Konsolidimi i tokës dhe zhvillimi rural e bujqësor

Modernizimi i shoqërisë rurale, mundëson përmirësimin rrënjësor të cilësisë së jetës së popullsisë rurale, ngushtimin e dallimeve rural–urbane në drejtim të shërbimeve, nivelit ekonomik, zhvillimit të komuniteteve rurale, por edhe të ndryshimeve të thella në zhvillimin e ekonomisë kombëtare. Bujqësia përbën bazën ekonomike për popullsinë rurale dhe shërben si një burim punësimi për 50% të forcave të afta për punë në shkallë vendi. Popullsia rurale është shumë më tepër e varur nga bujqësia se sa në shumicën e vendeve të Evropës.

Në të pasi aktualisht jeton rreth 47% e popullsisë së përgjithshme të vendit. Por cili është niveli i zhvillimit rural e bujqësor në vend? Sa e mbështetur është bujqësia për një zhvillim të qëndrueshëm, si është dinamika e rritjes ekonomike dhe uljes së varfërisë? Cilat probleme nuk presin për zgjidhje? Duhet thënë se diçka po bëhet në mbështetjen e fermerëve, për rehabilitimin e sistemit të kullimit, priten impakte pozitive nga ndarja e re territoriale dhe organizimi i institucioneve më afër fshatit. Por të mos harrojmë se bujqësia në periudhën e tranzicionit pësoi trauma të forta nisur me krimin ekonomik të dëmtimit të pronës, sistemeve të kullimit dhe ujitjes, pemtarisë dhe goditja që pësoi nga firmat piramidale, impakte që vazhdojnë të reflektojnë mungesë zhvillimi të qëndrueshëm. Fjala është që në këto kushte, bujqësia nuk mund të ngrejë kokën me punë e mbështetje të zakonshme, por me zgjidhjen e problemeve dhe pengesave të mëdha. Zhvillimi i bujqësisë, diversifikimi i ekonomisë rurale dhe rivitalizimi i zhvillimit rural përbën një bazë të sigurtë për rritje të shpejte ekonomike, zbutjen e varfërisë në zonat rurale dhe mbështetjen e ekonomisë kombetare.

Bujqësia, vazhdon të ulë kontributin e saj, për shkaqe që kanë të bëjnë me mbështetjen e ulët financiare, problemet e shumta të trashëguara e të pa zgjidhura dhe nevoja për prioritarizimin e objektivave. Faktorët kufizues të zhvillimit, prodhimit dhe të ardhurave e ulta nga bujqësia dhe të zhvillimit rural janë të njohura, por po veçoj 2-3 prej tyre, për të cilat as është vënë dorë dhe që kanë të bëjnë me një prespektivë afatgjatë të qëndrueshërisë rurale e bujqësore. Së pari, dallohet qartë si një pengese afatgjatë madhësia e fermës dhe fragmentimi tokës në shumë pika të pa kufizuara me njëra tjetrën. Në disa zona prona është shpërndarë deri në 10 vende. Pas 25 vjeteve të reformës së tokës, madhësia e fermës, pothuajse ka mbetur aty ku ishte, mesatarisht rreth 1.2 ha për fermë në shkallë vendi dhe në disa zona nën këtë madhësi. Fermat bujqësore të vogla, janë te pa afta për zhvillimin e prodhimit të madh, për të dalë në treg dhe shitjen e prodhimeve për eksport. Në tokat e fragmentuara kostoja e prodhimit, transportit, punimeve dhe imputeve të përdorura është vërtetuar se rritet 25-35 %. Fermat e vogla sigurojnë produkte kryesisht për nevojat e tyre familjare dhe pak produkte në treg. Problemet e fragmentimit të tokës dhe fermave të vogla, pothuajse i kanë kaluar të gjitha vendet, veçanërisht vendet e lindjes, por i kanë kapërcyer ato. Gjermania, që është një nga prodhuesit më të mëdhenj bujqësor të BE, nga 1.6 milion ferma në vitin 1950 në Gjermaninë perëndimore, në vitin 1990 u ulën në 630 mijë, duke rritur madhësinë dhe rentabilitetit e tyre. Nëse në vitin 1950, një fermer Gjerman ka prodhuar ushqim të mjaftushëm vetëm për 10 njerëz, në vitin 2004, ka prodhuar për të ushqyer 143 njerëz. Zmadhimi i fermës dhe konsolidimi i tokës, nëpërmjet financimit të projekteve, përbëjnë dy shtylla kryesore të suksesit në bujqësi dhe zhvillimin rural në Gjermani. Vetëm ne Landin e Bavarisë, shpenzohen për konsolidimin e tokës jo më pak se 200 milion Euro në vit.

