Ndotja mjedisore, Klosi: Nga mosveprimi i inspektorëve

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka zhvilluar gjatë ditës së sotme një takim me inspektorët e mjedisit, ku në fokus ka qenë situata mjedisore e krijuar në vend. Klosi është shprehur se situata aktuale mjedisore është pasojë e mosveprimit të inspektorëve. “Situata mjedisore është pasojë e mosveprimit tuaj, Shqipëria është ndotur dhe ndotësit kanë emër po ju nuk keni sjellë asnjë denoncim, nuk keni raportuar asgjë”, ka thënë Klosi duke ju drejtuar inspektorëve.

Gjithashtu Klosi është shprehur që tashmë ka ardhur koha që situata të ndryshojë, duke kërkuar që të ngrihen grupe pune për të krehur terrenin.

“Keni qenë target i opinionit publik për mosveprim, por nuk keni reaguar kurrë. Do ngrini grupe pune për të krehur terrenin dhe brenda 20 ditëve do të raportoni hartën e ndotjes në të gjithë Shqipërinë. Jeni i vetmi inspektorat që gjobat nuk i keni online. Nuk do të jeni më gjobëvënës me bllok në dorë”, tha ministri, duke mos kursyer edhe akuzat se në inspektorat ka edhe nga ata inspektorë të cilët kanë hequr leje mjedisore dhe ditën tjetër e kanë kthyer sërish.

Ministri Klosi ka bërë të ditur gjithashtu se inspektoratin deri në riformim të tij, do ta drejtojë Plarent Ndreca.

Print