A është efektive pjesëmarrja e qytetareve në qeverisjen vendore?

Kanë qene bashkitë e Malësisë së Madhe dhe Pogradecit në fokus të një takimi të përbashkët i mbajtur në Pogradec me 12 dhe 13 tetor 2017. Mbështetur në objektivat e nismës së ndërmarrë nga OSC “Gruaja në INTEGRIM” me mbështetjen e Delegacionit të BE në Tiranë, përmes programit ACHIEVE që zbatohet nga REC Shqipëri, u bë e mundur ndarja e praktikave të mira menaxhuese në drejtim të pjesëmarrjes së qytetarëve në planifikim dhe qeverisjen vendore, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e mekanizmave të informim - komunikimit me qytetarët.

Edhe pse pjesëmarrja qytetare është e drejtë kushtetuese dhe ligjore, zbatimi i tij në praktikë përballet me sfida dhe vështirësi. Kjo si rrjedhojë e faktorëve objektivë dhe subjektivë me të cilat përballen autoritetet vendore. Pjesëmarrja aktive dhe efektive e qytetareve është varësisht e lidhur me informacionin, aftësinë e perceptimit, vetëdijes, mjeteve financiare të bashkisë, kohën dhe efektivitetin e mekanizmave të informim – komunikimit me qytetarët.

Kanë qenë dy bashkitë, Malësi e Madhe dhe Pogradec, të ngjashme për nga madhësia, pasuritë natyrore, zona ndërkufitare dhe turistike të ngjashme që kanë shkëmbyer eksperiencat e tyre në drejtim të rritjes së pjesëmarrjes qytetarëve në planifikim dhe vendimmarrje. Në vizitën dyditore në Pogradec, autoritetet e dy bashkive target, shkëmbyen përvoja në mënyrën e administrimit të shërbimeve ndaj qytetareve, administrimin dhe aseteve natyrore me fokus në fushën turistike dhe etno-kulturore te cilat rrisin mundësitë e zhvillimit ekonomik te zonave Malësi e Madhe dhe Pogradec. N/Kryetare e Bashkisë Pogradec znj. Adriana Adhami, tregon që praktikat e deritashme ka dëshmuar se qytetarët janë më shumë të interesuar për pjesëmarrje në vendimmarrje vendore në ato raste kur vendimi prek drejtpërdrejtë interesat e ngushta të tyre, familjes dhe rrethit ku ata jetojnë. Sakaq, pjesëmarrja qytetare në qeverisjen vendore kërkon vetëdije qytetare dhe aktive me qëllim që bashkëpunimi të mos jetë i njëanshëm por të kemi qasje bashkëpunuese ndëraktive.

Ndërkohë, N/kryetari i bashkisë Malësi e Madhe, z. Sytki Ndreca në fjalën e tij pohon se angazhimi i bashkisë Malësi e Madhe ka qenë maksimal në drejtim të përfshirjes së qytetareve në qeverisje. Një numër i konsiderueshëm degjesash publike janë organizuar gjate procesit të hartimit të planit të përgjithshëm vendor, gjatë hartimit të planit të menaxhimit të mbetjeve, gjatë hartimit të buxhetit etj, por kemi sfida të tilla që kërkojnë mbështetje financiare dhe teknike si: krijimi i regjistrit elektronik për njoftime/konsultime publike në bashkinë Malësi e Madhe, struktura të posaçme për njoftime/konsultime dhe monitorim publik si dhe krijimi i instrumenteve për parandalim, kontroll dhe regjistrim të korrupsionit për të rritur transparencën dhe përmirësuar qeverisjen e qëndrueshme vendore.

Dy bashkitë target, tregojnë se ka shumë për të bërë drejt qeverisjes së mire lokale, përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, pjesëmarrjen aktive dhe efektive të qytetarëve në qeverisjen vendore si dhe përmirësimin e instrumenteve të informim – komunikimit. Ajo që vlen për t`u theksuar është fakti qe ndarja e praktikave mes autoriteteve të qeverisjes vendore është modeli më i mirë i ballafaqimit, shkëmbimit të modaliteteve, të të mësuarit dhe të të replikuarit te qasjeve pozitive! Sakaq, ka ende shumë për të bërë mbi pjesëmarrjen efektive në qeverisjen vendore!

Print