Ndotja e mjedisit, penalizohen 30 subjekte ndërtuese

Për të gjitha subjektet ndërtimore, që hedhin mbetjet inerte në venddepozitime të palicensuara do të këtë masa të ashpra deri në heqjen e lejes së ndërtimit.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili së bashku me nënkryetarin e Bashkisë, Arbian Mazniku inspektuan një nga hotspotet e krijuara në Mëzez nga depozitimi prej vitesh në mënyrë të paligjshme i mbetjeve inerte.

“Deri tani 30 subjekte ndërtuese janë penalizuar nga Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit për hedhje të mbetjeve inerte jashtë venddepozitimeve të licensuara”, theksoi Klosi.

Kreu i Turizmit dhe Mjedisit tha se trajtimi i natyrës si një mall pa zot është krejtësisht i papranueshëm dhe se forca e ligjit do të jetë e ashpër për këdo subjekt që merret me gjenerimin, transportin dhe depozitimin e mbetjeve inerte.

Klosi kërkoi gjithashtu bashkëpunimin e qytetarëve për të denoncuar çdo rast flagrant të shkeljes së ligjit.

 

Print