Shqipëria, me paterica në BE edhe sa i përket transparencës mjedisore

Nga Ben Andoni
Vendimi i pak ditëve më parë prej Gjykatës Administrative në Tiranë lidhur me padinë e banorëve të Margegajt dhe shoqatës ‘Toka’, që kërkonte anulimin e lejeve të ndërtimit të HEC-eve në Parkun Kombëtar të Valbonës përfundoi në disfavor të komunitetit. Kështu, lejet e qeverisë shqiptare në vitet 2009 dhe 2013 materializuan ndërtimin e HC-ve. Paçka kundërshtisë së publikut, ky akt i fundit vërtetoi se transparenca në çështjet mjedisore në vend është pothuajse nul.

Banorët u mbajtën larg procesit, që në momentin e kontratës së koncesionit dhe me radhë dokumentacionit: lejes mjedisore, të ndërtimit dhe asaj të përdorimit të rezervave ujore. Në këto kushte, u ka mbetur radha Organizatave të Shoqërisë Civile (OSHC) të marrin mbi vete barrën e mbrojtjes së çështjeve të hapura në gjyqësorin tonë. Mu në këtë mjedis, pas Forumit Kombëtar më 14 shtator 2017 me temë “Zbatimi i Legjislacionit Mjedisor Horizontal në Shqipëri” – Aspekte të pjesëmarrjes publike në marrjen e vendimeve mjedisore si dhe monitorimi i tyre – në hotel “Tirana”, me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve mjedisorë në vend, u parashtrua një dokument analizash dhe alternativash politike për përmirësimin e praktikave të pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrjen mjedisore, që e paraqet realitetin, por edhe parashikon transparencën e së ardhmes. Materiali përfaqësonte realisht produktin përfundimtar dhe ndër më të rëndësishmit e qendrës EDEN në kuadër të projektit “Perspektivë drejt integrimit në BE – Angazhim i qytetarëve aktivë dhe shoqërisë civile në politikat mjedisore”, në kuadër të programit ACHIEVE, i cili zbatohet nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.

Për fat të keq, ashtu si në rastin e Valbonës, interesi publik i një komuniteti të tërë jo vetëm nuk i ka bërë përshtypje pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv, por beteja e tyre kaloi pa u ndjerë, krejt e humbur në tollovinë e situatës së rëndë politiko-ekonomiko-sociale të vendit. Apeli publik i faktorit mjedisor, që pohonte se ndërtimi i hidrocentraleve do ta dëmtojë mjedisin dhe potencialin turistik të zonës së Alpeve Shqiptare, tashmë është fashitur. Në këtë hulli, njësoj si në këtë rast, s’bëjnë përjashtim edhe lejet nga Ministria e Industrisë, ajo e Mjedisit dhe agjenci të tjera shtetërore, që edhe pse premtojnë shpesh, rrallë ndjekin procedura të rregullta për lejet.

Kthim pas

Qeveria shqiptare, deri më tani ka miratuar ndërtimin e 14 hidrocentraleve mbi lumin e Valbonës dhe degët e veta, kurse ka mbjellë leje ndërtimi në vitet e fundit për plot 526 hidrocentrale në të gjithë Shqipërinë. Pothuaj, në diskutimin e procesit që paraprin ndërtimin e një pjesë të madhe të tyre, pjesëmarrja e publikut ka qenë aq e mangët saqë procedurat e informimit dhe konsultimit publik në vendimmarrjen mjedisore janë etiketuar me të drejtë nga sektori i shoqërisë civile si një proces fals, i cili nuk i përmbush as kërkesat më elementare ligjore, pasi nuk mbledh dhe shqyrton opinionin publik në vendimmarrje. “Pjesëmarrja e publikut, megjithëse raportohet si legjislacion i transpozuar plotësisht, nuk ka angazhim institucional dhe mbetet larg përmbushjes së qëllimit të tij. Kjo është konfirmuar edhe në seritë e vazhdueshme (2009 – 2017) të progres raporteve të BE-së për Shqipërinë, në të cilat mesazh i përsëritur është forcimi i pjesëmarrjes dhe informimit publik”, citohet në dokumentin e politikave të EDEN. Me të vërtetë, vitet e fundit, shumë kazuse mjedisore të organizatave të shoqërisë civile njësoj si rasti i fundit konfirmojnë mungesën e informacionit dhe pjesëmarrjes në vendimmarrje.

