Hedhja e plehrave në rrugë, Veliaj paralajmëron lokalet

Kushdo që hedh mbeturinat në rrugë dhe jo në koshin e vendosur nga Bashkia e Tiranës do të gjobitet. Këtij rregulli nuk i kanë shpëtuar edhe bizneset të cilat ndonëse janë tepër luksozë dhe në qendër të Tiranës vijojnë që të hedhin qeset në rrugë, vetëm pak metra larg koshit, duke ndotur jo vetëm segmentin ku kalojnë çdo ditë qytetarët, por edhe krijojnë një pamje të shëmtuar për klientët e tyre.

Ka qenë vetë Kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili përmes një postimi në twitter, ka postuar rastin e vendosjes së gjobës ndaj një lokali në një prej rrugëve më të frekuentuara në kryeqytet sikurse është “Myslym Shyri”.

Inspektorët e Policisë e kanë dokumentuar shkeljen përmes kuponëve tatimorë të gjetur në qesen e plehrave të hedhur rrëzë pemës në rrugë përballë lokalit. Veliaj thekson se Bashkia e Tiranës do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të mbajtur pastër ambientin për qytetarët dhe për të marrë masa ndaj atyre që hedhin plehrat në rrugë.

“E dashur Kafe te “Myslym Shyri”. Të lutem kupto që jemi kail dhe t’i hapim qeset e plehrave hedhur rrëzë pemëve për të zbuluar kush i hedh! Sot fituat një gjobë dhe humbët disa klientë. Askush nuk do ta pijë kafen në ambient të bukur, por me sjellje të shëmtuar”, tha Veliaj.

Pavarësisht masave të vazhdueshme të marra nga Bashkia e Tiranës, kjo situatë kërkon padyshim edhe kontributin e qytetarëve në këtë drejtim, për të kuptuar se Tirana është shtëpia jonë e përbashkët dhe duhet të kujdesemi për pastërtinë e saj ashtu siç kujdesemi për shtëpitë tona.

Print