• Kreu
  • Shendet
  • Naftë në tokat bujqësore, ndotja prek frutat e perimet

Naftë në tokat bujqësore, ndotja prek frutat e perimet

Rafineria e përpunimit të naftës bruto në Balldren të Elbasanit vazhdon të jetë problem më i madh i ndotjes së kësaj zone. Ujërat e ndotur të naftës dhe nënprodukteve të saj derdhen në kanalet vaditëse duke shkaktuar një ndotje katastrofike që shkon përtej Balldrenit dhe Bradasheshit në Elbasan, por përmes frutave dhe perimeve përhapet kudo.

Duke iu referuar nenit 203 të Kodit Penal, në 21 prill Policia e Elbasanit referoi në prokurori materialet për këtë subjekt i cili, siç thekson policia në komunikatën e saj zyrtare, mbetjet toksike i shkarkon në natyrë duke ndotur ambjentin dhe ujërat në përroin e fshatit Balldren.

Top Channel u interesua në Prokurorinë e Elbasanit lidhur me vijimin e hetimeve, në një kohë kur gjendja të terren, në prag të sezonit të vaditjes, është katastrofike, por prokuroria sapo ka nisur verifikimet.

Edhe pse Rafineria e Elbasanit funksionon tashmë prej gati dy vitesh, askush nuk përgjigjet se si ajo mundi të marrë lejen mjedisore në kushte të tilla funksionimi, ndërsa në një dalje publike në 24 Prill, Ministri Klosi u la afat deri në 1 Qershor, kompanive që shkarkojnë ujëra të ndotura, për vendosjen e depuratorëve.

Print