Pak histori

Që prej qershorit të vitit 2014, Këshilli Evropian i dha Shqipërisë statusin e vendit kandidat për integrimin në BE, fakt që i hap udhë zyrtarisht linjës së gjatë të reformave të rëndësishme teknike dhe ligjore. Në këtë vazhdë përafrimi i legjislacionit kombëtar me atë të BE-së është një nga parakushtet e pranimit në BE. Në korpusin e ligjeve të BE-së, për nga rëndësia, paketa ligjore për mjedisin është e dyta më e madhe pas asaj të bujqësisë. Ajo përfshin gati 200 akte të rëndësishme ligjore, të cilat mbulojnë cilësinë e ujit dhe ajrit, menaxhimin e mbetjeve, mbrojtjen e natyrës, kontrollin e ndotjes industriale dhe menaxhimin e rrezikut, kimikatet dhe organizmat e modifikuar gjenetikisht (OMGJ), zhurmën dhe legjislacionin horizontal. Kjo e fundit lidhet me shumë paketa të tjera ligjore dhe veçanërisht me atë mjedisore sa u përket çështjeve të ndryshme. Që do të thotë pjesëmarrje e publikut në proceset e vendimmarrjes duke përfshirë politikat qendrore dhe lokale, legjislacionin, investimet, etj. Vetëm nëse kjo do realizohet si duhet, shtrohet udha drejt një qeverisjeje transparente dhe demokratike, që vijon edhe pas angazhimeve në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për të forcuar zërin e qytetarit, e që gëzon të drejta nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Konventa e Aarhusit, programi Transparenca për Këshillin e Ministrave, ratifikuar nga qeveria shqiptare, etj. Referuar EDEN, paketa e Legjislacionit Horizontal, e cila përbëhet deri tani nga 7 paketa kryesore ligjore, në vetëm 4 prej tyre ka filluar të transpozohet në legjislacionin kombëtar shqiptar, për ta siguruar pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje: E drejta e publikut për të marrë informacion; Pjesëmarrja e publikut në vendimmarrje, Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis (VNM) dhe Vlerësimi Strategjik Mjedisor (VSM).

EDEN dhe partnerët

Në forumin e fundit kombëtar, në të cilën edhe qendra mjedisore EDEN prezantoi dokumentin e politikave “Prej synimit drejt integrimit në Bashkimin Evropian, në realitetin shqiptar të vendimmarrjes me pjesëmarrje” u rrahën shumë mendime, por edhe u tregua gjendja reale e transparencës ndaj publikut, përmes zërit të aktorëve të ndryshëm mjedisorë. Dokumenti politikave i hartuar, pasi vuri në dukje se: 1.Nuk ka zbatim korrekt dhe të plotë të legjislacionit në fuqi; 2.Mungojnë mekanizmat e duhur për sigurimin e pjesëmarrjes; 3.Mungojnë kapacitetet midis aktorëve të interesit, vërtetoi se përmirësimi i praktikave të vendimmarrjes me pjesëmarrje kërkon shumë vullnet politik dhe nuk ka implikime buxhetore të konsiderueshme. Zëra të ndryshëm në këtë konferencë konkluduan se “investimi në fushën e edukimit dhe ngritjes së kapaciteteve të të gjithë aktorëve të interesit dhe në të njëjtën kohë rrjetëzimi me OSHC-të mjedisore lehtëson kapërcimin e mungesës së burimeve dhe mekanizmave të komunikimit”.

