Librazhd, mbetjet urbane dhe ato spitalore derdhen në përrua

Përroi i Lushit, në fshatin Qendër të Librazhdit, prej më shumë se 20 vitesh është kthyer në pikë-grumbullim për mbetjet e qytetit dhe jo vetëm. Banorët e fshatit janë ankuar në emisionin “Fiks Fare” pasi aty kanë gjetur edhe mbetje spitalore. Gazetarët e emisionit vëzhguan situatën në vendngjarje. Midis mbetjeve gjetën edhe mbetje spitalore si shiringa, aparate serumesh, medikamente si dhe qeska që mbajnë ujin fiziologjik. Sipas banorëve, mbetjet derdhen nga përroi i Lushit në Shkumbin, por ka edhe raste kur ato digjen.

“Ne i shohim çdo ditë që vijnë sjellin plehra këtu. Era e keqe ndihet kudo, këtu s’mund të jetohet. Ne kemi gjetur edhe mbeturina spitalore, dimë ne çfarë nuk hedhin këtu”, shprehen disa banorë. Një tjetër thotë se janë ankuar disa herë, por nuk është bërë asgjë nga ana e institucioneve.

Gazetarët e emisionit “Fiks Fare” lidhur me këtë problem i janë drejtuar Spitalit të Librazhdit. Nëndrejtori i këtij institucioni, Astrit Askurti e mohon faktin se spitali i hedh mbetjet spitalore në këtë vendgrumbullim, pasi të gjitha mbetjet spitalore merren nga një kompani e tenderuar dhe çohen për përpunim në Tiranë. “Ne nuk hedhim mbetje. Kemi kontrata me një kompani e cila vjen i merr dhe i çon në Tiranë për trajtim. Këtë rast që ju tregoni nuk e kam idenë, ndoshta janë mbetje që i hedhin banorët ose këto poliklinikat e qytetit. Ne kemi pasur kontratë me Meditel dhe tani me një tjetër kompani, Eco Medica”, u shpreh z. Askurti.

Gjithashtu, ata dolën në përfundimin se zona duhet rehabilituar dhe të ndalohet hedhja e mbeturinave nga subjektet private. “Fiks Fare” i është drejtuar edhe Bashkisë së Librazhdit. Shefi i kabinetit, Albano Roçi tha se janë në dijeni të situatës. “Ne jemi në dijeni që aty prej shumë vitesh grumbullohen plehra, është problem i vjetër. Megjithatë, ne sot morëm vendim që mbetjet e qytetit do t’i çojmë të gjitha në Elbasan. Vendi aty do të pastrohet i gjithi”, premtoi ai.

Print