Projektligji, qeveria rikthen pas 10 vitesh Institutin e Hidrokarbureve

Qeveria ka çuar një projektligj të ri për hidrokarburet në Parlament, i cili ndër të tjerash rikthen pas 10 vitesh Institutin Shkencor të Hidrokarbureve. Ministria e Energjetikës në relacionin përkatës sqaron se Instituti do të funksionojë si institucion këshillimor i shtetit shqiptar për të gjitha problemet shkencore në fushën e hidrokarbureve. Po kështu jepen edhe detyrat që ky institucion do të kryejë, si: realizimi i studimeve, analizave, konsulencës, oponencës, monitorimi në interes të organeve dhe institucioneve shtetërore gjatë kryerjes së operacioneve hidrokarbure për kërkimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në territorin shqiptar si dhe në sektorët e përpunimit, transportimit, depozitimit e tregtimit të lëndëve dhe produkteve hidrokarbure.

Është përcaktuar se për realizimin detyrave të përcaktuara në këtë ligj, Instituti Shkencor i Hidrokarbureve administron të dhënat gjeologogjeofizike, teknike, ekonomike, duke realizuar ekskluzivitetin e pronësisë së shtetit mbi të dhënat që lidhen me veprimtaritë e kërkimit dhe të prodhimit të hidrokarbureve në Shqipëri, ato historike dhe të krijuara rishtas në sektorin e hidrokarbureve.

Sipas qeverisë, krijimi i strukturës së re vjen jo në kuptimin e rolit të tij për edukimin apo ndonjë qëllim tjetër të kësaj natyre, por vetëm në kuptimin e një strukture shkencore të mirëfilltë teknike për sektorin e hidrokarbureve, tashmë pas një periudhe mungese të tij prej 10 vitesh.

Gjithashtu projektligji ka përmirësuar disa klauzola të ligjit ekzistues që kanë të bëjnë me përcaktimin e procedurave që duhet të ndiqen për lidhjen e marrëveshjeve hidrokarbure për kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve, duke përfshirë si kusht edhe garantimin e sigurisë kombëtare në rastin e lidhjes apo transferimin e kuotave të marrëveshjes hidrokarbure, të cilat janë futur në bazë të koncepteve të direktivës 94/22/EC, të datës 30 maj 1994, “Për kushtet për dhënien dhe përdorimin e autorizimeve për zbulimin, kërkimin dhe prodhimin e hidrokarbureve”.

Është realizuar ndarja më e qartë e afateve kohore që përfshihen në periudhën e kërkimit me atë të vlerësimit të një zbulimi.

Po kështu, ka disa shtesa që lidhen me ndryshimin e konceptit të klauzolave të stabilitetit të regjimit fiskal, duke futur kufizueshmëri në kohë, e cila nuk duhet të tejkalojë afatin 12 vjet nga fillimi i prodhimit të hidrokarbureve dhe përjashtimin nga ky regjim të disa rasteve.

Shtesa janë bërë me qëllim angazhimin për ringritjen e Institutit Shkencor të Hidrokarbureve dhe ripërcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të Drejtorisë Hidrokarbure që aktualisht është pjesës përbërëse e AKBN-së, e lidhur ngushtë me ato të Institutit Shkencor të Hidrokarbureve.

Për të reflektuar konceptet e reja teknike të aktivitetit hidrokarbur, por edhe për të kuptuar dhe interpretuar më mirë ligjin në tërësi është ndryshuar neni i përkufizimeve.

Një objektiv i projektligjit të propozuar është edhe trajtimi i marrëdhënieve të pronësisë në të njëjtën mënyrë si dhe është trajtuar në ligjin për partneritetin publik dhe privat, duke ndryshuar nenin 10 të ligjit në fuqi. Janë bërë edhe disa saktësime të tjera që lidhen me nenin 12 të ligjit ekzistues për të reflektuar situatën aktuale të aktivitetit të shoqërisë “Albpetrol”, sh.a.

Për këtë shkak pritet rritja e interesimit të kompanive të huaja me reputacion ndërkombëtar për lidhjen e marrëveshjeve të reja hidrokarbure për kërkimin dhe prodhimin e naftës e të gazit në territorin e Republikës së Shqipërisë. Kjo, nisur edhe nga fakti se është e vërtetuar se nëntoka shqiptare është e pasur me struktura perspektive për naftë dhe gaz, duke përfshirë këtu edhe pjesën e detit të Shqipërisë./monitor

Print