur me pesticide toksike. Gjithashtu pesticidet mund të gjenden edhe në lëngun e frutave dhe perimeve të lart përmendura.

Një dietë ushqimore e sigurt nga pesticidet është e rëndësishme ndaj është me rëndësi të dihen produktet ushqimore që janë më të sigurta nga ndotja me pesticide. Është një listë me 14 produkte ku përfshihen: qepët, misri i ëmbël, ananasi, avokado, lakra, fasulet e ëmbla, mangot, asparagu, patëllxhani, kivi, patatet e ëmbla, qitro, shalqiri dhe kërpudhat.

Mënyrat e ekspozimit ndaj pesticideve

Mënyrat me anë të të cilave fëmijët mund të ekspozohen ndaj pesticideve janë nga më të ndryshmet dhe fillojnë që kur fëmija është ende një fetus në barkun e nënës. Këto mënyra përfshijnë ekspozimin me anë të ushqimit të nënës kur kjo e fundit është shtatzënë, ekspozimin ndaj ajrit, ushqimit dhe mjediseve të ndotura me pesticide.

Në shumë vende në zhvillim, ku varfëria ekonomike i detyron fëmijët të punojnë në ferma dhe plantacione, ata shpesh kanë kontakt të drejtpërdrejtë me pesticidet. Gjithashtu edhe jetesa afër këtyre komplekseve nuk është e sigurt për këta fëmijë pasi rrezikohen nga ndotja e ajrit dhe e ujit me pesticide. Shumë pesticide mund të imitojnë hormonet humane duke penguar procesin e zhvillimit dhe duke sjellë një sërë defektesh në lindje dhe sëmundje.

Pesticidet në dietat ushqimore të fëmijëve

Në fakt sasitë më të mëdha të pesticideve në botë përdoren në fruta dhe perime, çka e bën ushqimin dhe pijet një burim të madh të ekspozimit ndaj pesticideve. Ekspozimi në këtë formë është në nivele të ulta por fakti që është i vazhdueshëm e bën problematik.

Kjo situatë tashmë është bërë edhe më problematike për shkak të globalizimit të tregtisë ushqimore që sjell përdorim më të madh të pesticideve në produktet ushqimore në mënyrë që të ketë më shumë prodhim për eksport si dhe që ushqimet të rezistojnë më shumë gjatë transportit. Një numër i konsiderueshëm studimesh kanë treguar që fëmijët që kanë një dietë ushqimore organike kanë nivele më të ulta pesticidesh në trupin e tyre.

Ekspozimi në shtëpi, shkollë dhe mjedise publike

Ekspozimi ndaj pesticideve është përgjithësisht i lartë kur këto substanca përdoren në shtëpi, kopshte, shkolla, parqe si dhe disinfektime publike kundër mushkonjave.

Kur pesticidet përdoren në mjedise të mbyllura ato rezistojnë më gjatë dhe situata bëhet edhe më problematike pasi fëmijët me sjelljet e tyre tipike si zvarritjet, lojërat dhe vendosja në gojë e objekteve të ndryshme rrisin mundësinë e ekspozimit ndaj këtyre substancave.

Problemet në sjellje dhe në zhvillimin mendor

Ekspozimi qoftë dhe ndaj niveleve të ulta të pesticideve neurotoksike gjatë disa fazave kryesore të zhvillimit të fetusit mund të ndikojnë në strukturën dhe funksionin e trurit dhe sistemit nervor duke sjellë probleme të ndryshme. Këtu futen:

Autizmi – i cili është i lidhur me ndryshime në strukturën e trurit gjatë zhvillimit të fetusit. Ky çrregullim karakterizohet nga vështirësi në ndërveprimet shoqërore dhe sjellje përsëritëse tipike. Autizmi prek rreth 0.6% të popullsisë së botës.

ADHD – Në fëmijët me ADHD është prekur funksioni i trurit; ata shfaqin hiperaktivitet, sjellje impulsive dhe pamundësi për tu përqendruar. Fëmijët me këtë problem shpesh e kanë të vështirë të mësojnë. Është llogaritur se në rang botëror rreth 5.29% e popullsisë nën 18 vjeç vuan nga ky çrregullim.

Inteligjencë e ulët – Kërkimet kanë treguar që ekspozimi i fëmijëve ndaj disa pesticideve që në barkun e nënës sjell si pasojë probleme me memorien, arsyetimin, si dhe ul treguesin e inteligjencës (IQ).

Kanceri tek fëmijët

Një numër i madh kërkimesh e lidhin ekspozimin ndaj pesticideve me numrin gjithnjë e në rritje të rasteve me kancer në fëmijë. Me rrezik për tu prekur nga kjo sëmundje përbën ekspozimi ndaj pesticideve përpara konceptimit, gjatë 3 muajve të parë të shtatzanisë si dhe gjatë fëmijërisë. Më të rrezikuarit janë fëmijët të cilët jetojnë pranë fermave ku ka nivele të larta të përdorimit të pesticideve.

Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.

Print