Në kushtet e vendit tonë, tregu i tokës (shitblerja dhe qiradhënia) mbetet nga instrumentet kryesore të zmadhimit të fermës dhe konsolidimit të tokës, por i pa zhvilluar në funksion të konsolidimit, implementimi i projekteve për organizimin e territorit dhe pronës të bashkuar në një vend të vetëm. Nuk bëhet fjalë për projekte për të shkruar raporte, as për të bërë intervista, as për ndonjë workshop të thatë, por për të zbatuar në terren bashkimin e pronës së coptuar. Me mijra projekte janë duke u zbatuar në vendet e lindjes dhe të Evropës. Kooperimi mbetet një rrugë tjetër e rëndësishme dhe e mundeshme. Shembulli më i qartë gjendet në Xarë të Sarandës, një ekonomi moderne, e ngritur mbi bazën e vullentarizmit të banorëve për të punuar sëbashku për prodhimin, blerjen dhe tregtimin e prodhimit. Xara është aktualisht një model zhvillimi e drejtuar nga menaxheri i talentuar Dhimo Kote. Është një shembell që duhet të përgjithësohet në shkallë vendi. Është detyrë e Institucioneve përgjegjëse, Ministrisë së Zhvillimit Rural e bujqësor dhe bashkive të reja, që ta zbatojnë këtë përvojë. Ka vend që shumë financime nga projektet të drejtohen pikërisht në konsolidimin e tokës për bashkimin e pronës në një vend të vetëm, si një investim afatgjatë. Institucionet qëndrore, vendimarrësit dhe politikbërësit, është koha ta vleresojnë konsolidimin e tokës si çështje prioritare, si një zgjidhje afatgjatë e domosdoshme, pasi është pengesa kryesore e zhvillimit të bujqësisë dhe pa të cilën ndryshimi që duhet nuk mund të ndodhë. Nevoitet plotësimi i kuadrit ligjor, krijimi i ekipeve të eksperteve të kualifikuar, grumbullimi i informacionit, delegimi i kopetencave pushtetit vendor. Por konsolidimi i tokës mbetet iniciativë edhe e fermerëve për të punuar në grupe, me marrëveshje midis tyre dhe në forma të tjera. Konsolidimi i tokës dhe zmadhimi i fermave mund të shënojnë kthesën më të madhe të zhvillimit të bujqësisë dhe ekonomisë rurale, kufizimin e degradimit të tokës si pasojë migrimit të popullsisë drejt zonës urbane. Bujqësia është ndër sektorët që mund të ndryshojë më shpejt.

Problemi i dytë lidhet me zhvillimin e integruar në territorin rural nëpërmjet administrimit të përbashkët të gjithë burimeve të tokës bujqësore, pyjeve, kullotave, ujrave në konceptin e pellgut ujëmbledhës, për të përfituar të ardhura nga bujqesia, pyjet ( dru zjarri, lëndë druri, fruta pylli etj), kullotat, ujrat, bimët mjeksore, në ndryshim nga administrimi i veçuar që bëhet deri tani. Në nivel global rreth 1.6 milion njerëz e kanë të lidhur jetën e tyre me aktivitetin në pyje, 12 % e popullsisë të botës jeton në zonat malore. Pikërisht për këtë pyjet duhet të administrohen sa më afër pushtetit vendor dhe të bëhen burim i të ardhurave ekonomike. Administrimi në bazë të pellgut ujëmbledhës do të përmirësojë menaxhimin dhe rritjen e të ardhurave me diversifikimin e ekonomisë rurale në aktivitete jashtë bujqësisë, veçanërisht nga pyjet. Të ardhurat nga pyjet që sot nuk llogariten, mund të zënë 10-15% të të ardhurave totale nga bujqësia dhe do të sigurohet administrimi dhe mbrojtja. Menaxhimi unik i territorit lejon zhvillimin e turizmit, grumbullimin e bimëve mjekësore, promovimin e vlerave kulturore të zonave rurale, agroturizmit, shërbimet, pyllëzimet, punë mjeshtërie, përmiresimin e infrastruktures, industrisë agro-ushqimore etj.

Kur flitet për zhvillimin rural, nevojitet të bëhet një dallim i qartë me intensifikimin e bujqësisë e të prodhimit bujqësor, pasi shpesh konceptet rreth tyre barazohen. Zhvillimi rural është një instrument në përmirësimin e mirëqenies dhe standardit jetësor të banorëve të zonave rurale, dhe si i tillë siguron jo vetëm plotësimin e nevojave të popullsisë me produkte ushqimore, por edhe të kërkesave jetësore dhe shërbimeve bazë të nevojshme. Prandaj ekonomia rurale lipset të diversifikohet me burime nga i gjithë territori dhe jo vetëm nga bujqësia. Konsolidimi i tokës, mbetet një problem madhor për zgjidhje. Askush nuk mund të qetesojë ndërgjegjen për sa është bërë deri më sot. Humbjet e deri tanishme nga fragmentimi i tokës janë shumë të mëdha.

Print