Italia shpëton tre arinj shqiptarë, i strehon në parkun e Romës

Gianni, Sam dhe Mary u shpëtuan dhe tashmë ndodhen në shtëpinë e re të tyre, Bioparco, në Romë të Italisë. Bëhet fjalë për tre arinj të murrmë, të cilët nëse do të rrinin në Shqipëri, do të kishin një jetë gjithë keqtrajtime dhe shfrytëzime. Është kjo ajo që thonë mediat italiane, lidhur me shpëtimin e tre arinjve shqiptarë, ku për shpëtimin e tyre u përfshinë tre shoqata për mbrojtjen e kafshëve, parku i Romës, ministria e Turizmit në Itali dhe ajo e Mjedisit në Shqipëri.

Bëhet fjalë për arinjtë vëllezër Gianni dhe Sam, të lindur në fillim të vitit 2017, dhe Mary një arushe femër, të cilët u shpëtuan nga kushtet ku jetonin.

Në Shqipëri, shkruajnë mediat italiane, arinjtë shkëputen nga nënat kur janë fare të vegjël dhe rriten nga njeriu, duke u përdorur si qenushë në rrugë në këmbim të fotografive apo në lokale për të tërhequr më shumë klientë, ku jetojnë në kafaze në kushte të rënda.

Tashmë tre arinjtë do të jetojnë në një zonë të ndërtuar enkas për ta, me elementë natyrorë. Shpëtimi i tyre u bë i mundur në sajë të denoncimit në rrjetet sociale.

Disa përdorues sinjalizuan në Facebook, se pronari i një hoteli në Shqipëri, mbante ilegalisht dy arinj të murrmë. Në atë moment ndërhynë autoritetet italo-shqiptare.

Bashkë me ta u transferua edhe Mary, e cila ishte shpëtuar disa kohë më parë dhe ishte çuar në kopshtin zoologjik të Tiranës, por që sipas autoriteteve italiane, ambienti nuk është i përshtatshëm për të pritur kafshë të kësaj natyre.

Print