• Kreu
  • Shendet
  • Vargmali i ndotjeve në Elbasan, përgjegjësit luajnë pingpong! Nga sëmundjet e frymarrjes tek ndotja që po i merr jetën banorëve

Vargmali i ndotjeve në Elbasan, përgjegjësit luajnë pingpong! Nga sëmundjet e frymarrjes tek ndotja që po i merr jetën banorëve

Manushaqe Sejati ka 36 vjet që jeton në Bradashesh të Elbasanit. Me agimin e çdo dite rendi i saj i punës është i diktuar nga pasojat me të cilat përballet çdo ditë nga jeta në afërsi të fabrikës që prodhon çelik. “Çdo mëngjes duhet të pastrojmë dritaret, parmakët dhe gjithçka tjetër jashtë banesës, pasi mbulohen nga pluhuri. Natën, fabrikat e Metalurgjikut punojnë më tepër. Nuk vendosin në punë filtrat që pastrojnë tymin. Toka nuk prodhon asgjë prej ndotjes”, – thotë ajo e shqetësuar.

Edhe Albert Çela, një tjetër banor që jeton në një distancë jo larg kombinatit, e konsideron jetën pranë kësaj industrie si një fatkeqësi. Ai madje shkon më tej, kur kujton disa nga rastet kur ka pasur mutacione gjenetike në zonë, për të cilat banorët besojnë se vijnë nga ndotja e madhe e ambientit. “S’kanë të numëruar rastet kur njerëzit dhe kafshët lindin me shumë apo me pak gjymtyrë. Mbetjet industriale janë kudo, në tokat tona dhe në lumin Shkumbin”, – tregon banori. Problemet që banorët e zonës tregojnë janë të pafundme dhe në rrëfimet e tyre ndihet qartë irritimi që vjen si pasojë e një situate, e cila vazhdon prej dekadash dhe për të cilën asnjëherë nuk ka patur një zgjidhje përfundimtare.

Shqetësimet për ta kanë lindur që me ndërtimin e Kombinatit Metalurgjik përgjatë viteve `70-të, në një kohë kur vijimi i kësaj industrie ka rezultuar gjithmonë e më shumë problematik për jetët e tyre. Kompani të huaja dhe vendase bënë privatizimin e disa prej fabrikave, ku nisën ta instalojnë aktivitetin e tyre jashtë çdo kontrolli serioz. Ndotja, Elbasani Më I Prekuri Nga Sëmundjet E Frymëmarrjes Banorët e zonës së Bradasheshit në Elbasan dhe ata të zonave përreth Kombinatit Metalurgjik tregojnë se ajri i ndotur po i merr frymën çdo ditë, në një kohë kur mjekët e konsiderojnë Elbasanin si më problematikun sa i përket sëmundjeve që lidhen me frymëmarrjen.

Sipas të dhënave që Laboratori i Gazetarisë Investigative siguroi nga qendra spitalore universitare “Nënë Tereza”, QSUT, gjatë viteve të fundit Elbasani ka zënë vendin e parë për sëmundjet kronike të aparatit respirator dhe ka kryesuar listën për vdekjet e shkaktuara nga bronkiti kronik, bronkektazi, emfizema polmonare dhe astma. Më tej, konkluzionet e QSUT-së theksojnë se ky qytet zë vendin e dytë për sëmundjet gastrointestinale dhe vendin e parë për lindjet e parakohshme dhe ato me deformime. Laboratori e vëzhgoi nga afër gjendjen e ndotjes së ajrit në zonë, ku monitoroi përgjatë 24 orëve aktivitetin e kompanive. Me sy të lirë konstatohej lehtësisht se sasia e tymit që çlirohej prej fabrikave në mesnatë apo në orët e para të mëngjesit, ishte më e lartë se gjatë ditës. Gjatë agimit qielli nxihej nga shtëllungat e zeza, të cilat dilnin nga oxhakët e industrive që operojnë në zonë.

Ndotja e ajrit në Elbasan dokumentohet në mënyrë periodike edhe nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Në raportin e fundit vjetor të kësaj agjencie theksohet se gjatë vitit 2015 Elbasani është përkrah Tiranës si një nga qytetet më të ndotura në Shqipëri sa i përket cilësisë së ajrit urban dhe përmbajtjes në të të metaleve. Deri tani nuk ka një strategji të mirëcaktuar për ta reduktuar këtë ndotje të konstatuar.

