Elbasan: Kur organizatat dhe mediat monitorojnë VNM-të

Më datë 14 korrik 2017, Milieukontakt Shqipëri organizoi trajnimin: “Legjislacioni horizontal dhe monitorimi i Raporteve të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM)”. Ky trajnim është mbështetur financiarisht nga Projekti “Shoqëria Civile Vepron për Zhvillimin Social-Ekonomik mbi Bazat e një Mjedisi të Shëndetshëm” (CO-SEED) me fonde të Bashkimit Evropian dhe që zbatohet nga Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri.

Në trajnim morën pjesë përfaqësues nga organizatat mjedisore të qytetit të Elbasanit, Pogradecit, studentë, përfaqësues të Inspektoratit të Mjedisit, Elbasan si edhe përfaqësues nga media vendore e qytetit.

Ndër çështjet më të rëndësishme që u prekën gjatë trajnimit ishin:
– parimet kryesore të së drejtës mjedisore si edhe e drejta për t’iu drejtuar Gjykatës;
– procedurat e VNM-së duke e parë nga këndvështrimi i legjislacionit horizontal;
– metodat e monitorimit të lejeve mjedisore;

Pas prezantimeve të përgatitura nga Milieukontakt Shqipëri mbi praktikimin e VNM-ve në të gjitha fazat e zbatimit të një projekti, si dhe mënyra sesi procedohet në këndvështrimin e legjislacionit horizontal, eksperiencë e sjellë nga përfaqësuese e Ministrisë së Mjedisit dhe ekspertë, pjesë shumë e rëndësishme e trajnimit gjithashtu ishte sjellja e rasteve konkrete të nismave individuale të zbatuara nga aktorë privat si lokale në qytetin e Elbasanit. Koordinimi jo i mirë ndërmjet institucioneve si dhe pamjaftueshmëria e informacionit të shpërndarë gjatë dhe pas përgatitjes së një VNM-je, mungesa e monitorimit apo penalizmit për mos zbatimin e tyre përgjatë ushtrimit të aktiviteteve të ndryshme private në qarkun e Elbasanit ishte çështje shqetësuese për të gjithë pjesëmarrësit në trajnim.

Përgjatë diskutimeve u trajtuan gjithashtu çështjet e dhënies me koncesion të pyjeve, ku faktet e sjella nga përfaqësues të shoqatave mjedisore tregojnë se koncensionarët jo vetëm që s’respektojnë kushtet e kontratës, por ka edhe raste ku zjarrëvënia e pyjeve vjen si pasojë e fshehjes së dëmeve ndodhur përgjatë periudhës së koncensionit.

Një tjetër shqetësim i banorëve të zonës së Elbasanit ishte fabrika e ferrokromit, montuar në mjediset e ish-metalurgjikut. Inspektorati i Mjedisit, pranë Bashkisë së Elbasanit pas fazës së monitorimit pranë kësaj fabrike kishte vënë re se ujërat e ndotura të kësaj fabrike jo vetëm që s’kalonin në asnjë impiant përpunimi, por për largimin e tyre përdorej tubacioni i degraduar i ish-metalurgjikut dhe më pas ujërat përfundonin në tokat e mbjella nga banorët e zonës. Si kjo çështje mund të jenë edhe shumë të tjera, por mungesa e kompetencave s’lejon ndërhyrjen apo marrjen e masave nga ana e pushtetit vendor, pasi ky i fundit monitoron, por penalizmin apo mbylljen e aktivitetit me leje mjedisore të tipit A është kompetencë e Ministrisë së Mjedisit (AKM) dhe vetëm lejet e tipit C është kompetencë e pushtetit vendor.

Në fund të trajnimit të gjithë të pranishmit dolën në konkuzionin e përbashkët, ku një bashkëpunim i koordinuar ndërmjet institucioneve përkatëse, pushtetit vendor, organizatave mjedisore si dhe mediave përgjatë gjithë procesit të VNM-së do të parandalonte dhe përmirësonte dëmet mjedisore. Gjithashtu të gjithë pjesëmarrësit ranë dakord për zhvillimin e një ekspedite mjedisore pranë impiantit të përpunimit të mbetjeve, incineratorit, në qytetin e Elbasanit. Impianti është i pari i këtij lloji në vend për trajtimin e mbetjeve urbane; vendosur në vendgrumbullimin e mbetjeve në anë të ish kombinatit metalurgjik në Elbasan. Çdo vit qyteti gjeneron rreth 120-140 ton mbetje të ngurta urbane.

Projekti synon të kontribuojë në menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore përmes përmirësimit të kuadrit rregullator dhe të nxisë më shumë pjesëmarrje dhe transparencë në proceset e vendimmarrjes mjedisore dhe për të rritur vëmendjen e medies në këtë fushë.

Print