• Kreu
  • Shendet
  • 3 rrjetet e supermarketeve të mëdha të Ukrainës vijnë në Shqipëri! “Inspektim” në 20 kompani shqiptare

3 rrjetet e supermarketeve të mëdha të Ukrainës vijnë në Shqipëri! “Inspektim” në 20 kompani shqiptare

Një delegacion me përfaqësues të tre rrjeteve të supermarketeve, ndër të mëdhatë e të fuqishmet në Ukrainë ATB (914 dyqane në 22 rajone) Varus (64 dyqane) e BOOM (6 supermarket e 2 dyqane), do të vizitojnë Shqipërinë në ditët në vijim.

Në datën 9 mars, delegacioni do të vizitojë “Food and Drink Festival” në Expocity, ku edhe do të takohet me ministrin e Bujqësisë Niko Peleshi. Më pas, delegacioni ukrainas do të vizitojë mbi 20 kompani në të gjithë Shqipërinë, të sektorit të fruta – perimeve, ullirit, vajit të ullirit, bimëve medicinale, verës dhe lëngjeve të frutave etj., në mënyrë që të vendosen kontakte të drejtëpërdrejta biznesi e bashkëpunimi me rrjetet e supermarketeve ukrainase.

“Vizita e përfaqësuesve të rrjeteve të supermarketeve lidhet drejtëpërdrejtë me promovimin e produkteve agro-ushqimore shqiptare. Ndaj edhe është një event i rëndësishëm për kompanitë që duan të zgjerojnë eksportet e tyre, dhe veçanërisht në Ukrainë, një treg potencial prej 44 milion banorësh” njofton Qendra Shqiptare e Eksporteve.

Shqipëria gjithashtu ka potencial të madh për eksport në Ukrainë të frutave, perimeve, ullinjve, vajit të ullirit, verës, djathit të dhisë dhe bimëve aromatike medicinale.

“Ky është një potencial i madh, por ende i pazbuluar në Ukrainë. Vetëm gjatë vitit 2016, Ukraina ka importuar nga vende të tjera të botës perime në vlerë prej 43 353 000 dhe vetëm rreth 80 000 dollarë nga Shqipëria, ndërsa importi i ullirit ka qenë në vlerën 41 752 000 dollarë nga vende të tjera të botës, nga Shqipëria pothuajse zero. Ne besojmë që kjo vizita e delegacionit të Ukrainës do të hapë perspektiva të reja për eksportin e produkteve shqiptare në Ukrainë” përfundon deklarata.

Print