Vargmalet E Mbetjeve, Të Palëvizura, Pavarësisht Premtimeve

Për Manushaqen, Albertin dhe banorët e tjerë të zonës afër Kombinatit Metalurgjik, grumbujt e mëdhenj të skorieve si pasojë e ndotjes industriale janë një tjetër problem shqetësues. Aktualisht, në afërsi të fabrikave dhe buzë lumit Shkumbin janë krijuar vargmale me skorie të palëvizura prej dekadash. Kamionët e mbushur me skorie dhe mbetje të tjera që dalin nga fabrikat, vazhdojnë të derdhin ngarkesat e tyre pranë brigjeve të lumit Shkumbin. Ato llogariten të jenë me mijëra tonelata dhe me sy të lirë mund të përllogarisësh grumbuj që shkojnë deri në 250 metra gjatësi dhe 15 metra lartësi.

Depozitimi i mbetjeve në natyrë ka nisur që përpara vitit 1990, kur të gjitha industritë ishin shtetërore dhe vijon deri më sot të kryhet nga kompanitë që kanë ngritur aktivitetin rreth zonës. Pritej që përmes një urdhri të lëshuar në vitin 2015, Inspektorati i Mjedisit dhe Pyjeve duhet të kishte vendosur nën kontroll akomodimin e tyre. Ndërkohë, gjendja në terren dëshmon tjetër gjë. Laboratori pa nga afër zonën në tërësi, ku të vetmit persona që marrin pjesë në pakësimin e mbetjeve janë punëtorët e skrapit që gërmojnë për të gjetur dhe shitur ndonjë copëz metal të papërtypur nga fabrikat.

Eksperti i mjedisit, Ahmet Mehmeti, njëkohësisht anëtar i Këshillit Bashkiak, Elbasan, i tha Laboratorit se aktualisht vijon hedhja e mbetjeve jashtë çdo lloj kontrolli pranë brigjeve të Shkumbinit. “Mbetjet industriale vazhdojnë të hidhen me të njëjtin ritëm. Në përbërje të tyre ka metale të rënda si kromi, zhiva, plumbi etj. Deri tani nuk është bërë asnjë ndërhyrje. Ndotja e lumit Shkumbin i çon pasojat përtej Elbasanit. Rrjedha e tij përplaset buzë vargmaleve me skorie. Duke qenë buzë lumit ato shkojnë te gjallesat nënujore, te bimët dhe më pas përfundojnë te njerëzit”, – thotë Mehmeti.

Ndërkohë, ambientalisti Lavdosh Ferruni e sheh me skepticizëm mënyrën e sistemimit të mbetjeve industriale, teksa jep sugjerimet e tij për menaxhimin e tyre. “Hedhja e tyre në ambient të hapur është me pasoja të rënda për mjedisin. Shirat e rënë ndotin ujin, tokën dhe pas tyre prodhimet bujqësore. Duhet krijuar një landfill i posaçëm”, – tha Ferruni për Laboratorin.

E pyetur nga Laboratori për një plan menaxhimi, Ministria e Mjedisit thotë se përgjegjësia për zhvendosjen e mbetjeve nuk është e tyre, por e pushtetit vendor. “Menaxhimi i integruar i mbetjeve është detyrim ligjor i pushtetit vendor. Duke qenë se mbetjet janë depozituar nga operatorë të ndryshëm, përgjegjësia kryesore është e operatorëve industrialë që kanë gjeneruar këto mbetje, sipas parimit “Ndotësi paguan”, – thotë Ministria e Mjedisit.

Pas kësaj përgjigjeje Laboratori kontaktoi Bashkinë e Elbasanit, e cila përgjegjësinë e drejtoi te një tjetër institucion. “Kompanitë e huaja dhe vendase që ushtrojnë aktivitetin privat në zonën industriale të ish-Metalurgjikut, varen direkt nga Ministria e Ekonomisë. Kjo nënkupton, edhe territorin e tyre, edhe godinat në këtë vartësi vertikale. Edhe për derivatet e tyre, si dhe mbetjet teknologjike, kompetenca dhe përgjegjësia është e kësaj ministrie dhe jo e Bashkisë së Elbasanit”, – komunikon bashkia.

