Një javë festime për Ditën Ndërkombëtare të Rangers-ave

Në kuadër të festimeve të Ditës Botërore të Rangers-ave, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe Shoqata e Parqeve Kombëtarë të Shqipërisë, me mbështetjen e projektit NaturAL, të financuar nga Bashkimi Evropian, koordinuar nga Agjencia Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në partneritet me Unionin Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës (IUCN) dhe Shoqatën e Botanistëve Italianë (SBI), kanë organizuar një sërë aktivitetesh në të gjitha qarqet e vendit.

Dita Botërore e Rangers-ave, 31 korrik – përkujton dhe vlerëson punën e palodhur dhe rolin e rëndësishëm te Rangers-ave në mbarë botën për mbrojtjen e vlerave të spikatura të trashëgimisë natyrore dhe kulturore. Për herë të parë kjo ditë është festuar 10 vite me parë, në vitin 2007. Kjo ditë është një rast unik për të mbështetur punën jetike të Rangers – ave, të cilët shpesh janë të ekspozuar ndaj kushteve të rrezikshme mjedisore apo ndaj kafshëve të egra, dhe rrezikojnë jetën e tyre duke u përballur me personat që zhvillojnë aktivitete të paligjshme, si prerja e drurëve, peshkimi apo gjuetia e paligjshme.

Në Shqipëri, festimet për këtë ditë po zhvillohen gjatë gjithë javës 23 – 31 korrik në të 12 Administratat Rajonale të Zonave të Mbrojtura nën moton “Unë dua të jem një Ranger”, duke i përqëndruar aktivitetet kryesisht tek fëmijët, pjesë e shkollave verore, si dhe me komunitetin që jeton përreth Zonave të Mbrojtura. Përmes aktiviteteve të zhvilluara synohet afrimi dhe edukimi i tyre me dashurinë për natyrën dhe rëndësinë e ruajtjes së saj. Edukimi i brezave është investimi më i madh që mund të bëhet për një vend dhe në këtë linjë aktivitetet me në fokus fëmijët janë të një rëndësie të madhe për Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.

Më datë 23 korrik u zhvillua aktiviteti i parë, në Parkun Kombëtar Qafë Shtamë. Aktiviteti u organizua me fëmijët e kampit veror "Besëlidhja Scoutist Albania", të cilët u vendosen në Parkun Kombëtar të Qafë Shtamës. Ata e përqëndruan aktivitetin në përshkimin dhe markimin e një shtegu si dhe duke zhvilluar dhe një fushatë pastrimi si një mënyrë ndërgjegjësimi për pjesëmarrësit.

Aktivitetet gjatë kësaj jave (23 – 31 korrik 2017), kanë në fokus Rangers-at si një strukturë shumë e rëndësishme e mbrojtjes së natyrës shqiptare. Rangers-at janë punonjës të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, të cilët patrullojnë në terren për evidentimin e aktiviteteve të paligjshme dhe shërbejnë si guida në park për promovimin e vlerave më të spikatura të Zonave të Mbrojtura.

Të gjitha administratat rajonale të zonave te mbrojtura sipas programit të përcaktuar, po zhvillojne aktivitete me fëmijët duke ju treguar atyre sesi vepron një Ranger në situata të ndryshme për të mbrojtur natyrën, duke i sjellë në terrenin ku Rangers-at punojnë çdo ditë. Nga ana tjetër aktivitetet janë përqëndruar gjithashtu edhe në bisedat dhe diskutimet me komunitetin e zonës rreth përfitimeve që kanë ata duke jetuar afër Zonave të Mbrojtura dhe rolin e Rangers-ave në mbrojtjen e natyrës.

Aktivitete me grupet e përcaktuara të fëmijëve nga shkollat verore dhe komuniteti do të organizohen në:

Berat, datë 30 korrik: Aktiviteti do të organizohet me shkollën verore që zhvillohet në shkollën "Drita e Dijes". Numri i pjesëmarrësve do të jetë 25 (10-15 vjeç). Fëmijët do të ndahen në dy grupe. Grupi i parë do të udhëhiqet nga Rejnxhëri Beqir Sheti dhe do ta bëjë rrugëtimin nga Shtëpia e Pritjes në Tomorr në Kalanë e Tomorrit. Grupi i dytë i udhëhequr nga Rejnxhëri Bedri Ormënaj do ta bëjë rrugëtimin nga Shtëpia e Pritjes – Fshati Tomorr i Madh - Shpella e Madhe dhe Shpella e Lakuriqëve të Natës direkt në Bregun e Sejdinit. Aktiviteti do të përfundojë përafërsisht në orën 12:00 me fotografinë e pjesëmarrësve dhe stafit të RAPA.

Dibër, datë 30 korrik: Aktivitet në qendër të qytetit të Burrelit me materiale promovuese dhe duke prezantuar punën që bëjnë rejnxhërsat në Parkun Natyror Korab – Koritnik dhe zonat e tjera të mbrojtura të qarkut të Dibrës.

