Prezantohet aplikacioni “Tirana Ime Outdoor”

Qytetarët do të kenë mundësi që të marrin informacion në kohë reale për aktivitetet kulturore, sportive e argëtuese, por edhe për destinacionet e itineraret turistike e historike të Tiranës. Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me UNDP-në prezantuan sot aplikacionin “Tirana Ime Outdoor” (TIO), duke i dhënë komunitetit urban dhe të gjithë vizitorëve një çelës hyrjeje në një botë outdoor. I pranishëm në promovimin e këtij aplikacioni ishte dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i çili deklaroi se tashmë Bashkia e Tiranës ka mundësi që t’u ofrojë grupeve të ndryshme mundësi të larmishme për të kaluar kohën e lirë dhe për të bërë një jetë të shëndetshme.

“Kemi pasur një konceptim të ndarjes së dy punëve, nëqoftëse “Tirana Ime” është agregatori i halleve të qytetit, ne do të donim që “Tirana Ime Outdoor” të ishte një agregator, që injekton një tjetër lloj pasioni për gjërat e bukura të qytetit. Sot e kemi mundësinë që për ata që kanë një pasion, që mund të jenë sportet e ujit, të kemi mundësi ta ofrojmë; për dikë që ka mundësi sportet e ajrit , për ata që duan off road, kemi mundësi; për ata që janë familjarë etj. Dhe unë besoj se tani çdo paketë e aktiviteteve në natyrë, po bëhet sipas masës dhe pasionit që një njeri ka”, tha Veliaj. Kreu i Bashkisë deklaroi se këto aktivitete ishin të paimagjinueshme për qytetarët dy vite, ndërsa vlerësoi vullnetin e treguar për të jetëzuar këto projekte të reja.

“Me pak ambicie, me pak nikoqirllëk, por me një vullnet shumë të mirë, jo vetëm të APR-së, por të gjithë të këtij komuniteti, sepse çdo foto është një komunitet. Është më vete komuniteti që kërcen salsa, është më vete komuniteti i Yoga-s, është më vete komuniteti i crossfit, komuniteti i çiklistëve, pastaj really albania, pastaj krejt papritur një mozaik i madh njerëzish ka gjeneruar një buqetë aktivitetesh të paimagjinueshme 2 vite më përpara. Sa që nganjëherë kur shikoj aktivitete që ndodhin në pamundësi për të qenë tek të gjitha them, ore nga dalin gjithë këta njerëz?! Ku ishin këta njerëz më përpara? Mesa duket njerëzit ishin gjithmonë aty, por duhet një katalizator”, tha Veliaj duke shtuar se që nga ngritja e saj, Agjencia e Parqeve dhe e Rekreacionit, është shndërruar në një katalizator për zhvillimin e këtyre aktiviteteve dhe afrimin e qytetarëve me sportin dhe natyrën.

Veliaj deklaroi se falë përmirësimit të infrastrukturës sportive dhe rritjes së numrit të organizimeve të ndryshme social-kulturore, është ulur dhe numri i atyre që frekuentojnë kafenetë apo bingot. “Ne kemi 10 mije kafe dhe pika bastesh në Tiranë dhe për herë të parë ka rënë numri i pikave të basteve dhe është rritur numri i këndeve të lodrave dhe i këndeve sportive. Kjo është ajo që quhet pika e kthesës, ku qyteti po kthen dhe nga ambicia e dikujt që të rritet. Nuk ka rëndësi bindjet politike, për kë votuam. Unë besoj se ky instrument i jep tani shpejtësi tjetër kësaj pike kthese dhe unë jam këtu që ti hap luftë kafeve”, tha ai.

Përmes aplikacionit “Tirana Ime Outdoor” (TIO), qytetarët do të mund të marrin informacion për aktivitetet në natyrë, destinacionet historike turistike të Tiranës, shtigje pedonale dhe çiklistike, informacione mbi kalendarin e aktiviteteve në qytet, mundësi prenotimi për zhvillimin e aktiviteteve në Parkun Sportiv Multidisiplinor, Reja etj. Në këtë kuadër, është ndërhyrë edhe për rikonstruksionin e Info-Pointit në hyrje të Parkut të Liqenit Artificial dhe për vendosjen e hartës treguese me sinjalistikën e nevojshme, si një vlerë e shtuar e shërbimit që i ofrohet qytetarëve në kuadër të rritjes së cilësisë dhe promovimit të jetesës së gjelbër e të shëndetshme.

Print