Leja mjedisore e HEC-eve mbi kanionet e Osumit, e skaduar

Leja mjedisore për ndërtimin e hidrocentraleve mbi kanionet e Osumit është e pavlefshme sepse i ka kaluar afati. Ky është vlerësimi i ndikimit në mjedis për ndërtimin e dy hidrocentraleve, ose ndryshe leja mjedisore. Siç duket qartë, leja është miratuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit në datën 26 mars të vitit 2015.

Por në pikën 8.2 të saj thuhet: Mosfillimi i aktivitetit brenda një periudhe dy vjeçare sjell për pasojë pavlefshmërine e vendimit për ushtrimin e këtij aktiviteti. Pra leja mjedisore ka pasur afat deri në në 26 mars të vitit 2017 dhe meqenëse deri në këtë datë ndërtimi i HEC-eve nuk ka filluar, kjo leje është bërë automatikisht e pavlefshme.

Sipas ligjit, koncesionari nuk mund të fillojë ndërtimin e hidrocentraleve pa marrë një tjetër leje mjedisore, e cila lëshohet nga agjencia kombëtare e mjedisit, një institucion në varësi të ministrisë së mjedisit.

Nëse agjencia nuk e rionovon lejen e mjedisit, atëherë kontrata koncesionare është aktualisht e rrëzuar. Ditët e fundit Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe ajo e Energjisë janë përfshirë në një ping-pong, duke u përpjekur të largojnë përgjegjësinë nga vetja.

Në datën 8 janar, ministri Blendi Klosi, përmes një memoje i ka kërkuar homologut të tij të energjisë Damian Gjiknuri që të anulojë koncesionin. Këtë të mërkurë Ministria e Energjisë deklaroi se është e gatshme ta anulojë koncesionin nëse ministria e Mjedisit e shpall lejen mjedisore të pavlefshme dhe nuk e rinovon atë.

Por teksa qeveria luan ping-pong brenda vetes, dokumentat tregojnë se ajo i ka të gjitha mundësitë ligjore për ta ndalur shkatërrimin e kanioneve të Osumit, duke filluar nga mosdhënia e lejes së mjedisit. Ajo që mbetet për tu parë, është nëse ka vullnetin përtej ping-pongun të përgjegjësive.

Print