"Dua trotuarin tim!" - Shoqëria civile marshon në Tiranë

Sot në Tiranë, përpos shumë aktiviteteve që shënjuan mbylljen e Javës Evropiane të Lëvizshmërisë u mbajt edhe një marshim paqësor ndërgjegjësues për nxitjen e të lëvizurit në këmbë. Ky marshim në kryeqytet synon të theksojë nevojën që kemi për trotuarë në disa zona të munguara të qytetit si dhe përmirësimin e sinjalistikës rrugore për këmbësorin, pa lënë jashtë vëmendjes vlerësimin pozitiv për zonat ku trotuari dhe sinjalistika janë të siguruara.

Marshuesit patën përgatitur edhe mesazhe ndërgjegjësuese në pankarta si "Ku të kaloj?", "Trotuari më përket mua", "Sepse të ecësh është bukur", e të tjera shënime me fokus lirimin e hapësirave publike për kalimtarët dhe lëvizshmërinë e zgjuar.

Nismëtarë të këtij marshimi janë Qendra Mjedisore EDEN dhe Organizatat Mjedisore të Shoqërisë Civile pjesë e programit ACHIEVE, i zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri, mbeshtetur financiarisht nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në vend.

Print