"Tirana Green City" dhe një qytet inteligjent si Tirana

Pas dy dekada e gjysmë përpjekjesh për t’u kthyer në një metropol europian, prej 3 vitesh Tirana ka filluar të krijojë një identitet unik dhe të kalojë në një tjetër stad, atë të të qenurit një qytet inteligjent ose ndryshe “Smartcity”. Kështu, sipas strategjisë “Go Tirana Smart City 2016-2026”, bashkia e Tiranës përmes një nisme të përbashkët me UNDP Albania synon t’i japë zgjidhje problematikave apo mundësive të shumta që ofron qyteti dhe investim përmes ndërhyrjeve të ndryshme.

Pesë shtyllat kryesore mbi të cilat mbështetet një qytet smart: lëvizshmëria (të lëvizim lirshëm), shoqëria (drejtimi i energjisë dhe talentit të qytetarëve), një qytet i jetueshëm, rritje ekonomike dhe jeta rurale (një thesar i fshehur).

Një tjetër projekt “Tirana Green City” ka nisur. Krahas nismës së guximshme për të mbjellë 2 milionë pemë deri në vitin 2030 dhe për të krijuar atë që do të quhet si Pylli Orbital, Bashkia e Tiranës ka vendosur që të nxisë një revolucion të vërtetë edhe në transportin e gjelbër publik.

Sipas bashkisë së Tiranës, në total janë tre drejtimet që po punohet: E para, ka të bëjë me shtimin e korsive të biçikletave dhe ardhjen e 4 mijë biçikletave në Tiranë, e dyta ka të bëjë me nxitjen e rinovimit të flotave të taksive në taksi elektrike, dhe e treta, transporti urban. Ashtu siç edhe kishte premtuar kryebashkiaku Erion Veliaj, Tirana shumë shpejt do të ketë linjën e parë të transportit urban krejtësisht të gjelbër.

Lëvizshmëria – Të lëvizim Lirisht

Gjetja e zgjidhjeve për një sistem transporti të sigurt, të pastër dhe miqësor ndaj mjedisit përbëjnë prioritet për bashkinë e Tiranës. Kështu, kjo e fundit në mbrojtje të mjedisit po synon uljen e nivelit të ndotjes përmes futjes së linjave të autobusëve dhe makinave elektrike. Po kështu, bashkia me synim përmirësimin e transportit publik ka vendosur një sërë kriteresh që duhet të përmbushë transporti publik, në të kundërt ka menduar që të vendosen gjoba. Këto të fundit, përmes kontrolleve të vazhdueshme në linjat e autobusëve.

Shoqëria – Drejtimi i energjisë dhe talentit të qytetarëve

Sipas kryetarit Veliaj, aseti më i vlefshëm i qytetit tonë janë njerëzit e tij, punëtorë, të përkushtuar dhe krijues, me dëshirë për të përqafuar e nxitur gjithmonë ndryshimin. Kështu, herë pas here ai jo vetëm promovon punonjësit e bashkisë për përkushtimin e tyre, që nga punonjësit e mirëmbajtjes së qytetit, e deri te drejtoret e departamenteve të ndryshme. Sakaq, përmes festivale të ndryshme rinore dhe për fëmijë, Veliaj synon rigjallërimin e jetës artistiko-kulturore në kryeqytet.

Jetesa – Një qytet i jetueshëm

Një qytet “smart” mundëson përmirësimin e jetesës së qytetarëve të tij me mënyra që ndihmojnë rritjen ekonomike dhe barazinë sociale. Sipas Veliaj, një qytet i suksesshëm  përmbush nevojat primare të banorëve, por në të njëjtën kohë mbetet tërheqës, duke përmirësuar dhe zbuluar vetveten. Cilësia e jetesës varet në masë të madhe nga shërbimi shëndetësor, siguria, lehtësia e përdorshmërisë së shërbimeve publike, por edhe nga faktorë si ruajtja e trashëgimisë historike e kulturore dhe nga zhvillimi i saj.

Ekonomia 

Një qytet i vetëmjaftueshëm mund të jetë i tillë, vetëm kur komuniteti përbëhet nga individë të cilët punojnë vazhdimisht për t’a përmirësuar atë. Një qytet “smart” duhet të jetë një vend i dëshirueshëm për të jetuar, punuar dhe për të shpenzuar kohë të lirë. Sipas shifrave të bëra publike nga vetë kryetari i bashkisë, çdo ditë Tiranës i shtohen shumë njerëz, që zgjedhin të ndërtojnë jetën në kryeqytet.

Jeta rurale – thesari i fshehur

Një zhvillim i qëndrueshëm kërkon balancë ndërmjet modernizimit dhe identitetit tradicional, zhvillim urban, por edhe nxitje të jetës rurale. Në vitin e dytë të mandatit, në fokus të investimeve të Bashkisë së Tiranës ka qënë përmirësimi i infrastrukturës në zonat rurale, por edhe promovimi i produkteve tradicionale të tyre.

Print