Mjedis i pastër – Jetë më e shëndetshme!

Në datë 15 Prill 2016, zyra e Programit për Decentralizim dhe Zhvillim Vendor (dldp) në kuadër të programeve mbështetëse për Bashkinë Shijak organizoi një vizitë të Z. Cristoph Graf Ambasador i Zvicres në Shqipëri. Në takimin e hapur publik të organizuar në qendrën kulturore të qytetit për prezantimin e punës së bërë për strategjinë e zhvillimit të territorit, Z. Cristoph Graf dhe Kryetari i Bashkise Z. Ardian Kokomani diskutuan mbi nevojat dhe problematikat që bashkia e Shijakut ka në kuadër dhe të ndarjes së re administrative.

Drejtimet e zhvillimit të bashkisë dhe projektet e identifikuara nga programi i zonave funksionale zgjuan interes tek të pranishmit, banorë dhë përfaqësues të grupeve të ndryshme të interest. Gjatë takimit u prezantua dhe ecuria e deritanishme me Planin e Integruar te Menaxhimit te Mbetjeve Urbane që po zbatohet nga Milieukontakt Shqipëri në bashkëpunim me Bashkinë Shijak dhe mbështetje nga dldp. Ky plan synon:

* Mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët.

* Funksionimin e një skeme efektive të sistemit për menaxhimin e mbetjeve

* Promovimin e përqasjes gjithëpërfshirëse si një nga treguesit e mirëqeverisjes dhe demokracisë.

* Rritjen e ndërgjegjësimit të komunitetit

Në takim u prezantuan gjithashtu rezultatet e pyetesorit të zhvilluar me 200 familjet dhe 60 bizneset për shërbimin e ofruar nga Bashkia në fushën e mbetjeve, mbi pagesën dhe tarifën e shërbimit dhe rreth informimit dhe komunikimit të ndërsjellë.

Në programin e vizitës së Ambasadorit ishte planifikuar një takim me nxënësit e shkollës 9-vjecare “Kuvajt” në fshatin Ardhisht. Milieukontakt së bashku me nxënësit e klasave të 7 dhe të 8 organizuan një aktivitet pastrimi përreth oborrit të shkollës. Një numër rreth 50 nxenësish të pajisur me doreza dhe bluza, nën kujdesin e mësuesve dhe stafit të Milieukontakt, u shpërndanë në të gjithë hapsirën përreth shkollës për të mbledhur mbeturinat.

Nxënësit u angazhuan gjatë gjithë javës për të krijuar postera dhe mesazhe sensibilizuese për mjedisin. Disa prej mesazheve ishin: Mjedisi jeta jonë mbrojeni atë; Ti themi stop nje mjedisi të ndotur; Natyra është jeta jonë; Mbeturinat janë armiqtë e një mjedisi të pastër! Nxënësit ishin shumë aktiv dhe zhvilluan një diskutim me Ambasadorin duke i prezantuar atij mesazhet por edhe duke i kërkuar bashkisë dhe aktorëve të tjerë më shumë vëmendje dhe nisma për reduktimin e mbetjeve.

Milieukontakt i dhuroi shkollës për ambjentet e jashtme dy kosha të rinj për të bërë të mundur edukimin e fëmijëve për të pasur një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm. Pas përfundimit të aktivitetit të gjitha qeset e mbushura me mbeturina u mblodhën nga kompania e pastrimit që mbulon territorin e Bashkisë Shijak. Gjithashtu mes kompanisë së pastrimit dhe shkollës u be një marrëveshje e cila do të bëj të mundur që shkolla të grumbullojë të gjitha mbetjet në një vend dhe kompania e pastrimit do ti furnizojë me bazë materiale dhe do të mundësojë tërheqjen e mbeturinave.

Ky aktivitet kishte për qëllim sensibilizimin e brezit të ri për të mbajtur pastër ambjentin ku jetojnë dhe u mendua të organizohet gjatë kësaj jave për t’ju bashkuar aktiviteteve të tjera nëpër botë në kuadër të 22 prillit - Ditës Ndërkombëtare të Tokës. Qëllimi i kësaj dite është të rrisë ndërgjegjësimin dhe sensibilizojë opionin publik, vendimarrësit, aktorët mjedisore, etj, për veprime për mbrojtjen e mjedisit.

Print