Katër HEC-E në axhendën e KKT

Këshilli Kombëtar i Territorit ka përfshirë në axhendën e tij të radhës këtë të premte 18 pika për miratim ku, mes të tjerave, bien në sy dy resorte turistike të reja në zonën e Jalit, rishikimi i kushteve të lejes për një tjetër resort tek Gjiri i Lalëzit, katër hidrocentrale dhe tre plane vendore. Kjo është hera e parë pas një serie mbledhjesh që KKT vendos të mos fokusohet tek ndërtimet shumëkatëshe në Tiranë. Por cilat janë në detaj resortet, HEC-et dhe planet vendore që pritet të kalojnë sot.

Resortet turistike

Axhenda e KKT përfshin tre pika që lidhen me leje për resorte turistike. Konkretisht janë dy leje ndërtimi që pritet të kalojnë ku e para për objektin: “Resorti turistik “Soleil 2”, me vendndodhje në Jal, Bashkia Himarë”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Soleil & Sea” sh.p.k. dhe e dyta për resortin turistik “Soleil Vip Hotel”, me vendndodhje po në Jal dhe me të njëjtin subjekt zhvillues. Subjekti ka të zhvilluar tashmë disa struktura në të njëjtën zonë gjeografike, duke përfshirë atë që njihet si Folie Marine.

Subjekti Soleil & Sea sh.p.k. rezulton i regjistruar në QKR në vitin 2012 dhe me ortak të 100 për qind të kuotave Ardit Bajraktarin.
Një tjetër resort në axhendë është ai San Pietro tek Gjiri i Lalëzit, me subjekt zhvillues “Concord-Investment” sh.p.k., por për këtë të fundit Këshilli Kombëtar i Territorit duhet të rishikojë kushtet e lejes ekzistuese të ndërtimit.

Katër HEC-e marrin leje ndërtimi

Këshilli Kombëtar i Territorit ka në fokus të tij këtë të premte katër leje ndërtimi për hidrocentrale. Leja e parë parashikon ndërtimin e hidrocentralit “Vilë”, në ujërat e rrjedhës së mesme dhe të poshtme të luginës së përroit të Panaritit, Bashkia e Korçës, Qarku i Korçës. E dyta HEC-in “Strori” në përroin e Holtës dhe Seltës, degë e lumit Devoll, Bashkia e Gramshit, Qarku i Elbasanit.

I treti është HEC “Meshurdh” në përroin e Meshurdhit dhe Shkozës, degë e Lumit Fan i Madh, Bashkia e Mirditës, Qarku i Lezhës. I katërti është HEC “Deni” në përroin e Përpizës, në krahun e djathtë të rrjedhës së lumit Mat, Bashkia e Bulqizës, Qarku i Dibrës.

Tre plane të tjera vendore gati për miratim

Të dhënat zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit tregojnë se deri më tani janë miratuar 29 plane vendore ndërkohë që 11 të tjera janë në proces. Lista e planeve të miratuara pritet që të shtohet edhe me të paktën tre Bashki, duke çuar totalin në 32 pasi KKT ka në axhendën e saj planin Vendor për Bashkitë e Klosit, Kavajës, Vau i Dejës.

Një pjesë tjetër e bashkive janë ende në proces hartimi të planeve të tyre vendore.

Axhenda e datës 27 prill në KKT
1. Për miratimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë së Klosit.

2. Për miratimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë e Kavajës.

3. Për miratimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Vau i Dejës.

4. Leje ndërtimi për objektin: “Ndërtimi i burimit të ri gjenerues të energjisë, hidrocentralit “Vilë”, në ujërat e rrjedhës së mesme dhe të poshtme të luginës së përroit të Panaritit, Bashkia e Korçës, Qarku i Korçës”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Hydro Power Panarit” sh.p.k.

5. Leje ndërtimi për objektin: “Ndërtimi i burimit të ri gjenerues të energjisë, hidrocentrali “Strori”, në përroin e Holtës dhe Seltës, degë e lumit Devoll, Bashkia e Gramshit, Qarku i Elbasanit”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Era Hydro” sh.p.k.

