Të rinjtë e Shkollës Verore të ACHIEVE, aktivitete për Ditën e Tokës

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Tokës, (22 Prill 2017), në një nga shkollat 9-vjeçare të Tiranës, të rinjtë e Shkollës Verore të ACHIEVE organizuan një aktivitet me fëmijët e klasave të 6-ta të Shkollës “Kongresi i Lushnjës”. Fillimisht ata mbajtën një seancë pyetje-përgjigje të përgjithshme për problemet e mjedisit; kush/çfarë e ndot mjedisin, çfarë mund të bëjmë për ta përmirësuar atë etj. dhe më pas iu shpërndanë fëmijëve disa fletëpalosje të përgatitura me informacion rreth Ditës së Tokës, kush e themeloi, qëllimi i kësaj dite të rëndësishme etj.

Në pjesën e dytë të ditës, fëmijët të ndarë në grupe vizatuan tokën, gjysma e së cilës do ishte e ndotur dhe gjysma tjetër e pastër, duke vijuar me diskutime si e përfytyronin fëmijët një mjedis të tillë.

Për të përmbyllur aktivitetin, fëmijëve iu shpërndanë disa zarfë të bardhë ku iu kërkua të vizatojnë mbi të një mjedis të pastër/të shëndetshëm dhe brënda të vendosnin një fletë ku të shkruanin se çfarë mësuan gjatë kësaj dite, çfarë mendojnë të bëjnë për përmirësimin e ambjentit, çfarë i premtojnë vetes etj.

Kjo u vlerësua nga të rinjtë si një hapësirë për zhvillimin e krijimtarisë së fëmijëve dhe sipas tyre rezultatet ishin mjaft të kënaqshme.

Programi ACHIEVE zbatohet nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri me mbështetjen financiare të Delegacionit të Bashkimit Evropian në vend.

Print