Ndotësi paguan, jo më leje mjedisore pa përmbushur kriteret

“Në të gjithë Shqipërinë, numërohen rreth 2 mijë leje mjedisore që janë veterinerë, dentistë apo farmacistë. Në Ministrinë e Mjedisit, aktualisht në këto 9 muaj nuk është dhënë asnjë licencë e vetme për ekspert mjedisor”, – deklaroi sot zv.ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Ornela Çuçi, gjatë llogaridhënies publike në Cërrik.

Ajo deklaroi se “ne jemi duke parë të gjithë procesin rregullator dhe ligjshmërinë që do të përcaktojë se kush është një ekspert mjedisi në Shqipëri, çfarë parametrash ai duhet të përmbajë, çfarë shkollimi duhet të ketë dhe si duhet të jetë leja mjedisore në mënyrë që kjo leje mjedisore të mos jetë thjesht një letër në dosjen e biznesit, por shkresë që do të duhet të respektohet që biznesi të funksionojë ose të mos funksionojë”.

Përsa i përket monitorimit të ish-Metalurgjikut në Elbasan, zv.ministrja e Mjedisit deklaroi se ka mbaruar faza e parë nga Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit.

“Janë inspektuar 20 subjekte, prej të cilave 11 janë lënë me masa, të cilat do të duhet të përmbushin për çështjen e filtrave të ujit dhe të cilësisë së ajrit. Nga ana tjetër, 8 prej tyre u është revokuar leja e mjedisit dhe 1 prej tyre i është pezulluar leja mjedisore dhe i është vënë një gjobë administrative 10 milionë lekë të vjetra me kushtin që duhet të përmbushi brenda 6-mujorit të gjitha parametrat e filtrimit për cilësinë e ajrit”, – tha Çuçi.

Ajo shtoi se kjo është një nga masat më të mëdha që kemi marrë aktualisht në një territor kaq të vogël siç është zona e ish-Metalurgjikut, duke qenë koshientë që problemet nuk janë të tanishme por kanë disa dekada. “Ne nuk kemi një shkop magjik t’i zgjidhim menjëherë, por ne aktualisht kemi bërë një plan të mirëdetajuar dhe konkret që në një kohë afatshkurtër të zgjidhet problematika në gjithë qarkun e Elbasanit për çështjen e mjedisit”, – deklaroi ajo.

Çuçi tha se ndotësi paguan, dhe asnjë biznes nuk duhet më të funksionojë nëse nuk përmbush të gjitha kriteret e lejeve mjedisore.

Lidhur me çështjen e landifillit në Elbasan, zv.ministrja theksoi se “ky është i pari i parametrave të BE. Janë tërhequr të gjitha mbetjet nga landfilli i vjetër që ka qenë në zonën e ish-varrezave dhe aktualisht ajo është një shndërruar në një shëtitore të jashtëzakonshme”.

Print