Komunikimi - Arti i sigurtë i pyetësorëve cilësorë

Më datat 20-21 korrik 2017, organizata “Për Mirëqënie Sociale dhe Mjedisore” Berat, ka nisur një trajnim dy ditor në lidhje me teknikat që përdoren për realizimin e tërheqjes së opinioneve nga banorët e institucionet, në lidhje me efiçencën e energjisë. Nëpërmjet këtij projekti kjo organizatë ka si synim të bashkërendojë punën e saj me institucionet përkatëse që mbështesim e monitorojnë punën për nxitjen e politikave dhe praktikave më të mira që sigurojnë efiçencën e energjisë, diversifikimin e burimeve për energji të pastër dhe me kosto të përballueshme nga qytetarët, shtresat e varfra dhe të mesme në Berat e më gjerë.

Përgjatë aktivitetit të organizuar u theksua sesa i rëndësishëm është komunikimi. Që të shkojmë pranë publikut, shtëpive të tyre, të sjellim informacion sa më të sinqertë, i rëndësishëm është besimi i banorëve në punën që ne bëjmë, tek shoqëria civile; tejçimi i informacionit, përpunimi i tij, nxjerrja e konkluzioneve sa më afër realitetit të njohur për banorët të cilët në këtë periudhë vere janë mjaft të ndjeshëm ndaj mungesës së termoizolimit, mospërdorimit të materialeve ndërtimore cilësore për banesat e tyre, të cilat ekspozohen gjithë ditën nga dielli por nuk kanë minimalisht një panel diellor, për të ngrohur ujin.

Duke qenë afër tyre, e duke vjelë informacionin e vërtetë pranë tyre dhe institucioneve vendore, “Për Mirëqënie Sociale dhe Mjedisore” Berat sëbashku me rrjetin e Vigjilencës, pavarësisht vështirësive të punës në terrenin e zhuritur të qytetit të gurtë, i cili këto ditë kishte prezent temperatura të larta për shkak jo vetëm të ngrohjes globale, por edhe të zjarreve të shumtë që rënduan së tepermi situatën në kurorën e gjelbër që vesh qytetin, ka marrë përsipër plotësimin e pyetësorëve mbi efiçencën e energjisë në Shqipëri, duke qenë edhe i pari rrjet që prek tematikën mbi efiçencën e energjisë.

Ky aktivitet vjen si rrjedhojë e paketës së punës që organizata zbaton në kuadër të projektit “Një sy Për Mjedisin” si pjesë e Rrjetit të Vigjilencës, nga programi SENiOR-II, i cili zbatohet nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri, me mbështetjen financiare të Qeverisë Suedeze.

Print