• Kreu
  • Shendet
  • Ndotja nga hidrokarburet në Zharëz, shtohen rastet me sëmundje kronike të mushkërive

Ndotja nga hidrokarburet në Zharëz, shtohen rastet me sëmundje kronike të mushkërive

Ndotja e krijuar prej dekadash si pasojë e aktivitetit të kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve ka shkaktuar sëmundje kronike të llojeve të ndryshme në zonën e Zharëzës të Bashkisë së Patosit dhe në fshatrat e tjerë që gjenden në territorin e fushës naftëmbajtëse të Patos-Marinzës. Ajri i ndotur nga çlirimet e gazrave toksikë, ujërat sipërfaqësorë e ata nëntokësorë të ndotur nga nafta bruto, kanë shkaktuar dhe vazhdojnë të krijojnë dëme serioze në shëndetin e mijëra banorëve të fshatit të Zharëzës, Sheqishtes, Belinës dhe Marinzës.

Sipas të dhënave të siguruara nga gazeta “Shëndet +”, sëmundje si astma bronkiale apo sëmundja pulmonare obstruktive kronike janë kthyer në patologji kronike për banorët e Zharëzës e të Marinzës, ndërsa nga emfizema pulmonare, fibroza pulmonare dhe kanceri i mushkërive kanë shënuar rritje gjatë viteve të fundit.

Të dhënat

Sipas të dhënave statistikore të Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik Fier, të siguruara nga gazeta “Shëndeti +”, në vitin 2014 janë konstatuar të vuajnë nga astma bronkiale gjithsej 38 persona nga të cilët 22 femra dhe 16 meshkuj; nga sëmundja pulmonare obstruktive kronike 40 persona, 17 femra dhe 23 meshkuj, nga sëmundja e emfizemës dhe fibrozës pulmonare një femër e një mashkull dhe nga kanceri i mushkërive 3 persona. Gjatë po atij viti, në fshatin Marinzës janë konstatuar të vuajnë nga astma bronkiale gjithsej 7 persona, nga sëmundja pulmonare obstruktive kronike 6 persona, nga sëmundja e emfizemës dhe fibrozës pulmonare një person dhe nga kanceri i mushkërive një tjetër. Ajo që pasqyrohet nga të dhënat statistikore të Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik për vitet 2012, 2013 dhe 2014, është fakti se sëmundshmëria e llojeve të sipërcituara tek banorët e zonave naftëmbajtëse ka shënuar rritje të vazhdueshme. Kjo, jo vetëm për sëmundjet kronike, por edhe për sëmundjet e rënda dhe vdekjeprurëse siç është edhe kanceri i mushkërive. Ndërkohë, pavarësisht interesimit pranë qendrës shëndetësore Zharëz dhe DRSHP Fier për të dhënat statistikore të viteve 2015 dhe 2016, këto institucione nuk kanë servirur informacione me shpjegimin se edhe për tre vitet e mëparshme të dhënat janë mbajtur në kuadër të një projekti specifik.

Mungesa e masave

Por, pavarësisht këtyre konstatimeve, institucionet shtetërore të cilat kanë si detyrë të kujdesen për shëndetin e qytetarëve, rezulton se e kanë pasur të pamundur të marrin masa për përmirësimin e situatës mjedisore dhe të shëndetit të njerëzve që, sipas të dhënave, sa vjen dhe përkeqësohet në zonën e Zharrëzës dhe në fshatrat përreth. Mjekët e qendrave shëndetësore që ndodhen në këto fshatra, në kushtet e anonimatit janë shprehur se astma bronkiale është mjaft e përhapur edhe tek fëmijët që në moshë të hershme. Sipas mjekëve, ka mjaft banorë që vuajnë nga fenolet dhe karboni një gjak, por nuk ekzistojnë të dhëna zyrtare, pasi analizat për konstatimin e këtyre lëndëve toksike nuk kryhen në laboratorët shtetërorë. Mjekët e këtyre qendrave shëndetësore shprehen se, edhe pse në mjaft raste pacientët ankohen për simptoma që dyshohet se shkaktohen nga prania e karbonit dhe fenoleve në gjak, e kanë të pamundur të rekomandojnë kryerjen e analizave, pasi ato mundësohen vetëm në laboratorë privatë. Ata shtojnë se në këto zona naftëmbajtëse do të kishte qenë e nevojshme që në check-up të ishte përfshirë edhe depistimi i popullatës lidhur me fenolet dhe karbonin në gjak. Ndërkohë, nga interesimi i gazetës “Shëndeti +” pranë laboratorëve privatë në qytetin e Fierit, është mësuar se ka me dhjetëra raste kur banorë të zonave naftëmbajtëse kanë shkuar të kryejnë analizat për fenolet dhe karbonin në gjak. Edhe pse dyshohet se ndotja e krijuar nga aktiviteti i nxjerrjes së naftës mund të jetë faktori kryesor që ka shkaktuar sëmundjet e ndryshme të mushkërive dhe ato kardiovaskulare, institucionet përkatëse nuk kanë arritur dot ta provojnë një gjë të tillë shkencërisht.

