Politika mjedisore e nesërme fillon si ndahen paratë sot

Si do të ndahen dhe përdoren paratë publike për zhvillimin ekonomik dhe kulturor të vitit të ardhshëm? Ketë na e tregon plani buxhetor i Qeverisë i cili këto dite është në diskutim në komisionet parlamentare. Sigurisht që nga mënyra e shpërndarjes se buxhetit të Qeverisë përcaktohet edhe politika e zhvillimit në vitin e ardhshëm si dhe në 2 vitet e tjera në vazhdim. Rrjeti i shoqatave mjedisore ECIM monitoron dhe avokon problemin e politikave mjedisore të zhvillimit të qëndrueshëm në vendin tonë, në kuadrin e programit SENiOR II, zbatuar nga REC Shqipëri dhe financuar nga Qeveria Suedeze.

Përcaktimi i buxhetit për vitin e ardhshëm konkretizon dhe mënyrën e zhvillimit të vendit. Sado të flitet për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm, shifrat e buxhetit tregojnë qartë se sa dhe si ajo do të realizohet.

Duke e vlerësuar këtë moment si pikënisjen konkrete të zbatimit të politikave mjedisore, Rrjeti ECIM kërkoi te ishte pjesëmarrës në diskutimin e buxhetit në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, kërkese që u pranua nga Parlamenti. Ky diskutim u realizua në datën 6 nëntor.

Paraprakisht, pjesëtarë të rrjetit u njohën dhe diskutuan projekt buxhetin e qeverisë për vitin 2018 duke ftuar në këtë diskutim dhe ekspert të fushës z. Arben Malaj (ekonomist dhe ish ministër i financave). Analiza u orientua në hartimin e buxhetit ndaj zbatimit të politikave mjedisore dhe të zhvillimit te qëndrueshëm. Dolën dy drejtime që ne menduam t’i sugjerojmë komisionit parlamentar: E para ishte rialokimi i buxheti që qeveria parashikonte për inceneratorin e Tiranës drejt zbatimit të menaxhimit të integruar të mbetjeve dhe e dyta përforcimi i buxhetit në drejtim të parandalimit të pasojave nga ndryshimi klimatik nëpërmjet mbjelljeve të pyjeve. Sugjerimi i parë argumentohej me faktin që investimi në djegien e mbetjeve që ka filluar në Elbasan dhe vazhdoi në Fier, nuk është në përputhje me strategjinë e menaxhimit të mbetjeve, nuk përputhet me detyrimin ndaj Bashkimit Evropian dhe nuk përben një zhvillim të qëndrueshëm në menaxhimin e mbetjeve, problem i madh mjedisor, social dhe ekonomik për vendin.

Pikërisht këto dy sugjerime u paraqitën dhe para Komisionit Parlamentar nga përfaqësuesit e Rrjetit dhe me gjerë: Xhemal Mato, Valbona Mazreku, Mentor Kikia, Ermelinda Mahmutaj dhe Elena Beta.

Diskutimi kaloi nga shifrat konkrete të buxhetit në politiken mjedisore të menaxhimit të mbetjeve. Ndërkohe që të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile përforcuan njeri pas tjetrit argumentet kundër financimit të djegies së mbetjeve, si një politike jo e qëndrueshme dhe që bie ndesh me strategjinë dhe ligjin e menaxhimit të integruar të mbetjeve, drejtuesi i Komisionit parlamentar, Eduart Shalsi e vlerësoi këtë proces si një metode të mirëpranuar nga politikat mjedisore dhe vuri në diskutim strategjinë e menaxhimit të mbetjeve si dhe ligjin përkatës të cilat, sipas tij, po rivlerësohen.

Print