Me shikimin përtej ACHIEVE

Shoqëria civile mjedisore shqiptare ka filluar të zërë më shumë vend mediatik dhe në jetën shoqërore të vendit përmes mbrojtjes së një sërë kauzash të forta mjedisore. Përpjekjet e saj për të ndaluar ndikimin negativ të HECve në lumenj, për moscënimin e zonave të mbrojtura nga investime të mëdha turistike, apo monitorimin e zbatimit të ligjeve mjedisore për ndotjen apo prerjet e paligjshme janë vetëm disa nga veprimet që dëgjohen më shpesh dhe që grupojnë numra të mëdhenj aktivistësh mjedisorë.

Më 22 nëntor 2017, Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri mbajti në Tiranë aktivitetin përmbyllës të projektit “Shoqëri Civile për një Mjedis Evropian - ACHIEVE”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga REC Shqipëri.

Aktiviteti ishte konceptuar jo vetëm si përmbyllje dhe shpalosje e rezultateve të këtij projekti, por edhe si një bashkëbisedim mes organizatave të shoqërisë civile përfituese nga projekti në lidhje me sfidat kryesore që ka shoqëria civile dhe kush mund të jenë hapat e mëtejshëm që duhen ndërmarrë nga shoqëria civile dhe nga mbështetësit e saj për përmirësimin e gjendjes.

Z. Mihallaq Qirjo, Drejtor i REC Shqipëri theksoi se roli i shoqërisë civile në zhvillimin dhe maturimin e mëtejshëm të demokracisë në Shqiperi është jo vetëm i domosdoshëm por edhe i pashmangshëm. NdoDh shpesh që organizatat e shoqërisë civile ndeshen me mosreagimin e institucioneve shtetërore, mosdhënien e informacionit të nevojshëm apo edhe presione të ndryshme për të hequr dorë nga kauzat e tyre. Përmes programit ACHIEVE dhe një sërë programesh të tjera të ngjashme, REC ka mbështetur që zëri i tyre të jetë i fortë, i organizuar dhe më profesional.

Në fjalën e tij përshëndetëse të z. Kai Nagel, menaxher i programeve për mjedisin në BE theksoi rëndësinë që ka shoqëria civile në adresimin e sfidave mjedisore dhe evidentimin e shkeljeve që bëhen në zbatimin dhe forcimin e legjislacionit mjedisor. Një risi e këtij viti ka qenë dhe kontributi më i strukturuar i shoqërisë civile mjedisore në lidhje me hartimin e Raportit Vjetor të BE-së për Shqipërinë në lidhje me kapitullin 27.

Menaxheri i projektit ACHIEVE, z. Rezart Kapedani u ndal në rezultatet e përgjithshme të projektit. Pavarësisht vështirësive që kishte fillimi i projektit si një projekt risi në mbështetjen e shoqërisë, ai i arriti pritshmëritë e tij. Ka pasur një përfshirje shumë të mirë të shoqërisë civile (145 OSHC të përfshira) dhe 39 organizata kanë përfituar mbështetje financiare për zbatimin e aktiviteteve të tyre. Po ashtu OShC-të kanë arritur që të hartojnë analiza të mirëfillta të boshllëqeve të legjislacionit, monitorime në praktikë të zbatimit të tij dhe shumë aktivitete që përfshijnë komunitetin, të rinjtë dhe vënien në praktikë të ideve të reja. 20 aktivitete për rritjen e kapaciteteve janë organizuar nga REC Shqipëri për përfituesit e programit.

Në lidhje me çështjet e të ardhmes, në katër tryeza të rrumbullakëta, përfituesit dhe kontribuesit e projektit diskutuan rreth përmirësimit të bashkëpunimit të OShC-ve me autoritetet shtetërore (qeveria qendrore dhe vendore), mungesën e ekspertizës së OSHC-ve mjedisore, përfshirjen e OShC-ve të vogla në çështjet rajonale dhe programet kombëtare dhe qëndrueshmërisë së OMShC-ve dhe lidhjen e tyre me komunitetin vendor.

Print