Banorët e Zharëzës ankohen se vuajnë nga karboni në gjak, mushkëritë dhe se përjetojnë plogështi çdo ditë

Banorët: Ndotja po na dëmton shëndetin

Shtëpia e Hajdar Banos, një banori të Zharëzës, ndodhet vetëm pak metra larg përroit të fshatit. Ai ankohet se ndotja që shkaktohet nga gazrat e çliruara prej mbetjeve të hidrokarbureve që derdhen në përrua dhe sjellin përkeqësim të cilësisë së jetës dhe sëmundje.

“Këtu ndotje është e tëra… . Shkarkimet e depove që bëhen natën shkaktojnë aromë të rëndë, nëse ngrihesh në orën 4 të mëngjesit, bllokohesh. Gjysma e fshatit janë me karbon në gjak. Ka edhe shumë persona që vuajnë nga astma si pasojë e ndotjes”, tregon Hajdari.

Teksa ecën nëpër Zharëz dikton lehtë grupet e puseve të naftës që gjenden vetëm disa metra larg shtëpive. Aroma e rëndë e gazit që çlirohet nga mbetjet e hirdokabureve që kanë krijuar pellgje të shumta në tokë, ndihet ngado. Pranë puseve gjenden edhe parcelat e tokës bujqësore të kultivuara nga fermerët, të cilët ankohen se kur ka reshje, nafta përmbyt tokat e tyre. Banorët e këtij fshati janë të detyruar të bashkëjetojnë me këto puse, që pavarësisht se nxjerrin nga nëntoka një pasuri të madhe, ajo ç’kanë “përfituar” qytetarët janë vetëm sëmundjet dhe ndotjet e tejshkajshme të ajrit, ujërave sipërfaqësorë e nëntokësorë dhe të tokave bujqësore.

E teksa puset e kompanisë së vetme shtetërore të nxjerrjes së naftës, “Albpetrol-it”, vazhdojnë të punojnë e të nxjerrin të ardhura për buxhetin e shtetit, askush nuk kujdeset që të përmirësojë ambientin ku jetojnë banorët e Zharëzës.

Një fqinj i Hajdarit, Bashkim Braçe, i cili tregon se dikur ka punuar në sektorin e naftës, vuan prej vitesh nga mushkëritë. Ai shpreh pakënaqësinë e tij për mosfunksionimin e institucioneve dhe mosmarrjen e masave për përmirësimin e ambientit. “Kemi shumë pakënaqësi nga të gjitha instancat, kushdo qofshin ato. Ambjenti është shumë problematik. Stacionin e depozitave të naftës e kemi aty pranë. Në përrua derdhen ndotje të zeza. Këtu njerëzit janë mbi 70% të sëmurë nga ajri dhe gazi. Unë jam i sëmurë, jam djegur në punë, por mendoj se ka të bëjë edhe ambienti, ajri dhe gazi. Vuaj nga mushkëritë, nga ‘Broshiti Azmatik’. Unë në vitet ‘90 jam djegur në punë dhe ambienti dhe gazrat më sëmurën. Tani shkoj çdo dy javë që kurohem në Tiranë. Këtu nuk ka shërbim. Një herë kam pasur gruan me hemorragji të brendshme dhe këtu në Fier nuk bënë asgjë. Ne i kemi të gjithë njerëzit me karbon në gjak. Nuk mbushemi dot me frymë, nuk rrimë dot jashtë. Nëse vjen këtu në orën pesë të mëngjesit, është ambient shumë i rënduar, është e tmerrshme, nuk merr dot frymë fare. Shto edhe pluhurat dhe makinat e tonazhit të rëndë, autobotet kur kalojnë vijnë erë shumë e rëndë”, pohon Bashkimi.

