• Kreu
  • Të tjera
  • Aktiviteti njerezor
  • Nxënësit e Klubit të çajit tregojnë sekretet e recetave të mamave dhe të shëndetit të mirë

Nxënësit e Klubit të çajit tregojnë sekretet e recetave të mamave dhe të shëndetit të mirë

Një nga 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm është sigurimi i jetës së shëndetshme dhe mirëqënies së njerëzve të të gjitha moshave. Në këtë aspekt, me drejtorinë e shkollës “ A.Z.Cajupi “ Tiranë, kolegët e departamentit të biologjisë dhe nxënësit, anëtarë të Klubit të çajit organizuam disa aktivitete edukuese, studiuese, sensibilizuese në lidhje me ushqyerjen e shëndetshme, si dhe të qënurit i vetëdijshëm në blerjen e produkteve ushqimore cilësisht të mira.

Në Ditën Botërore të Ushqimit, në hollin kryesor të shkollës nxënësit dhe mësuesit anëtarë të Klubit të çajit organizuan një panair të thjeshtë, ku u gatua trahanaja sipas dy mënyrave tradicionale nga zona e Korçës, Pogradecit dhe Tiranës. Gjithashtu u servir për nxënësit edhe çaji i malit të Thethit me kekët e përgatitur nga vetë anëtarët e klubit.

Ishte shumë interesante të shikoje nxënësit se sa me kënaqësi i morën recetat e mamave tyre dhe i zbatuan me përpikmëri në gatimin e dy llojeve të trahanave duke treguar edhe mënyrën e përgatitjes së tyre si produkt.

Receta e mamit nga Pogradeci që e solli dhe e gatoi Gledis Kaba ishte si më poshtë:
Merret gruri, pastrohet, lahet, thahet në diell, bluhet në mulli të trashë ose bëhet me gjyle në shtëpi. Pastaj zihet me pak qumësht dhe e kalojmë në sitë të rrallë, më pas vihet prapë në diell të thahet mirë dhe në fund e vendosim në qese prej pëlhure dhe e mbajmë në vend të thatë. Në momentin që dëshirojmë ta gatuajmë veprojmë në këtë mënyrë:
Marrim katër lugë trahanaje dhe e hedhim në tenxhere. Hedhim ujë derisa ta mbulojë atë. Presim sa trahanaja ta pijë ujin dhe trashet. Shohim nëse trahanaja ka zier mirë dhe i hedhim qumështin, e ziejmë pak. Më pas kur e hedhim në pjatë i shtojmë pak gjalpë sipër.

Kurse receta e dytë erdhi nga tradita tiranase e mamit të Sorilda Gishto:
2 filxhanë kafeje trahana që skuqet pak në 3-4 lugë gjelle vaj ulliri dhe i shtohet gjysmë litri ujë dhe zien. Më pas e hedh masën e trahanasë në një pjatancë me bukë të prera copa të vogla dhe trazohet e gjitha ashtu e nxehtë. I hidhet vaj ulliri dhe djath i bardhë. Konsumohet e ngrohtë.

U kënaqa vërtet me këtë atmosferë gatimi dhe rregullimi të tavolinës. Prisja momentin që të binte zilja e pushimit të madh dhe tek tryeza jonë të afroheshin nxënësit për të shijuar trahanë, çajin, kekun. Por nuk ndodhi kështu. Pranë tryezës u afruan pak nxënës. Ishte më ftues “ushqimi “ i përditshëm që ata/ato e marrin përmes kangjellave të oborrit nga bizneset e fast food-eve përreth shkollës. Kisha një furi mendimesh në trurin tim.

Në fakt, trahanaja më erdhi si ide dhe e propozova për ta përgatitur dhe servirur në një ditë të tillë, sepse më krijon shumë ndjeshmëri: ngrohtësinë familjare (në familjen time trahanaja na ka mbledh së bashku të gjithëve), thjeshtësinë (është një ushqim i shëndetshëm dhe pa shumë shpenzime), po ashtu është trashëgimi e traditave në gatimet tradicionale nga njëri brez tek tjetri, është edhe edukim mbi barazinë gjinore.

