Java Evropiane e Lëvizshmërisë në Vlorë

Sot në Vlorë u kurorëzua Java Evropiane e Lëvizshmërisë, mbas një jave aktivitete me qytetarët, në partneritet të ngushtë me Bashkinë e qytetit, OSHC lokale, shkollarët etj. Aktivitetet kanë pasur qëllim informimin e qytetarëve për Javën Evropiane të Lëvizshmërisë, për ndikimin në ekonominë e tyre të lëvizjes alternative, për korsite e reja që u ndërtuan nga bashkia me rastin e këtij eventi në trotuaret e bulevardit Ismail Qemali, përdorimin e tyre nga qytetarët. Të rinjtë vullnetarë vlonjatë punuan sëbashku me punonjësit e bashkisë për vendosjen e sinjalistikës së nevojshme në korsitë e reja të biçikletave.

Përgjatë javës janë zhvilluar disa sesione informuese për të rinjtë shkollarë dhe OSHC-të e qytetit lidhur me eventin, gjithashtu janë shpërndarë kartolinat e aktivitetit të siguruara nga Ministria e Mjedisit. Në aktivitetin final të ditës së sotme morën pjesë drejtues të Bashkisë, Arsimit, OSHC, qytetarë përdorues të biçikletave që dhanë edhe këta mesazhin e tyre të veçantë për bashkëqytetarët.

Pas fjalës së rastit, nga korsia e re në Bulevardin e Vlorës nisën rrugëtimin mbi 200 biçikleta të organizuara për aktivitetin nga teatri Petro Marko për në Sheshin e Skelës.

Aktiviteti u realizua në kuadrin e programit ACHIEVE të zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri dhe financuar nga Bashkimi Evropian.

Print