• Kreu
  • Të tjera
  • Aktiviteti njerezor
  • Organizatat mjedisore “ECIM” kërkojnë të kenë vendimmarrje në buxhetin e Bashkisë Vlorë

Organizatat mjedisore “ECIM” kërkojnë të kenë vendimmarrje në buxhetin e Bashkisë Vlorë

Problematikat e evidentuara në Bashkinë Vlorë kanë qenë në fokus të organizatave të rrjetit ECIM me përfaqësues të këtij institucioni. Menaxhimi i mbetjeve, ujërat e zeza dhe ndotja e ajrit ishin tre nga problematikat që u diskutuan në këtë takim. Përveç këtyre problemeve të evidentuara më parë nga organizatat në takim u diskutua çështja e buxhetit të vitit 2018, ku u kërkua pjesëmarrja në të. Në takim nga Bashkia Vlorë mori pjesë nën kryetari z. Adrian Musta, i cili deklaroi se së shpejti do të nis konsultimi publik i buxhetit të vitit të ardhshëm.

Por nga z. Xhemal Mato, drejtues i Ekolëvizjes, u kërkua që në takime të merrnin pjesë dhe përfaqësues të organizatave, për të shprehur kërkesat e tyre. Nga bashkia u premtua që do të ketë njoftime dhe pjesëmarrje të të gjithë grupeve të interesit, por nuk premtonte nëse do t’i dëgjonte sugjerimet e tyre apo jo.

Problemi me mbetjet

Nëse ka një problematikë qyteti i Vlorës dhe e gjithë Shqipëria është menaxhimi i mbetjeve. Në Bashkinë Vlorë ky problem është shumë i pranishëm dhe u pranua nga nën kryetari i bashkisë. Sipas tij mbetjet dhe menaxhimi i tyre janë shumë problem, por po shihet mundësia e ndërtimit të një landfilli modern në Sherishtë. Sipas tij mbetet vetëm financimi, pasi të gjithë dokumentacionet janë gati. Z. Musta tha se tani me vendgrumbullimin që ka Vlora, problemet janë të shumta.

Nga organizatat e rrjetit ECIM, u pyet nëse bashkia ka ndonjë projekt për ndarjen e mbetjeve në burim. Sipas Ardian Mustës ende nuk ka një projekt konkret, por po shihet mundësia edhe pse duhet një punë e madhe për ndërgjegjësimin e publikut. Po ashtu sipas nën kryetarit të bashkisë nuk mund të bëhet ndarja në burim, kur nuk ka vendgrumbullim modern. Prandaj për këtë është miratuar projekti 12 milion euro.

Ujërat e zeza

Një tjetër problem që është evidentuar këtë verë në Vlorë ishin dhe derdhja e ujërave të zeza në det. Sipas vëzhgimeve dhe monitorimit janë evidentuar 10 deri në 12 kanale të cilat derdhin ujëra të zeza. Kjo gjë ka qenë një problem shumë madhor për turistët, pasi ndotja në det ka qenë e madhe. Por nga bashkia u premtua se projekti për menaxhimin e ujërave të zeza është drejt përfundimit dhe çdo kanal në det do të mbyllet. Kjo gjë është premtuar për sezonin e ardhshëm turistik. Sipas Ardian Mustës, në vitin e ardhshëm falë projektit 18 milion euro, nuk do të ketë më derdhje të ujërave të zeza në det si në zonën e Vlorës së vjetër dhe në ndërtimet e reja që janë në kodrat jashtë qytetit. Nga kryetari i bashkisë, u tha se në muajt e fundit ka nisur punën task forca për bllokimin e daljeve të ujërave të zeza nga rrjeti kryesor. Nga organizatat u kërkua seriozitet në këto premtime dhe u premtua bashkëpunim që problematikat në këtë qytet të marrin fund.

Print