Një tjetër banore e zonës, Fatbardha Bani tregon se ajo, fëmijët dhe bashkëshorti vuajnë nga karboni në gjak. Ajo sqaron se e ka pasur të shtruar të shoqin dhe se gjithë shpenzimet i kanë paguar vetë, pasi shteti dhe mjekët nuk i kanë ndihmuar.

Të njëjtin qëndrim mbajnë edhe Manushe e Bajame Bani, të cilat shpjegojnë se në Zharrëz ambienti është shumë i ndotur nga gazi dhe se kanë plogështi të përhershme.

“Pas orës 9 vjen një gaz shumë helmues. Edhe fëmijëve u prihen gjunjët, kanë të vjella, marrje mendsh, të tëra pasojat. Kemi prerje gjunjësh, dhimbje koke dhe nuk kemi fuqi që të lëvizim”, pohon Bajame Bani.

Ndërsa e moshuara Manushe Bani ankohet se vuan nga diabeti, por se ajri i ndotur e përkeqëson gjendjen e saj shëndetësore dhe nuk e lejon as të kryejë ecje në ambient të hapur. Për të njëjtat simptoma ankohet edhe Dallëndyshe Bano, shtëpia e së cilës është pak metra larg një pusi nafte.

“Siç e shikoni, shtëpia është shumë afër. Ndotja është shumë e keqe, sidomos në mëngjes dhe në darkë. Nuk guxon qoftë edhe për të dalë për të pirë një kafe jashtë. Është shumë, shumë, shumë e ndotur. Kemi marrje mendsh, prerje gjunjësh, kemi kollitje. Ne kësaj ja hedhim, pasi dihet që nafta mbyt. Me karbon në gjak ka shumë persona. Mendoj se sëmundjet e gjakut e të mushkërive vijnë nga ndotja”, përfundon ajo.

Pavarësisht se banorët e Zharrëzës jetojnë 24 orë të çdo dite të jetës së tyre pranë puseve të naftës, ata nuk marrin asnjë trajtim nga shteti në formën e antidotit.

Ndotja dhe sëmundjet e shkaktuara nga aktiviteti i nxjerrjes së naftës nuk janë të vetmet ankesa të banorëve të Zharrëzës. Lëkundjet e herëpashershme të tokës, që dyshohet se janë shkaktuar nga kompanitë naftënxjerrëse, ka sjellë si pasojë edhe dëmtimin e çdo banese në këtë zonë, prej të cilave 70 janë vlerësuar si të pabanueshme.

Të dhënat statistikore: Qendra Shëndetësore Zharëz

Astma bronkiale

2012 , 18 femra dhe 14 meshkuj, në total 32 të sëmurë
2013 , 20 femra dhe 14 meshkuj, në total 34 të sëmurë
2014, 22 femra dhe 16 meshkuj, në total 38 të sëmurë

Sëmundja Pulmonare obstruktive Kronike (SPOK)

2012, 14 femra dhe 17 meshkuj, në total 31 të sëmurë
2013, 14 femra dhe 19 meshkuj, në total 33 të sëmurë
2014, 17 femra dhe 23 meshkuj, në total 40 të sëmurë

Emfizema dhe fibroza pulmonare

2012 – 1 femër e sëmurë
2013 – 1 femër e sëmurë
2014 – 1 femër dhe një mashkull i sëmurë, në total 2 të sëmurë

Kanceri i mushkërive

2012 – 1 femër dhe 2 meshkuj, në total 3 të sëmurë
2013 -1 femër dhe një mashkull, në total 2 të sëmurë
2014 – 1 femër dhe dy meshkuj, në total 3 të sëmurë

Sëmundshmëria pulmonare kronike në fshatin Marinëz Q.SH. Kuman Fier me nr. banorë 2310.

Astma bronkiale

2012 – 5 të sëmurë
2013 – 5 të sëmurë
2014 – 7 të sëmurë

Sëmundja Pulmonare Obstruktive Kronike

2012 – 2 të sëmurë
2013 – 4 të sëmurë
2014 – 6 të sëmurë

Emfizema dhe fibroza pulmonare

2012 – të sëmurë
2013 – të sëmurë
2014 – 1 të sëmurë

Kanceri i mushkërive

2012 – të sëmurë
2013 – të sëmurë
2014 – 1 i sëmurë

Print