Përdorimi ekologjik i biomasës drunore për ngrohje

Problemi i energjisë së bashku me ujin dhe ushqimin paraqet një prej problemeve thelbësore të njerëzimit. Nevojat e shtuara dita ditës për energji, ndryshimet e çmimit në tregun botëror si dhe ndikimi i shtuar i prodhimit të energjisë në mjedisin jetësor kanë ndikuar që Energjetika, Ekologjia, Ekonomia dhe Efikasiteti të bëhen problem unik i njerëzimit dhe qëllimeve strategjike të shekullit 21 në kuptimin e çmimit, sasisë dhe ndikimit në mjedisin jetësor.

Këtij problemi nuk mund t’i shmanget as Kosova në të cilën përdorimi i energjisë elektrike, thëngjillit dhe drurëve për ngrohjen e vendeve të banimit, për gatim e nevoja tjera familjare janë burimet kryesore për mos thënë të vetme. Kuptohet se djegia e thëngjillit dhe drurëve janë burim i ndotjes së jashtme të ajrit si dhe ndotje substanciale të ajrit të brendshëm nëpërmjet ekspozimit të drejtpërdrejtë ose infiltrimit nga jashtë.

Niveli i ndotjes ndryshon shumë nën ndikimin e disa faktorëve si: Pozita gjeografike e një vendi, sasia e përdorimit të karburanteve të ngurtë, dhe përdorimi i pajisjeve dhe teknologjive të cilat përdorën për ngrohje. Vlen të theksohet se Evropa Qendrore është rajoni me përqindjen më të madhe të grimcave aerodinamike me diametër prej më pak se 2.5 mikrometra µg/m3 (PM2.5) që janë produkt/pasojë e ngrohjes së hapësirave banuese. Të dhënat profesionale dhe shkencore, tregojnë se emetimet nga ngrohja me dru dhe ngrohja me thëngjill shkaktojnë efekte serioze të shëndetit, përfshirë edhe vdekjen nga dëmtimi i organeve respiratorë dhe kardiovaskulare.

Djegia e drurit dhe qymyrit lëshon edhe kompozime kancerogjenë. Sipas disa hulumtimeve çdo vit në Evropë vdesin rreth 61 000 persona dhe rreth 10 000 në Amerikën e Veriut nga ndotja e ajrit shkaktuar nga përdorimi i thëngjillit dhe drurit për ngrohje dhe nevoja tjera familjare. Biomasa drunore përfitohet nga prerja e shkurreve, kaçubave, drurëve të prerë me rastin e rrallimeve pyjore, mbetjeve pyjore (rezidjuve dhe mbetjeve drunore) si dhe nga biomasa e presuar (ngjeshur) si: peleti, briketi dhe ashklat drunore.

Edhe pse përbërësi kryesor kimik i drurit është karboni (C) me përqindje rreth 50% dhe liron (emeton) rreth 109.6 kg CO2/GJ, d.m.th. më shumë se ligniti (101.2 kg CO2/ GJ, ndotja e ajrit të brendshëm dhe të jashtëm nga përdorimi i biomasës drunore si lëndë djegëse mund të zvogëlohet, veçanërisht në rastin e përdorimit të biomasës drunore nëse aplikohen këto standarde dhe rregulla: Lagështia përkatëse e prodhimeve të biomasës drunore në përputhje me normat dhe standardet. Në këtë kontekst përdorimi i drurëve, briketit dhe ashklave nuk guxojnë të kenë lagështin ma të madhe se 20% ndërsa peleti prej 8-10%. Përdorimi i biomasë drunore të terur me përqindje të lagështisë së lartë-theksuar liron shumë më pak tym si rezultat i djegies së plotë dhe mbetjes së sasisë shumë të vogël të hirit si dhe emetimit minimal të ndotësve të ajrit.

Faktor tjetër për mos të thënë kryesor në zvogëlimin e emetimit (lirimit) të ndotësve është përdorimi i pajisjeve për djegie të lëndës djegëse (kaldajave, stufave e pajisjeve tjera). Përdorimi i pajisjeve moderne dhe të certifikuara ose eko-pajisjeve dhe eko-teknologjive i zvogëlojnë emetimet në përqindje të tolerueshme për shëndetin dhe mjedisin. Pajisjet moderne dhe efecientë (kalldatë stufat e pajisje tjera) krijojnë temperatura shumë të larta me ç’rast arrihet shkallë më e lartë e shfrytëzimit të nxehtësisë dhe djegie e plotë e të gjithë përbërësve kimik, kështu që fitohet gati energji plotësisht e pastër pa ndikim negativ në ndotjen e mjedisit dhe shëndetin e njeriut.

Ndërlidhur me këtë ekzistojnë masa rregulluese dhe standarde të përfshira në rregulloret ekologjike dhe etiketat promovuese për kufijtë e emetimeve të caktuara nga Bashkimi Evropian (BE). Përveç zëvendësimit dhe ndërrimeve të përdorimit të teknologjisë dhe pajisjes për ngrohje, mundësi tjetër e uljes së ndotjes janë edhe caktimi i ditëve “jo ngrohje” që ndërlidhet me ndalimin e ngrohjes në orët e hershme të ditës (mëngjesit) dhe në rastin e kushteve klimatike kur shpejtësia e erës është shumë e vogël, përmbysjet e shpejta të temperaturave etj si dhe promovimi i eko-etiketatve.

Masat e lartë shkruara janë mjete të në dispozicion të hartuesve të politikave dhe politik bërësve për zvogëlimin e ndotjes së ajrit të brendshëm dhe të jashtëm. Duke pasur parasysh kontributet e ndjeshme të ndotjes së ajrit nga ngrohja e hapësirave të banimeve familjare dhe hapësirave punuese me lëndë djegëse të ngurta, është i pamundur trajtimi i problemit të ndotjes së ajrit në shumë pjesë të botës përfshirë edhe Kosovën pa e adresuar problemin në thelb të lëndëve djegëse.

Propozimi i ekspertëve të mjedisit (ambientit) dhe shoqatave mjedisore për zëvendësimin e karburanteve të ngurtë për prodhimin energjisë, në rastin konkret energjisë termike ( thëngjillit dhe biomasës drunore) me burime të ripërtërishme ( uji, era, dielli e burime tjera), në rastin e Kosovës, duhet studiuar shumë me zell dhe kujdes, kur dihen limitet sasiore të këtyre resurseve si dhe shkaktimi i dëmeve anësore nga shfrytëzimi i disa prej resurseve të ripërtërishme ( rinovueshme) siç është rasti me ndërtimin e hidrocentraleve të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në zvogëlimin e sasive të ujit për pije dhe nevoja tjera familjare, ujit për ujitje të tokave bujqësore, ndotje të ujit, zhdukjen e gjallesave ujore, shëmtimin e peizazhit e ndikime tjera.

Print