Monument Kulture – Mbrohet nga shteti … dhe nga privati gjithashtu!

Ndërtimet e kullave dhe pallateve shumëkatëshe janë bërë një trendi i padiskutueshëm në realitetin shqiptar. Nga njëra anë kemi makuterinë e biznesit dhe grupeve që komandojnë politikbërjen, dhe nga ana tjetër kemi mefshtësinë, indiferencën dhe nënshtrimin tonë ndaj kësaj gjëndjeje.

Pavarësisht të metave të mëdha në drejtim të lirive dhe të drejtave të njeriut si dhe mungesën e komoditetit në ndërtesat e banimit para viteve ’90, planifikimi urban dhe harmonizimi i hapësirave publike me parqet dhe lulishtet ishte superior krahasuar me atë që ne vetë po i bëjmë qyteteve dhe qëndrave urbane sot.

Nga njëra anë kemi qytete që po vdesin, ndoshta shumë shpejt do të shuhen fare nga harta e qëndrave të banuara sepse trendi është të dyndemi të gjithë drejt kryeqytetit apo dy tre qyteteve të tjera bregdetare, nga ana tjetër kemi një keqpërdorim të hapësirave publike në këto qytete ku pushtetet dhe bizneset pas viteve ’90 kanë orientuar lëvizjen e banorëve.

Sot, në 7 Mars 2018, më bëri përshtypje një fakt i cuditshëm, ku një monument kulture i restauruar nga shteti monist, në vitin 1984, është nën mbrojtjen e “rreptë” të shtetit tonë dhe të privatit. I pari, shteti e mbron me anë të një pllakate të vockël të vendosur tek monumenti, ndërsa i dyti, privati, edhe më bujar, e mbron edhe fizikisht me anë të një strehe prej betoni me qëllim që të mos dëmtohet nga dielli, shiu apo agjentët atmosferikë. Një sinkronizim i përkryer i mbrojtjes së monumenteve kulturore ashtu si në çdo fushë tjetër.

Shumë pranë qendrës së Tiranës janë ndërtuar me dhjetëra pallate shumëkatëshe, objekte kulti fetar e qendra tregtare, por cuditërisht asnjë tullë nuk është vendosur për asnjë institucion publik, shkollë apo objekt kulturor. Bile edhe Teatrin duam ta modernizojmë e ta vendosim brenda kullave të mëdha, se kështu është moda në botën moderne, nuk duhet të kemi asnjë ndërtim të vjetër, të shëmtuar, nuk na duhen as lulishtet, as këndet e lojrave, as parqet, se në fund të fundit, orientimi që po i bëjmë të rinjve është modern, vërtet modern.

Ja p.sh. në çdo kat të parë të pallateve shumëkatëshe që janë ndërtuar dhe po ndërtohen do kemi hapësira të bollshme me lloto sport dhe lojra fati, që rinia të argëtohet dhe të kalojë kohën në mënyrë moderne, ashtu siç bëjnë sot të rinjtë në botën e qytetëruar. Në vend të parqeve e lulishteve të dikurshme do të ndërtojmë kulte fetare, që njerëzit të ushtrojnë lirshëm besimin e tyre, paçka se aty ishte lulishte apo kend lojrash për fëmijë, ato nuk na duhen më sepse trendi i kohës është playstation dhe media sociale.

E sa shpejt përshtatemi ne me pjesën tjetër të botës së qytetëruar, dhe sa modern e ndjejmë veten. Ne nje vend ku modernizimi lidhet me mohimin e të kaluares sepse dashur pa dashur ajo është fshirë dhe vazhdon te fshihet nga dora bujare e shahistëve biznesmenë që luajnë me gurët e shahut, politikanët e të gjithë ngjyrave dhe krahëvee, duke e lënë rininë të ëndërrojë për një botë moderne të ndërtuar vetëm nëpërmjet teknologjisë dhe jo punës, inisiativës së lirë dhe vullnetit. S’e di se çfarë do të ndodhte nëse nuk do kishin ndërtuar pushtuesit disa ndërtesa qysh një shekull më parë që sot I përdorim ne për ministri e insitutione publike?

Print