• Kreu
  • Të tjera
  • Aktiviteti njerezor
  • Bumi i energjisë diellore, nga po vijnë panelet? Në 2017 importet kapën vlerën 110 milionë euro

Bumi i energjisë diellore, nga po vijnë panelet? Në 2017 importet kapën vlerën 110 milionë euro

Sektori i energjisë së rinovueshme ka marrë një vëmendje të veçantë në Shqipëri, duke nxitur interesin e investitorëve dhe sipërmarrësve vendas e të huaj. Gjatë vitit 2017, miratimi i skemës së subvencioneve për prodhimin e energjisë nga dielli dhe era, bëri që të “shpërthejnë” aplikimet për centrale fotovoltaike. Ndërkohë që projektet e para në këtë fushë po nisin të konkretizohen dhe gjithmonë e më tepër shtëpi e biznesi po zgjedhin të instalojnë panele diellore, mes sipërmarrësve ka nisur “lufta” për furnizimin e këtij hovi energjetik.

Duke analizuar të dhënat zyrtare të Bashkimit Europian, partnerit kryesor tregtar për vendin, se vitin e kaluar pati një bum të importeve për pajisje gjysmëpërcjelljëse fotosensitive, përfshirë edhe qelizat fotovoltaike.

Vlera totale e importeve për këtë grup mallrash arrin në 110.6 milionë euro, nga ku 63,8 milionë euro janë importuar vetëm gjatë periudhës Qershor-Shtator 2017.

Ndonëse në dukje kjo është një shifër shumë e lartë, ajo është në përputhje me kërkesat aktuale të tregut. Kujtojmë që vetëm për 10 aplikimet e publikuara nga MIE gjatë muajit tetor, vlera e investimeve arrinte në 23.2 milionë euro, pjesa më e madhe e të cilave do të shkojë pikërisht për blerjen e paneleve fotovoltaike.

Sa i takon vendeve të origjinës të këtyre mallrave, dominojnë Italia me 37.6 milionë euro dhe Gjermania me 27.7 milionë euro.

Ndërkohë, të dhënat e institutit të statistikave të Gjermanisë flasin për dyfishim të eksporteve nga viti në vit drejt Shqipërisë për makineri për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike. Makineri të tilla përfshijnë edhe turbinat e hidrocentraleve, për të cilat interesi në vend nuk ka shfaqur aspak rënie.

Për më shumë lexoni në...http://www.scan-tv.com/bumi-energjise-diellore-nga-po-vijne-panelet-ne-2017-importet-kapen-vleren-110-milione-euro/

Print