Më tej Laboratori iu drejtua Ministrisë së Ekonomisë, e cila dha një përgjigje të prerë duke thënë se nuk kanë asnjë kompetencë lidhur me këto kompani. Ajo thotë se përgjegjëse për gjendjen është Ministria e Energjitikës dhe Industrisë. Edhe në këtë rast detyrimi për llogaridhënie iu kalua një tjetër institucioni.

Laboratori iu drejtua Ministrisë së Energjitikës dhe Industrisë, e cila tha se nuk ka asnjë kompetencë lidhur me çështjen e mbetjeve që prodhojnë kompanitë private. “Sa i përket mbetjeve industriale nga ndërmarrjet private që ushtrojnë aktivitet aktualisht në territorin e Metalurgjikut, ju bëjmë me dije se problematikat e mbetjeve ndiqen nga autoritete në varësi të Ministrisë së Mjedisit duke vendosur detyrime me marrjen e lejes mjedisore për ushtrimin e aktivitetit të tyre. Monitorohen nga këto autoritete në vazhdimësi, duke patur në konsideratë zbatimin e legjislacionit në fuqi për mbetjet, sipas të cilit “Ndotësi paguan”, – nënvizon ministria.

Pavarësisht pingpongut institucional, Agjencia Rajonale e Mjedisit, Elbasan i tha se nuk ka ende ndonjë plan konkret për menaxhimin e mbetjeve industriale. “Nuk ka ndonjë plan apo ndonjë gjë konkrete për sistemimin e grumbujve të skorieve. Ekziston mundësia që ato t’i marrë të gjitha lumi Shkumbin, madje sot edhe uji i tij mund të jetë i ndotur. Zona përreth Metalurgjikut është e rrezikuar, pasi gjithmonë kështu ka qenë”, – tha drejtori i agjencisë, Lutfi Gjinishi. Laboratori kontaktoi edhe Inspektoratin e Mjedisit dhe Pyjeve, Elbasan. Kryeinspektori në detyrë, Gazmend Sadiku, tha se problemi i mbetjeve është i hershëm. “Nuk e di, s’kam qenë në terren që të them ka rrezik apo nuk ka rrezik për banorët. Problemi i mbetjeve nuk është i sotshmi, por ka vite që ekziston. Deri tani nuk kemi pasur ankesa nga banorët. Sa i përket shkallës që ka arritur ndotja, nuk kam informacion, nuk di çfarë të them”, – tha Sadiku.

Laboratori kontaktoi për këtë shqetësim edhe kompaninë e shkrirjes së metaleve dhe prodhimit të çelikut, Kurum, që njihet si një prej më aktiveve në zonën e Metalurgjikut. Emri i kësaj kompanie u lakua si problematik për ndotjen në zonë nga pjesa më e madhe e personave që Laboratori intervistoi. Përfaqësuesit e kompanisë Kurum gjithsesi thanë se nuk depozitojnë skorie buzë lumit Shkumbin, por kanë krijuar një hapësirë të posaçme për këtë qëllim. “Duhet thënë se mbetjet e prodhuara nga aktiviteti ynë janë mbetje jo të rrezikshme, siç janë mbetjet e skorieve dhe okalina. Këto mbetje aktualisht i dërgojmë në Gjermani. Ne prodhojmë rreth 45.000-48.000 tonë skorie çdo vit”, – deklaron kompania turke.

Por, pavarësisht shfaqësimit të institucioneve shtetërore dhe kompanive që operojnë në zonë, vargmalet e mbetejeve industriale qëndrojnë në vend, të palëkundura, duke u zmadhuar çdo ditë e më shumë, ashtu si edhe dështimi i të gjithëve për t’iu siguar një jetë normale banorëve të kësaj zone.

Shënim: Gazetarët kanë monitoruar për harkun kohor 2017-2018 zonën e Bradasheshit duke arkivuar dëshmi, prononcime dhe intervista në kohë të ndryshme.

Print