Malësi e Madhe: Sfidat e pjesëmarrjes publike në vendimmarrje

Sfidat e pjesëmarrjes publike në vendimarrje ka qenë fokusi i forumit qytetar organizuar në Bashkinë Malësi e Madhe, në kuadër të programit ACHIEVE të zbatuar nga REC Shqipëri dhe projektit "Një hap më tej drejt rritjes së pjesëmarrjes së gruas në vendimarrje" në bashkinë Malësi e Madhe zbatuar nga shoqata “Gruaja në INTEGRIM”. Nisma e mbështetur financiarisht nga Delegacioni i BE në Shqipëri, ka si qëllim të adresojë rritjen efektive të pjesëmarrjes publike në vendimarrje për çështjet e mjedisit.

Ky takim mblodhi sëbashku autoritete vendore të Malesisë së Madhe, komunitetin e biznesit, operatorëve turistik, përfaqësues të Bashkisë, shoqata të shoqerisë civile, të rinj e aktorë të tjerë të interesuar.

Zbatimi i ligjit per informimin e publikut dhe rritjen e pjesëmarrjes në vendimarrje u shtruan si objektiva të rëndësishme nga Nënkryetari i Bashkisë Malësi e Madhe. Në të njejtën kohë ai listoi edhe sfidat e pjesëmarrjes efektive të komunitetit Malësi e Madhe, duke konsideruar reformën e re administrative, zgjerimin e madh të territorit, vështirësitë e transportit në zonat malore sidomos gjatë muajve të dimrit si dhe shkallën e ulët të vetëdijes qytetare për të qenë pjesë efektive e proceseve të planifikimit dhe vendimmarrjes.

Shefja e kabinetit të kryetarit të bashkisë Znj. Liselda Cukaj në fjalën e saj theksoi se numri i dëgjesave publike publike në Bashkinë MM është rritur ndjeshëm, duke përmendur që vetëm për Planin e Përgjithshëm Vendor janë bërë deri tani 3 degjesa ndërkohë që priten të paktën dhe 2 të tjera deri në hartimin e plotë të këtij plani.

Për të pranishmit u prezantuan shtyllat e Konventës së Aarhus-it mbi të drejtën e informimit dhe të pjesëmarrjes në vendimmarrje. Diskutimet ndëraktive mes pjesëmarrësve, ekspertëve dhe organizatorëve të këtij takimi demonstruan praktika pozitive dhe negative të vendimmarrjes për çështjet e mjedisit në rajon duke vënë theksin në nevojën e rritjes së vetëdijes qytetare dhe efektivitetit të pjesëmarrjes. Disa nga pjesëmarrësit e pranishëm shprehën shqetësime në lidhje me parashikimin e ndërtimit të një fushe depozitimi të mbetjeve urbane në zonën e Kastratit parashikuar nga draft Plani i Përgjithshëm Vendor në Bashkinë Malësi e Madhe, çështje këto që do të gjejnë vijimësi në takimet e ardhshme parashikuar nga kjo nismë.

Print