Hapi i parë, vlerësimi i plazheve sipas standardit të pastërtisë

Hidhet hapi i parë i klasifikimit dhe standardizimit të plazheve dhe hapësirave të tjera turistike, sipas nivelit të pastërtisë. Pas pastrimit të mbi 15 destinacionëve më të mëdha dhe më të rëndësishme turistike, bregdetit dhe parqeve, nga Velipoja deri në Llogara, (që praktikisht janë edhe më të ndoturat, për shkak se në këtë hapësirë ndodhen edhe grykëderdhjet e lumenjve) Korpusi Shqiptar i Vullnetarëve, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Turizmit, është duke vazhduar procesin e monitorimit të mjediseve turistike, përsa i takon pastërtisë.

Gjatë monitorimit, këto mjedise vlerësohen në tri kategori, që simbolizohen me një flamur. Zonat e pastra vlerësohen me flamurin jeshil, ato më pak të ndotura me flamurin e verdhë dhe zonat e ndotura me flamurin e kuq.

Vlerësimi lidhet vetëm me mjedisin sipërfaqësor, pra rërën dhe jo me cilësinë e ujit të detit. Kjo është hera e parë që bëhet një vlerësim i tillë, për t’i hapur rrugë standardizimit të zonave turistike sipas të gjitha kategorive përsa i takon cilësisë së shërbimit, si pastërtisë së rërës, pastërtisë së ujit, sigurisë në jetës, ndërtimit të dusheve, kabinave të zhveshjesh, tualetet etj.

Aktualisht stacionet e plazhit nuk vlerësohen nga asnjë lloj standardi dhe nuk mbikqyren nga asnjë institucion për realizimin e tyre.

Deri tani vlerësimi i zonave turistike, sa i takon nivelit të pastërtisë, është bërë në plazhet e Velipojës, Shëngjinit, Tales, Gjirit të Lalëzit dhe Spillesë. Monitorimi do të vazhdojë gjatë gjithë gushtit duke bërë edhe rivleresimin e zonave që janë vlerësuar njëherë, për të parë nëse gjendja është përmirësuar apo përkeqësuar.

Print