Sarandë, për herë të parë trajnim mjedisor me gazetarët e jugut

Agjencia AJMMI (Agjencia Joniane e Mjedisit, Medias, Informcionit) me qendër në Sarandë, pjesë e Rrjetit të organizatave mjedisore ECIM; perfundoi më 21 korrik, Tryezën Mjedisore me Gazetarë të Rajonit Jugor të Shqiperisë me fokus:” Informim-ndërgjegjësim mbi politikat e zhvillimit të qëndrueshëm të Mjedisit“- nga ekspertë me gazetarë të rajonit jugor të vendit. Në këtë auditorium trajnues me pjesëmarrje të 35 gazetarëve, specialistëve dhe ekspertëve të mjedisit e medias, u referuan gjashtë trajtesa të cilat synuan jo vetëm familjarizimin e gazetarëve më konceptet bazë të zhvillimit të qëndrueshëm në realitetin e sotëm shqiptar, por u prezantuan edhe problematika të mprehta të mjedisit dhe kërkimeve mjedisore aktuale, pasojë e veprimit dhe mosveprimit të strukturave apo agjencive të ndryshme ligjzbatuese në vendin tonë.

Kumtuesit si Alisa Peçi (Org.Ekolevizja-Tiranë, koordinatore e rrjetit të ECIM), Olsi Nika (Org. EcoAlbania), Gjergji Mano (Parku Kombëtar Butrint), ing.Kristo Kauri (Ekspert i pyjeve dhe mjedisit - Org. AJMMI), Engjëll Serjani (gazetar, Qendra e Zhvillimit e Mediave Jug), Kristina Fidhi (Gazetare, Top Channel) sollën në trajtesat e tyre, problematikat e sotme mjedisore si: Pasuritë lumore të kërcënuara, lejet dhe koncensionet; Vlerat e trashëgimisë dhe politikat mjedisore në ekosistemet në parkun Butrint; Sfidat mjedisore te jugut të Shqipërisë, politikat mjedisore dhe roli i mediave; Vjosa -i vetmi lumë i egër në Europë- nga nismë, një kauzë kombëtare me mbështetje të BE; Përmirësimi i raportimit mediatik mjedisor –me ndikim për publikun dhe vendimmarrjen; Fushatizmi dhe investrgimi mjedisor në raportimin mediatik, etj. Tryeza mjedisore trajnuese e Sarandës adresoi përmes debatit edhe disa çështje si karshillëku që po vërehet sot në Shqipëri për krimet mjedisore në Ishujt e Ksamilit, në djegien e pyjeve si pasuri kombëtare; në mungesën e vizionit për zhvillimin e qëndrueshëm në programet e partive politike gjatë fushatës në zgjedhjet e fundit të përgjithshme në Shqipëri, etj.

Të pranishmit, ndoqën me interes filmin dokumentar mbi katastrofën mjedisore që pason dhënien e qindra lejeve për HEC-e edhe në zonat të mbrojtura dhe parqe kombëtare, etj. Trajnimi mjedisor me gazetërët në Sarandë u përmbyll me shpërndarjen e certifikatave për gazetarët e trajnuar.

Tryeza e Sarandës, e para e këtij lloji në jug të vendit ishte pjesë e projektit më të njejtin emër në kuadër të programit SENiOR-II, zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri me mbështetjen financiare të Qeverisë Suedeze.

Print