Durrës, datë 23 korrik: Aktiviteti do të organizohet me pjesëmarrësit e kampit veror "Besëlidhja Scoutist Albania", të cilët janë të vendosur në Parkun Kombëtar të Qafshtamës. Ata do ta përqëndrojnë aktivitetin në përshkimin dhe shënjimin e një shtegu si dhe duke zhvilluar dhe një fushatë pastrimi si një mënyrë ndërgjegjësimi për pjesëmarrësit.

Elbasan, datë 27 korrik: Aktiviteti do të zhvillohet në Librazhd, duke shpërndarë materiale promovuese që përshkruajnë vlerat e zonave të mbrojtura dhe punën e rëndësishme të rejnxhërsave në Zonat e Mbrojtura të Elbasanit. RAPA ka hartuar gjithashtu një formular që iu jepet pjesëmarrësve për të pasur një ide më të qartë të opinioneve të komunitetit për mënyrën sesi ata i shohin ZM të qarkut të tyre.

Fier, datë 31 korrik: Aktivitetet do të zhvillohen në PK Divjakë-Karavasta; Pjesa e parë e ditës do të përqëndrohet në aktivitetet me fëmijët, duke iu bërë atyre së pari një prezantim për rëndësinë e rolit të një rejnxhëri në funksionimin e mirë të një ZM. Pastaj ata do të vazhdojnë t'iu tregojnë pjesëmarrësve se si një rejnxhër punon dhe vepron në situata të ndryshme. Në pjesën e dytë të ditës, administrata do të kontaktojë komunitetin në plazh duke shpërndarë materialet promovuese të zgjedhura prej tyre për këtë ditë, por edhe duke shkëmbyer mendime rreth mënyrave që mendojnë ata se do të zhvillojnë më shumë parkun.

Gjirokastër, datë 30 korrik Për këtë aktivitet ata do të bashkëpunojnë me grupin "Explore Nature" duke iu treguar pjesëmarrësve se si një rejnxhër vepron gjatë punës së tij në terren. Aktiviteti do të zhvillohet në disa pjesë të PK të Bredhit të Hotovës - Dangëlli. Aktiviteti do të ndiqet nga Drejtori i RAPA, Shefi i Monitorimit dhe dy rejnxhëra.

Korçë, datë 30 korrik Do të organizohet në të njëjtën kohë në disa pjesë të qarkut të Korçës; 1. Podgorie: Këtu Rejnxhërsi do të shpjegojë për komunitetin rëndësinë e zonimit në një PA dhe se si rojet monitorojnë duke respektuar rigorozisht rëndësinë e zonimit. 2. Gollomboç: Një grup i të rinjve të udhëhequr nga një rejnxhër do të ndjekin një shteg dhe gjithashtu do t'u tregojë atyre disa nga vendet e mundshme për të vëzhguar lundërzën. 3. Parku Natyror i Cangonj: Në bashkëpunim me Fondacionin "Kennedy" do të zhvillojnë një workshop në formë kinema të hapur me filma rreth ZM të Qarkut të Korçës 4. Qendra e Informacionit në Drilon: Këtu Rejxhërsat do t'i shpjegojnë turistëve për disa nga atraksionet e PM të Pogradecit dhe si mund t'i arrijnë ato.

Kukës, datë 26 korrik Do të bashkëpunojnë për organizimin me Qendrën për Progres Rinor. Aktiviteti do të realizohet në zonën e Shishtavecit PN Korab –Koritnik. Do të jetë patrullimi në një shteg të përcaktuar më parë në zonën e liqenit Novosej. Është për zgjedhur kjo zonë për shkak të larmisë së habitateve; pyll mështekne, habitat ujor dhe livadhe të lagura. Në këtë aktivitet në rolin e rejnxhërsave do të marrin pjesë 10-15 të rinj.

Lezhë, datë 30 korrik Do të bashkëpunojnë me komunitetin dhe shkollat verore të zonës.

Shkodër, datë 26 korrik Ata do të bashkëpunojnë me shkollën verore të mbështetur nga OJQ "Urdhëri i Maltës". Aktiviteti do të përqëndorhet në të shpjeguarit fëmijëve disa nga truket që rojet përdorin për të kryer një detyrë monitorimi në Velipojë, dhe cilat janë disa nga pajisjet që ata përdorin.

Tiranë, datë 26 korrik Ata do të bashkëpunojnë me Tirana International School dhe propozojnë dy variante të rendit të ditës: Opsioni i parë; Është të bëjë një prezantim dhe disa lojëra në mjediset e shkollës dhe alternativa e dytë është t'i shoqërojë ata përmes një guide në Shpellën e Pëllumbasit

Vlorë, datë 31 korrik Pjesëmarrësit nga "Qendra Rinore" e Vlorës do të udhëhiqen nga rejnxhërsat e PK të Llogarasë në shtegun "Qafa e Çezarit - Ponaçe". Kjo guidë do të shërbejë për t'i prezantuar fëmijëve rëndësinë e shtigjeve për të eksploruar një zonë të mbrojtur.

Print