6. Leje ndërtimi për objektin: “Ndërtimi i burimit të ri gjenerues të energjisë, hidrocentralit “Meshurdh”, në përroin e Meshurdhit dhe Shkozës, degë e Lumit Fan i Madh, Bashkia e Mirditës, Qarku i Lezhës”, me subjekt zhvillues shoqërinë “SimaCom” sh.p.k.

7. Leje ndërtimi për objektin: “Ndërtimi i burimit të ri gjenerues të energjisë, hidrocentrali “Deni”, në përroin e Përpizës, në krahun e djathtë të rrjedhës së lumit Mat, Bashkia e Bulqizës, Qarku i Dibrës”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Asi-Tre” sh.p.k.

8. Leje ndërtimi infrastrukturore për objektin: “Ndërtimi i linjës së shpërndarjes 10kv për furnizimin me energji të fshatrave Gjinikas, Osoje, Kodras, Protopapë, Peshtan, me vendndodhje në Bashkinë e Korçës dhe Bashkinë e Maliqit”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Devoll Hydropower” sh.a.

9. Leje për ndryshim projekti gjatë ndërtimit për objektin: “Linjë transmetimi e energjisë elektrike 110 Kv Skurraj – Laç 1, Bashkia e Kurbinit”, me subjekt zhvillues shoqërinë “OST” sh.a.

10. Leje ndërtimi për objektin: “Qendër grumbullimi për ruajtjen , distribuimin dhe eksportin e frutave, perimeve dhe agrumeve, me vendndodhje në Bashkinë e Lushnjës”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Doni Fruits” sh.p.k.

11. Leje ndërtimi për objektin: “Ndërtim magazinash, showroom, zyra, rikonstruksion i objekteve ekzistuese, shtesë kati dhe shtesë anësore”, Bashkia e Vorës”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Kato Aromatik Albania” sh.p.k.

12. Leje ndërtimi për objektin: “Rikonstruksioni dhe shtesë anësore në ambientet e godinës civile të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Bashkia e Tiranës”, me subjekt zhvillues Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Tiranë.

13. Leje ndërtimi për objektin: “Ndërtimi i objektit të ri, godinë 3-katëshe, për laboratorin e Gjeologjisë dhe ambiente të tjera ndihmëse për Shërbimin Gjeologjik Shqiptar”, me subjekt zhvillues Shërbimin Gjeologjik Shqiptar.

14. Leje ndërtimi për objektin: “Rikonstruksion dhe shtesë kati i Spitalit të Pediatrisë Durrës”, Bashkia e Durrësit, me subjekt zhvillues Spitali Rajonal Durrës.

15. Leje ndërtimi për objektin: “Resorti turistik “Soleil 2”, me vendndodhje në Jal, Bashkia e Himarës”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Soleil & Sea” sh.p.k.

16. Leje ndërtimi për objektin: “Resorti turistik “Soleil Vip Hotel”, me vendndodhje në Jal, Bashkia Himarë”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Soleil & Sea” sh.p.k.

17. Për rishikimin e kushteve të lejes së ndërtimit ekzistuese për resortin turistik “San Pietro, me vendndodhje në Gjirin e Lalëzit, Bashkia e Durrësot, miratuar me Vendimin Nr. 7, datë 05.05.2015 të Këshillit Kombëtar të Territorit, me subjekt zhvillues shoqërinë “Concord-Investment” sh.p.k.

18. Njoftim anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Territorit mbi kërkesat për kontroll përputhshmërie të shqyrtuara nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, për periudhën 10.11.2017 deri më tani, sipas Vendimit Nr. 1, datë 30.07.2015 “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave që do të ndiqen nga Autoritetet e Zhvillimit të Territorit për shqyrtimin e kërkesave për Leje Ndërtimi deri në miratimin e Planeve të Përgjithshme Vendore”, i ndryshuar.

Print