Vajza dhe djem gatuan dhe ndihmuan së bashku për pregatitjen dhe prezantimin e panairit. Përpara se të realizonim këtë panair, me kolegët e biologjisë, realizuam një anketim në të gjitha klasat, nëse nxënësit e hanin mëngjesin para se të vinin në shkollë. Ajo që na rezultoi ishte që në nivel shkolle 46% e nxënësve (pjesa më e madhe vajza) vijnë në shkollë pa ngrënë mëngjes.

Shqetësues ky fakt, ndaj kemi planifikuar në kuadër të programit vjetor të shkollës në lidhje me ushqyerjen e shëndetshme të nxënësve një sërë aktivitetesh dhe planesh me studime dhe analiza të tjera, për të kuptuar faktorët e kësaj situatat apo edhe mundësitë e ndryshimit në funksion të përmirësimit të të ushqyerit të shëndetshëm duke u nisur edhe nga ky aspekt.

Por atë ditë përtej trahanasë që gatuan nxënësit, unë mendova sesa shumë nevojë kemi të gjithë të jemi pranë fëmijëve tanë që në familje, t’i edukojmë ata të hanë mëngjes, por më së pari të gatuajmë dhe të ulemi në tryezë për të ngrënë së bashku të gjithë në familje. Gjithashtu t’i mësojmë të ushqehen në shtëpi edhe si pjesë e edukimit të zhvillimit të qëndrueshëm sepse është ekonomi, kursejmë para nga buxheti i familjes, duke mos blerë ushqime të gatshme, është aspekt social sepse krijojmë lidhje më të forta me familjen, është shëndet dhe së fundi është aspekt mjedisor, reduktojmë mbetjet (ambalazhet), konsumojmë produkte të freskëta në familje, zgjedhim ekuivalente më të shëndetshme dhe mbrojmë burimet ushqimore në raport me ato që prodhohen industrialisht.

Nga anketa që zhvilluam me nxënësit edhe në këtë pikë sesa të vetëdijshm janë ata për të bërë blerje, ku më së pari i shohin vlerat ushqimore dhe ato energjitike tek etiketat e ushqimeve, rezultoi se 36 % e nxënësve i shohin datat e skandencave tek etiketat para blerjeve dhe 24 % e tyre i shohin vlerat ushqimore, energjitike, sidomos ata nxënës që janë të lidhur me aktivitetet sportive.

Ndaj edhe sensibilizimin e shtrimë edhe në orë mësimi ku duke shfrytëzuar edhe informacionet në internet. Vetë nxënësit dhanë shembuj konkret mbi blerjet e shëndetshme, po ashtu edhe për zgjedhjen e ekuivalenteve ushqimorë më të shëndetshëm.

Kjo është sfidë e të gjithëvë, jo vetëm e shkollës, familjes, shoqërisë, por edhe politikave qeveritare dhe institucioneve përgjegjëse.

Në fund për të mbyllur reflektimet mbi aktivitetet e kësaj dite po prezantoj edhe recetën e kekut që u gatua nga mësuesja, Anila Myftari dhe u pëlqye më shumë gjatë panairit:

Kek me banane:
2 gota miell
3 vezë
1 gotë sheqer
vanilje pluhur
2 banane
1 gotë me arra
1 paketë me pluhur fryrës
1 filxhan kafeje qumësht
1 lugë lëng limoni
2 lugë gjalpë ambienti

Rrahim vezët me sheqerin dhe gjalpin. Shtojmë qumështin dhe lëngun e limonit. Më pas shtojmë miellin, vaniljen dhe pluhurin fryrës. Hedhim bananet e prera në rrota dhe arrat e grira jo shumë të vogla. Pasi ti përziejmë i hedhim në tepsinë që është lyer me gjalpë dhe e pjekim në 180 gradë për 30-45 minuta.

Ju bëftë mirë!

Print