BEI: Shqipëria mirë me energjinë

Shqipëria, ashtu si pjesa më e madhe e vendeve të Ballkanit Perëndimor është një ndër ato shtete, ekonomia e të cilave është më mirë se ç`ishte përpara krizës ekonomike globale. Banka Europiane e Investimeve në raportin e fundit për rajonin nënvizon kështu pikat e forta dhe të dobëta të ekonomive të rajonit, duke nxjerrë në pah diferencën me Europën por edhe diferencën me vitet e para krizës.

Sa i përket Shqipërisë, pikat e forta strukturore vlerësohen: varësia energjetike, avantazhi konkurrues, konsumi i energjisë së rinovueshme apo emetimi i dioksidit të karbonit. Gjithsesi, këto dy të fundit, janë përkeqësuar më lehtë në krahasim me periudhën e para krizës, rrjedhojë kjo e zhvillimit teknologjik dhe industrial të një ekonomie si Shqipëria.

Edhe sofistikimi i zinxhirit të vlerave të ekonomisë vlerësohet si një pikë e fortë e Shqipërisë nga Banka Europiane e Investimeve, në të njëjtat nivele edhe me fqinjët në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pikat e dobëta nga ana tjetër janë: humbjet energjetike, shpenzimet për shëndetësinë, edukimi i dobët, eksportet high-tech, që janë përkeqësuar në krahasim me periudhën para krizës, apo densiteti i hekurudhave. Progresi më i madh mes periudhës së para krizës dhe asaj të pas krizës është bërë në drejtim të humbjeve energjetike.

Print