• Kreu
  • Të tjera
  • Aktiviteti njerezor
  • Projektet e përbashkëta – Shqipëria dhe Kosova standardizojnë lejet mjedisore

Projektet e përbashkëta – Shqipëria dhe Kosova standardizojnë lejet mjedisore

Zhvillimi i projekteve të përbashkëta si dhe promovimi i ndërsjellët i resurseve mjedisore, kulturore dhe turistike të Kosovës dhe Shqipërisë ishin në qendër të diskutimit mes Presidentit Meta dhe Ministres së Mjedisit të Kosovës. Presidenti Meta nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të ministrive homologe të Kosovës dhe të Shqipërisë në zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e mjedisit, me theks të veçantë në mirëmbajtjen e lumenjve dhe të hapësirave të tjera të përbashkëta.

Më herët Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës, Albena Reshitaj u takua me homologun e saj Blendi Klosi.

Duke u ndalur më konkretisht tek projektet e përbashkëta ministri Klosi tha se palët vendosën për standardizimin e përbashkët të lejeve mjedisore për ndotësit e mëdhenj në të dyja anët e kufirit.

“Vendosëm së bashku që të realizojmë një standardizim të lejeve mjedisore për problematikat e mëdha që kanë të bëjnë me ndotësit e mëdhenj të mjedisit e këtej apo andej Alpeve dhe që të kemi mundësi që së bashku ne të fillojmë edhe aksionet e mëdha sensibililizuese për qytetarët duke bërë që ata të kenë mundësi që të kuptojnë se ky është një mjedis i përbashkët, kjo është një natyrë e përbashkët, kjo është prona e kombit shqiptar dhe si pronë e kombit duhet të mbrohet, ndihmohet dhe mbështetet nga e gjithë qytetaria jonë”, – përfundoi fjalën e tij ministri Klos.

Ministrja Reshitaj konfirmoi interesin e përbashkët për mbrojtjen e natyrës dhe shëndetit të qytetarëve.

“Të gjithë e dimë që mbrojtja e shëndetit të njeriut është një sfidë globale dhe aq më shumë është sfidë për vendet që janë në zhvillim e sipër siç është vendi ynë, prandaj ne me projektet tona të përbashkëta do të sfidojmë këtë gjë dhe do të arrijmë që së bashku t’i japim një ngjyrë më të mirë, më të pastër vendit”, tha ministrja Reshitaj.

I njëjti angazhim i përbashkët u shpreh edhe gjatë takimit të Ministrit Klosi me Bajram Hasani Ministër i Tregtisë dhe Industrisë në Republikën e Kosovës.

Palët diskutuan mbi projektet në fushën e turizmit, duke vënë theksin në bashkëpunimin e ngushtë midis dy vendeve. Takimi vjen vetëm pak javë para mbledhjes së përbashkët midis qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës më 27 nëntor 2017.

Print