Ashtu siç merret me mend, përqasja e përfshirjes së publikut, si një element kyç i qeverisjes për të arritur nivele të larta të demokracisë dhe qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm, është i përfshirë në politikat kombëtare, duke filluar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë deri në legjislacionin specifik për informimin dhe pjesëmarrjen e publikut, porse problem mbetet diferenca e perceptimit: Synimit drejt integrimit në Bashkimin Evropian – Situata reale e vendimmarrjes me pjesëmarrje. Për fat të keq ekzistojnë një mori politikash, por sa e përmbushin qëllimin e tyre këto politika? – ngre si çështje letra e politikave. Dhe këtu të pret një handikap i madh, sepse nëse duhet t’u referoheshim raporteve të monitorimit të ligjeve të zhvilluara nga institucionet përkatëse përgjegjëse, deri më tani nuk ka fare raporte të tilla publike. Ndaj për të vlerësuar nivelin e zbatimit, ekipi i punës, që hartoi dokumentin e politikave iu referua rasteve studimore të ndjekura për vite me radhë prej Organizatave të Shoqërisë Civile Mjedisore (OSHCM) dhe gjetjeve të raporteve të para monitoruese të bëra publike për zbatimin e Ligjit “Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik” të ndërmarra nga qendra EDEN dhe nga seksioni shqiptar i BIRN, i cili ka synuar qeverisjen vendore. Përfundimi kryesor ishte i hidhur: këto politika nuk kanë përmbushur objektivat të tyre kryesore në shumë elementë të rëndësishëm dhe situata është problematike që nga statura dhe puna reale e koordinatorëve të institucioneve, që kryejnë disa punë njëkohësisht; mënyra e shqyrtimit të komenteve dhe rekomandimeve; mënyrat e komunikimit për përfshirjen e publikut në vendimmarrje; raportet e Transparencës së Pjesëmarrjes së Publikut në Procesin e Vendimmarrjes. Me pak fjalë, publiku dhe shoqëria civile nuk gjenden fare mjaftueshëm aktivë përgjatë procesit të konsultimit.

Mësohet, por edhe është nënvizuar në këtë dokument të detajuar politikash prodhuar nga EDEN se sasia e madhe e informacionit që zotërohet nga institucionet publike duhet të bëhet publike sa më shpejt që të jetë e mundur në përputhje me parimin e procesit të konsultimit publik në fazat e hershme. Informacioni i siguruar në kohë dhe mundësisht sa më lehtë i aksesueshëm përbën një parakusht për pjesëmarrjen kuptimplotë të publikut dhe paraqet një mënyrë të lehtë e jo të kushtueshme për të siguruar një hap në zbatimin e procedurave ligjore. Ndërkohë që mjetet elektronike të informacionit, si faqet e internetit të thjeshta për të naviguar dhe bazat e të dhënave në internet mbeten mjete efikase për ta ndihmuar këtë çështje. Dhe, për t’i lehtësuar të gjitha këto detyra, letra e politikave shkallëzon disa nga alternativat që mbeten para njerëzve të mjedisit për të përmirësuar procesin e pjesëmarrjes dhe informimit të publikut në të ardhmen: Rishqyrtim i ndarjes së detyrave në administratën publike; fokusimi në rolin e koordinatorëve të pjesëmarrjes publike në nivel kombëtar, rajonal dhe vendor; edukimi i autoriteteve dhe stafit gjyqësor mbi rëndësinë dhe detyrimet ligjore të marrjes parasysh të opinionit publik; rritja e kapaciteteve për sigurimin e fondeve për rritjen e burimeve të dedikuara për procedurat e pjesëmarrjes publike. Gjëra të shumta të mundura, të cilat mund të realizohen në ditët tona, vetëm nëse ekziston vullneti. Por sa ekziston ai, rasti i fundit i Valbonës, e bën komunitetin e mjedisit shumë pesimist.

Print