Klosi: Në Shqipëri do të mbillen 3 milionë pemë nga vullnetarët

Forcat e Armatosura dhe 500 nxënës të arsimit profesional u bënë pjesë e fushatës së madhe të iniciuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për mbjelljen e 5000 mijë pemëve ditën e djeshme në Malin e Krujës. Aktiviteti “Të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”, u zgjodh të zhvillohet në ditën e Lumturimit të Nënë Terezës, për të promovuar vullnetarizmin e të rinjve dhe përfshirjen e të rinjve në fushatën kombëtare të gjelbërimit të Shqipërisë që MMSR ka nisur. Fushatës iu bashkuan edhe Forcat e Armatosura, duke nisur një bashkëpunim për gjelbërimin e vendit.

Duke iu përgjigjur interesimit të mediave të pranishme, ministrja Kodheli e konsideroi ditën e lumturimit të Nënë Terezës si momentin dhe ditën e duhur me njerëzit e duhur për të dhënë një mesazh për të gjithë brezin e ri, shqiptarët dhe Shqipërinë.

“Që ne të mund ta mbajmë vendin tonë më të pastër, mjedisin tonë më të begatë dhe me më shumë oksigjen, nuk mjafton vetëm gjaku i ri që jep oksigjen, por duhet dhe një punë konkrete. Dhe kush më mirë sesa shkollat profesionale dhe Forcat e Armatosura të Republikës të Shqipërisë me mbështetjen e jashtëzakonshme të komunitetit ndërkombëtar dhe më së shumti të biznesit, të mund të realizojmë një vepër unikale ne llojin e vet, pyllin me emrin e Nënë Terezës.

Nga ana e tij ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë z. Blendi Klosi nënvizoi veçantinë e kësaj dite ku siç tha ai “të rinjtë e arsimit profesional, së bashku me shumë djem të rinj nga ushtria shqiptare po mbjellin një pyll të tërë, që do ta pagëzojmë në mënyrë simbolike “Parku i Nënë Terezës.”

Ministri Klosi theksoi gjithashtu rëndësinë e kësaj fushate për mjedisin dhe qytetarët. “Është një aksion që është ndërmarrë për t’i shërbyer komunitetit. Arsimi profesional, ushtria, të rinjtë, do vazhdojnë me kontributin e tyre aty ku njerëzit kanë më shumë nevojë, aty ku kërkojnë më shumë ambient të shëndetshëm, mjedis dhe solidaritet. Do të vazhdojmë në të gjithë Shqipërinë t’i shërbejmë komunitetit, t’i shërbejmë të mirës së këtij vendi.

Sot 500 të rinj, do mbjellin 5000 pemë. Nesër mijëra e mijëra të rinj të tjerë, do mbjellin me miliona pemë në të gjithë Shqipërinë e mendoj se kështu i shërbejmë të mirës së Shqipërisë.”- tha z. Klosi. Në fund ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli dhe ai i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë z. Blendi Klosi zbuluan pllakatin me emrin e Parkut “Nënë Tereza”. Kjo fushatë synon mbjelljen e 3 milionë pemëve të reja në të gjithë Shqipërinë.

Print