Ndryshoni të ardhmen, por mos prekni natyrën

Agjencia Kombëtare për Zonat e Mbrojtura (AKZM), projekti NaturAL i financuar nga Bashkimi Evropian, dhe Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS) marrin pjesë në Panairin Mesdhetar të Turizmit, të organizuar nga ministria e Ekonomisë dhe Turizmi në mjediset e EkspoCity në Tiranë, në datat 8-9 Prill, 2017. Panairi synon të promovojë turizmin në Shqipëri, që është edhe një nga prioritetet më të mëdha të qeverisë shqiptare, dhe mjedisi natyror do të jetë një nga atraksionet kryesore në fokusin e këtij panairi.

Zonat e mbrojtura kanë potenciale të mëdha për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të turizmit, një mjet kryesor që përmirëson gjendjen social-ekonomike të komuniteteve lokale në Shqipëri.

Të dhënat e AKZM-së tregojnë se numri i turistëve dhe vizitorëve në zonat e mbrojtura u rrit nga 400 mijë në vitin 2015, në mbi 1.56 milionë në 2016. Një arritje tjetër e madhe e përpjekjeve të përbashkëta të AKZM-së, projektit NaturAL, dhe Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS) është realizimi për herë të parë në Shqipëri i inventarizimit të faunës dhe florës së egër sipas standardeve të BE-së.

Bashkëpunimi i AKZM-së, NaturAL, dhe AICS për mbrojtjen e mjedisit ka një ndikim pozitiv të thellë për popullsinë shqiptare dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM). Gjatë 2 ditëve të panairit, stendat e tyre do të promovojnë zonat e mbrojtura si destinacione dhe atraksione turistike magjepëse për monitorimin e shpendëve, peshkimin, turizmin e ngadalshëm, si edhe do të prezantojnë kontributin e madh që jepet çdo ditë për mbështetjen dhe zhvillimin e burimeve natyrore, biodiversitetit, dhe peisazheve të bukura të Shqipërisë.

Vizitorët e stendave të tyre në panair do të njihen me informacione interesante mbi përpjekjet e përbashkëta të këtyre agjencive për mbrojtjen e biodiversitetit të larmishëm të Shqipërisë dhe për kthimin e këtyre zonave në një burim zhvillimi dhe gjenerimi të ardhurash për komunitetet lokale. Me qëllimin e përbashkët për të dhënë një mesazh të fuqishëm për mbrojtjen dhe zgjerimin e burimeve natyrore shqiptare, këto agjenci ftojnë dhe inkurajojnë politikëbërësit, përfaqësuesit e qeverisë qendrore dhe vendore, bashkive dhe institucioneve publike që merren me çështjet e zhvillimit të turizmit, mbrojtjes së mjedisit, rritjes ekonomike të komuniteteve lokale dhe ndërtimit të infrastrukturave të reja që të vizitojnë stendat e tyre në Panairin Mesdhetar të Turizmit.

Rreth projektit

Emri i plotë i projektit NaturAL është “Forcimi i Kapaciteteve Kombëtare për Ruajtjen e Natyrës – Përgatitja për Rrjetin Natura 2000”. Ai financohet nga Bashkimi Evropian dhe synon të ndalojë humbjen e biodiversitetit nëpërmjet përmirësimit të menaxhimit të Zonave të Mbrojtura në Shqipëri. NaturAL zbatohet nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS), Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) dhe Shoqëria Botanike Italiane (SBI).

Projekti po mbështet zbatimin e të paktën pesë planeve ekzistuese të menaxhimit në zonat e mbrojtura në Shqipëri, të përzgjedhura si zona prioritare: Liqeni i Shkodrës; Korab-Koritnik; Divjaka-Karavasta; Mali i Tomorrit; dhe Bredhi i Hotovës-Dangëlli si dhe ndërhyrjen në 5 zona dytësore: Lumi Buna-Velipojë; Mali i Dajtit; Shebenik-Jabllanica; Vjosa – Narta; dhe Llogara.

Print