“Bëhu zgjidhja, jo problemi”

Në Qytetin e Pogradecit shoqata “Unë, Gruaja” e ka bërë traditë organizimin e ditëve mjedisore. Për të realizuar projektet e saj shoqata bashkëpunon me shumë institucione lokale, shoqërinë civile në Pogradec, median lokale dhe komunitetin e gjerë, si në qytet ashtu edhe në zonat rurale. Gratë dhe të rinjtë janë protagonistët kryesorë të aktiviteteve të shoqatës, sidomos ato në fushën e mjedisit, duke siguruar kështu përfshirjen e tyre në jetën sociale, ekonomike, si dhe duke u bërë faktor ndryshimi për mjedisin.

Së fundi ajo ka realizuar një sërë aktivitetesh në kuadër të Javës Evropiane të Lëvizshmërisë, e cila startoi në datën 16 shtator. Postera, kalendari i ngjarjeve dhe deklarata për t’u njohur me Javën Evropiane të Lëvizshmërisë, u vendosën në vende të dukshme nëpër qytet.

Targeti kryesor në këto ditë ishin nxënësit e shkollave, të cilët u angazhuan për të qenë ata vetë protagonistë duke pikturuar pankarta me slogane dhe mesazhe për mjedisin.

Fëmijët ndihmuan për mbledhjen e shisheve plastike, të cilat do të shërbenin për të krijuar me to një mjelmë. Mjelma do të shërbejë si një mjet sensibilizimi, për qytetarët dhe të rinjtë në mënyrë që të riciklojnë sa më shumë mbetje për të reduktuar ndotjen në mjedis.

Në datat 18 dhe 19 shtator aktivitetet pasuan në formën e një workshopi 2 ditor me nxënës të shkollës “Gjokë Pjetër Shqiptari” dhe nga shkolla të tjera të qytetit. U vizituan mjediset ku po punohej mjelma, vetë fëmijët sollën materialet, si dhe punuan së bashku për ta ndërtuar atë. Atyre iu shpjegua se çfarë qëllimi ka kjo javë në tërësi, çfarë synohet që të arrihet me këtë vepër riciklimi dhe si të reduktojnë mbetjet duke i ripërdorur ato. Një temë e veçantë ishte prezantimi e njohja me Diatomat, alga mikroskopike që janë fotosintetike. Çdo qelizë e diatomave është e mbyllur në një guackë silikoni e quajtur “frustule”, e cila ka forma të dukshme dhe ornamente të ndryshme. Sot në Liqenin e Ohrit janë në total rreth 800 diatoma, nga të cilat rreth 200 prej tyre janë endemike, rreth 15 janë specie relikte. Workshopi vazhdoi në studion e piktorit Enxhel Gegprifti, i cili trajnoi nxënësit që punuan dhe hodhën në letër piktura dhe mesazhe për mbrojtjen e mjedisit.

Mesazhet u vendosën në hapësira të ndryshme të qytetit me qëllim që sa më shumë qytetarë t’i shohin ato dhe të reagojnë pozitivisht në mbrojtje të natyrës.

Data 20 shtator nisi me udhëtimin drejt fshatit turistik të Linit, ku nxënës të klasave të 8-ta dhe të 9-ta të shkollës “Gjokë Pjetër Shqiptari” vizituan fshatin dhe Bazilikën e Linit, bënë pastrimin në disa pika të ndotura, si dhe shpërndanë materiale sensibilizuese për banorët e turistët, që të mbajnë pastër dhe mbrojnë këto vlera që vetëm natyra mund të na i falë.

Në datën 21 shtator u ekspozua skulptura e mjelmës me shishe plastike në shatërvanin në qendër të qytetit. Shkolla “Gjokë Pjetër Shqiptari”, krijoi një sfond me punime të riciklueshme. “Çdo gjë e mbetur mund të ripërdoret” ishte mesazhi i tyre. Të gjitha këto u vizituan nga shumë kalimtarë, qytetarë dhe turistë, që fotografonin “Mjelmën e çuditshme”, e cila kishte tërhequr vëmendjen e tyre. Qytetarët vlerësuan nismën dhe përgëzuan fëmijët për punët e kryera.

website të shoqatës dhe në faqen e FB janë publikuar ndërmjet të tjerash, disa nga praktikat më të mira evropiane të reduktimit të mbetjeve, në rubrikën Edukim on-line.

Data 22 shtator, dita pa makina, njëkohësisht dita e fundit e Javës Evropiane të Lëvizshmërisë, u organizua me pjesëmarrjen dhe mbështetjen e shumë aktorëve të tjerë si Bashkia Pogradec, Zyra Arsimore, shkollat e qytetit, shoqata Explore Pogradec, IUCN, UNESCO, etj. Ajo nisi me një marshim masiv me biçikleta në shëtitoren e qytetit, me synimin ndërgjegjësimin e banorëve për të përdorur sa më pak mjetet motorike, që dëmtojnë mjedisin.

Të rinj nga shkollat e qytetit me bluza të bardha me sloganin “Liqeni i pastër, Vlera jonë e përbashkët”, demonstruan angazhimin e tyre për një mjedis të pastër.

Në këtë marshim u bashkuan edhe këmbësorë, të gjithë dashamirës të mjedisit dhe shëndetit të mirë. Karvani me biçikleta dhe ecja në këmbë synon të kthehet në një traditë për qytetin tonë. Çdo ditë qytetarët duhet të përdorin mjetet alternative të transportit dhe të reduktojnë sa më shumë përdorimin e mjeteve motorike. Marshimi u shoqërua edhe me mesazhe ndërgjegjësuese të shkruara nga nxënësit e shkollave të qytetit tonë.

Këto aktivitete synojnë që të gjithë së bashku të kontribojmë për një mjedis të pastër dhe një të ardhme të shëndetshme.

Media vendore pasqyroi gjerësisht me lajme e kronika aktivitetet e Javës Evropiane të Lëvizshmërisë. Gjithashtu u transmetua Reportazhi që sapo ka realizuar shoqata të titulluar “Redukto mbetjet -Bëhu zgjidhja, jo problemi”, i cili u realizua nga Shoqata "Unë, Gruaja" Pogradec, mundësuar nga programi SENiOR II, zbatuar nga REC Shqipëri, financuar nga Qeveria Suedeze.

Kur na pyesin pse shoqata “Unë, Gruaja” ka në misionin e saj angazhimin për një mjedis të qëndrueshëm, kemi një përgjigje të thjeshtë:

Të mbrosh natyrën, do të thotë të mbrosh veten, sepse për çfarëdo kauze që luftojmë: racizmin, varfërinë, barazinë gjinore apo çfarëdo lloj tjetër barazie, nuk do të ketë aspak rëndësi, pasi nëse nuk punojmë të gjithë bashkë për të mbrojtur mjedisin, do të zhdukemi po të gjithë bashkë e në mënyrë të barabartë.

Print