Ambasadori Ndisi në Shkodër: Mjedisi, prioritet i mbështetjes suedeze në Shqipëri

Ambasadori i Suedisë në Shqipëri, Johan Ndisi ka filluar nga Shkodra, turin e tij të takimeve në bashkitë e Shqipërisë. Ai në mënyrë simbolike ka vendosur që në çdo qytet të hyjë me biçikletë. Ky tur çiklistik i tij dhe njëkohësisht prezantimi si i pari ambasador resident në Shqipëri, ka filluar në Shkodër, “qytetin e biçikletave” të Shqipërisë. Ambasadori Johan Ndisi është pritur në hyrje të qytetit të Shkodrës nga nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Dritan Meta, punonjës të Administratës së Bashkisë Shkodër dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile.

Të gjithë së bashku, kanë pedaluar drejt Bashkisë Shkodër, ku Johan Ndisi ka zhvilluar një takim me Kryetaren e Bashkisë, Voltana Ademi. Ademi i bëri një paraqitje të shkurtër burimeve dhe potencialeve për zhvillim të Bashkisë Shkodër. Biseda u përqendrua gjithashtu te puna njëvjeçare e bërë për ndërtimin e një administrate sipas një strukture të re që mbulon funksionet që tashmë kanë bashkitë e reja, hartimin me pjesëmarrje të dokumenteve të rëndësishme si Paketa Fiskale, Buxheti sipas Programeve, etj.

Historia e Bashkëpunimit me SIDA-n dhe mundësitë e shumta që ofron territori i larmishëm i Bashkisë Shkodër inkurajojnë bashkëpunimin dypalësh në projekte të turizmit, shërbimeve sociale etj. Duke folur për turin me biçikletë, Ambasadori Ndisi nënvizoi mundësinë për të mësuar më shumë për Shqipërinë. “Vizita me biçikletë nëpër Shqipëri është një mënyrë e shkëlqyer për të vizituar pjesë të ndryshme të vendit, për të folur me të rinjtë dhe njerëzit në përgjithësi. Gjithashtu është një mënyrë që unë të kuptoj më mirë rezultatet e bashkëpunimit tonë për zhvillim dhe të kuptoj se çfarë mund të bëjmë më mirë”, u shpreh Ambasadori Ndisi.

Po ashtu, ai vuri theksin tek ecja me biçikletë si një mjet transporti miqësor me ambientin, duke qenë se ambienti është një nga fushat prioritare të Suedisë për mbështetje.

Print