• Kreu
  • Të tjera
  • Aktiviteti njerezor
  • Studimi – Bankat ndërkombëtare ushqejnë cunamin e hidrocentraleve që po shkatërron lumenjtë e pacenuar të Ballkanit

Studimi – Bankat ndërkombëtare ushqejnë cunamin e hidrocentraleve që po shkatërron lumenjtë e pacenuar të Ballkanit

Bankat e zhvillimit multilateral kanë mbështetur jo më pak se 82 projekte hidroenergjitike në të gjithë Evropën juglindore, përfshirë edhe në zonat e mbrojtura, sipas një studimi nga CEE Bankwatch Network publikuar sot.

Radolfzell, Vjenë, Pragë, Tiranë – Studimi tregon se numri i projekteve të hidrocentraleve në rajon që gëzojnë mbështetje financiare nga bankat e zhvillimit multilateral [2] dhe bankat tregtare është edhe më i lartë nga sa ishte njohur më parë. Që nga viti 2005, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Banka Europiane e Investimeve (EIB) dhe Grupi i Bankës Botërore kanë dhënë kredi dhe garanci që arrijnë në 727 milionë euro, jo më pak se 82 hidrocentraleve. Kjo përfshin 37 projekte në zonat e mbrojtura si parqe kombëtare dhe zona të Natura 2000, ose zona të njohura ndërkombëtarisht, me vlerë të lartë të biodiversitetit, siç janë Zonat e Rëndësishme të Shpendëve.

BERZH është financuesi më i madh i hidrocentraleve i njohur në Ballkan. Banka ka mbështetur një total prej 61 impiantesh me 126 milionë euro, 29 prej tyre brenda zonave të mbrojtura, ose zona të rrezikuara të biodiversitetit të pranuara ndërkombëtarisht. Megjithëse banka ka qenë më e kujdesshme vitet e fundit, ende po konsideron financimin e impianteve të reja. BERZH është banka udhëheqëse ndërkombëtare që administron një studim mjedisor dhe social për kaskadën e Skavicës. Kjo do të thotë se BERZH mund të financojë hidrocentralin nëse studimet tregojnë se projekti mund të bëhet sipas standardeve të saj. Në këtë rast kredia do të jetë së paku 202 milionë euro.

Studimi gjithashtu zbulon edhe investimin më të madh të një banke tregëtare në Ballkanin Perëndimor, një hua prej 178 milionë euro nga banka turke IsBank për Ayen Enerji për kaskadën e lumit Fan. Ky projekt u shoqërua nga një sërë konfliktesh të dhunshme me komunitetet lokale. Duke pasur parasysh se e njëjta kompani projekti është e përfshirë në projektet Poçem dhe Kalivaç në luginën e Vjosës, kjo ngre shqetësime se financuesit turq do të përfshihen edhe në këto projekte, dhe, për shkak të mungesës së transparencës dhe standardeve mjedisore e sociale, do të injorojnë shkatërrimin e ekosistemeve jetike të Vjosës. “Varësia 100 përqind prej hidrocentraleve e Shqipërisë po e bën sektorin e saj të energjisë të pambrojtur ndaj thatësirave gjithnjë e më të shpeshta, kështu që nuk ka kuptim të ndërtohen edhe më shumë diga. Shqipëria ka nevojë urgjente të diversifikimit, për të përfshirë më shumë erën dhe energjinë diellore në energjinë e saj”, thotë Olsi Nika, koordinatori shqiptar i fushatës Save the Blue Heart of Europe.

“Financuesit duhet të marrin pjesën e tyre të përgjegjësisë dhe të sigurojnë pajtueshmëri me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare. Vendimet e investimeve të pakujdesshme mund të shkatërrojnë qindra lumenj të pacenuar të Ballkanit në mënyrë të pakthyeshme”, shton Igor Vejnović, Oficer i Politikave së Hidrocentraleve në Bankwatch dhe bashkëautor i studimit.

“Lajmi i mirë është se më shumë se një mijë hidrocentrale të planifikuara ende nuk kanë financim, kështu që ende ka shumë mundësi për t’i shpëtuar lumenjtë unikë të Ballkanit”, thotë Gabriel Schwaderer, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit EuroNatur.

“EBRD dhe BEI do të përditësojnë politikat e tyre mjedisore dhe sociale këtë vit. Kjo është një mundësi vendimtare për të forcuar rregullat e tyre dhe për të përjashtuar financimin e hidrocentraleve në zonat e ndjeshme”, shprehet Pippa Gallop, Koordinatore e Kërkimeve e Bankwatch dhe bashkëautore e studimit.

Print