Rikonstruksioni i rrugës Fier-Seman, zhvillim bujqësisë dhe turizmit

Rikonstruksioni i rrugës Fier-Seman do t’u shërbejë rreth 17 mijë banorëve të 20 fshatrave të zonës, duke sjellë një impakt të konsiderueshëm edhe në zhvillimin e bujqësisë. Me një gjatësi prej 18 km, kjo rrugë lidh zonën urbane të qytetit të Fierit me plazhin e Semanit.

Aktualisht, sipas Kyetarit të Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, punimet në këtë segment rrugor kanë avancuar deri në kthesën e Pojanit.

Rruga Fier-Seman është shumë e frekuentuar nga banorët e zonës dhe turistët. Ky projekt është gjithashtu një aks i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në Fier dhe zonat përreth  dhe pritet të përmirësojë ndjeshëm aksesin për në plazhin e Semanit.

Aktualisht rruga ekzistuese është e asfaltuar, por seriozisht e dëmtuar, gjë që krijon vështirësi lëvizjeje për mjetet. Gjatë sezonit veror, situata përkeqësohet për shkak të rritjes së fluksit të mjeteve.

Rikonstruksioni i kësaj rruge do të përmirësojë cilësine e jetës për komunitetin dhe do t’ i japë shtysë zhvillimit rajonal, si dhe bizneseve, ekoturizmit, duke kontribuar në një rritje të përgjithshme të mirëqenies.

Rikonstruksioni i kësaj rruge bëhet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me gazsjellësin TAP, në kuadër të investimeve për përmirësimin e infrastrukturës përgjatë gjurmës ku kalon ky gazsjellës.

Print