Guroret që masakruan Skraparin, reagon qeveria: Lejet do revokohen, jo HEC-ve

Nuk do të qëndrojë asnjë ditë më shumë në detyrë, drejtuesi i çdo niveli që abuzon me detyrën në mospërgjigje të qytetarëve. Nga Skrapari ku nisi turin e llogaridhënies për qarkun e Beratit, ministri Blendi Klosi ftoi qytetarët të denoncojnë në portalin e bashkëqeverisjes cdo rast abuzimi, korrupsioni apo neglizhence ndaj drejtuesëve të cdo institucioni. 

Ka ardhur koha që problemet të dalin e dritë dhe të mos ketë pushtetarë që rrinë me vite të tëra dhe nuk japin llogari para njerëzve. Ministri Klosi theksoi se mandati i kësaj qeverie ka si devizë shërbesën dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve.

Shqetësimit të ngritur nga disa qytetarë për mbylljen e guroreve ministri Klosi iu përgjigj se natyra nuk mund të dëmtohet. Lejet e guroreve do të revokohen për t’i dhënë fund shkatërrimit të malit të shenjtë të Tomorit.

Ndërsa bllokimi i HEC-eve në këtë zonë ishte beteja e fituar për të mbrojtur natyrën e bukur të kësaj zone.  Kreu i Turizmit dhe Mjedisit tha se zhvillimet ekonomike nuk mund të cënojnë mjedisin dhe se biznesi duhet të zhvillohet në zona ku impakti në mjedis është më i vogël.

Duke përmendur investimet që janë bërë dhe po bëhen në qarkun e Beratit, ministri Klosi tha se qarku i Beratit do të ketë 4 rrugët e tij hyrëse falë të cilave do të ketë zhvillim në të gjithë sektorët.

Në fund të takimit ministri Klosi i kërkoi sërish qytetarëve që për çdo shqetësim të shkruajnë portalin e bashkëqeverisjes si formën më të mirë për marrë zgjidhje për problemet e tyre.

Fjala e ministrit Klosi

“Sot kemi shumë më shumë qytetarë që i janë bashkuar platformës sonë të bashkëqeverisjes.

Ndaj unë ju kërkoj këtu publikisht, edhe si anëtar i qeverisë, edhe si deputet i kësaj zone, por edhe si qytetar bashkohuni në platformën e bashkëqeverisjes, kritikoni, ngrini shqetësimin tuaj për këdo nga drejtuesit, çfarëdo niveli ai qoftë i cili mendoni se ju kanë ngrënë hakun, nuk ka zbatuar atë që duhet.

Është shumë e thjeshtë, mjafton që secili nga ju të aplikojë në platformën e bashkëqeverisjes në Shqipëriaqëduam.al të identifikohet, të ngrejë shqetësimin, dhe padyshim do të marrë një përgjigje, do të marrë zgjidhje nëse halli ka zgjidhje, por nuk do të rrijë qytetari me ndjesinë që ky drejtor, ky specialist i thjeshtë nuk më respekton.

Ne duhet të marrim opinionin e gjithësecilit nga ju për mënyrën sesi kanë funksionuar drejtuesit lokalë këtu në bashkinë e re, por edhe në të gjthë qarkun e Beratit. Edhe për tw folur se çfarë mund të bëhet më mirë në këtë zonë.

Në fushën që unë mbuloj padyshim që ka shumë për të përmirësuar por ne për këtë zonë kemi bërë disa diskutime të forta, edhe disa beteja po ashtu.

Diskutime përsa i përket aksesueshmërisë, sesa do të mundemi që të përfundojmë 4 rrugët e reja hyrëse në qarkun e Beratit. ku e para padyshim është rruga e re për të ardhur në Skrapar e cila do të ketë mundësinë që të japë zhvillim turizmit dhe kjo do të ndodhë dhe po ndodh. Po ashtu hyrja tjetër e Beratit që ka të bëjë me daljen nga Kuçova drejt Elbasanit dhe Tiranës, shumë shpejt do të jetë gati, edhe për çdo qytetar për të shkuar në Tiranë, do të ketë një mundësi të re që do të përgjysmojë kohën e nevojshme nga Berati në Tiranë për të reduktuar më shumë se 40 minuta nga rruga normale. Po kështu përsa i përket rrugës së tretë që lidh Urën Vajgurore me Lushnjën për të pasur mundësi që të kemi një aksesueshmëri të prodhimit bujqësor.

Përsa i përket kësaj zone, ne kemi shumë potenciale të vërteta të zhvillimit turistik. Kanionet e Osumit kemi bërë një betejë të madhe për t’i mbrojtur. Mund të ketë edhe këtu që do ta ngrejnë shqetësimin; a duhen HEC-et apo duhet bukuria natyrore. Unë mendoj dhe kam qenë publikisht pro mbrojtjes së natyrës shumë të bukur që ka kjo zonë.

Padyshim diku mund të ketë edhe zhvillim por jo këtu, jo në këtë bukuri natyrore, e cila është një nga kartolinat më të bukura të Shqipërisë. Prandaj ne duhet ta mbrojmë.

Prandaj unë ju kërkoj edhe publikisht edhe pse jam anëtar i qeverisë; ta mbrojmë shumë më tepër natyrën e bukur që ka kjo zonë. Po ashtu me malin e Tomorit.

E di që ka këtu ndonjë që ka punuar edhe guroret në malin e Tomorit, dhe ne i bllokuam. Kemi bërë një vendim tani që do t’i revokojmë fare lejet.

Mali i shenjtë i Tomorit, një mrekulli natyrore, turistike por edhe ndjesie edhe komunitetin bektashi nuk mund të jetë mali që çirret dhe transformohet si askund tjetër i shkatërruar.

Ne nuk jemi kundër biznesit të guroreve, nuk jemi kundër biznesit të gurit, ai padyshim mund të zhvillohet, ka zona të tjera, por ka edhe kritere që mund të zhvillohet si në të gjithë botën.

Nuk ka nevojë që të shkatërrohet natyra për t’u zhvilluar ekonomia. Biznesi të vazhdojë, të jetë në zona të tjera, të rehabilitohen zonat e ndërtuara, të punohet edhe për nxjerrjen e gurit.”

Print